Si të bëhesh hafiz për një muaj?

January 1, 2018

Pyetje: Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar tekstet bazë? [1]

Përgjigje: Mënyra më e mirë për të mësuar përmendësh tekstet fetare është nëpërmjet mësimit përmendësh të Kuranit. Po e përsërisim pyetjen: Cila është mënyra më e mirë për mësimin përmendësh të Kuranit? Pyetësi ka të drejtë ta pasojë pyetjen e tij me këtë tjetrën.

Mënyra më e mirë për memorizimin e Kuranit – i cili është memorizimi me rrënjë të forta – është  memorizimi që vjen si pasojë e leximit të vazhdueshëm, memorizimi që vjen prej vështrimit të vazhdueshëm në libër. Shiko memorizimin që vjen prej leximit të vazhdueshëm i cili është një memorizim që nuk largohet prej të zotit të tij.

Çfarë do të thotë lexim i vazhdueshëm? Le të marrim studentin e hadithit kur ai të përmend transmetuesit e hadithit dhe zinxhirët e transmetimit. A e ka pasur të vështirë ai memorizimin e tyre? Jo, ai i ka memorizuar vetvetiu, automatikisht. Ai ka vështruar vazhdimisht dhe e ka kaluar gjithë ditën mes librave, kësisoj njohja e emrave të transmetuesve dhe e zinxhirëve të transmetimit bëhet diçka e natyrshme për të prej shfletimit të vazhdueshëm. Po ashtu edhe fekihu kur ai të thotë; ‘Ka thënë Ebu Hanifja’, ‘Ka thënë Shafiu’, ‘Ka thënë Maliku’. Dhe ndonjëherë thotë: “Kanë rënë dakord Ebu Hanifja me Malikun”, ndonjëherë “Ebu Hanifja me Shafiun”, ndonjëherë është veçuar njëri prej tyre në një mesele, ndonjëherë secili prej tyre ka një mendim të tijin, ndonjëherë bashkohen të tre… Mundësitë matematikore janë të shumta… çështjet e fikhut në degëzime janë dhjetra mijëra, si i mëson ato fekihu? Si i mëson përmendësh ato? Me lexim të vazhdueshëm. Çdo të thotë kjo? Qëndron vazhdimisht me atë dituri dhe nuk shkëputet prej saj.

Me diturinë ndodh një fenomen i çuditshëm – dhe kjo është edhe e meta e shumë prej të pranishmëve dhe e meta e shumë prej studentëve – problemi i diturisë është se ajo është tekanjoze (e llastuar). Dituria është më e llastuar se gruaja më e llastuar dhe më tekanjoze në botë. Nëse e braktis diturinë një ditë ajo të braktis një javë. Nëse e braktis një javë ajo të braktis një muaj. Braktise një muaj të braktis gjysëm viti. Braktise gjysëm viti ajo të braktis 5 vjet! Prandaj dituria që përftohet për dy vite pandërprerë është më e mirë se ajo dituri që e grumbullon për 40 vjet me ndërprerje.

Nuk mundet që dikush t’i japë diturisë diçka të paktë prej kohës së tij dhe dituria t’i japë shumë prej saj. Prandaj kanë thënë: Nëse i jep diturisë gjithë veten tënde ajo të jep pak prej saj, e nëse i jep pak prej vetes ajo nuk të jep aspak.[2]

Po ç’lidhje ka kjo me memorizimin? Ka lidhje sepse memorizimi vjen prej leximit të vazhdueshëm. Çfarë do të thotë kjo? Unë të siguroj se Kuranin mund ta mësosh përmendësh për një muaj. E siguroj çdonjërin prej jush se mund ta mësojë Kuranin për një muaj. Si ta mësosh Kuranin për një muaj?!

Hapi i parë për ta mësuar Kuranin përmendësh është; të largosh huajësinë mes teje dhe Kuranit në atë masë sa që kur nuk lexon një ditë Kuran të ndihesh sikur ke humbur një pjesë nga vetja jote. Ai që humbet syrin, veshin, dorën e tij, do të shpërfytyrohet. Ai që është i lidhur vazhdimisht me leximin e Kuranit ndien një mangësi, ndien se ka humbur diçka të shtrenjtë.

Pastaj (hapi i dytë): Ta kalosh gjithë Kuranin çdo javë. Që ta kalosh gjithë Kuranin për një javë sa duhet të lexosh në ditë? 5 xhuze – (100) faqe.

Salihu i biri i imam Ahmedit te jetëshkrimi i babait të tij, thotë: Babai im na mblidhte çdo ditë të xhumaje pas namazit të Ikindisë,[3] e përfundonte leximin e Kuranit (bënte hatme) dhe bënte bashkë me ne lutjen e përfundimit të Kuranit.

Enes ibn Maliku thotë: “Ai që e përfundon së lexuari gjithë Kuranin ka një dua të pranuar.” Enesi mblidhte fëmijët e vet pasi mbaronte Kuranin dhe bënte dua, ndërsa ata thoshin ‘amin’. Njëri prej shokëve të tij që i qëndronte shumë pranë i thoshte ndonjërit prej familjarëve të Enesit – Allahu qoftë i kënaqur prej Enesit dhe gjithë sahabëve: Kur të bëjë hatme Enesi më njofto. Kjo gjendet te Darimiu[4].

Ajo që dua të them është se hafidhi (memorizuesi) prej leximit të vazhdueshëm nuk harron. Merre një rregull prej meje, merre si rregull me bindje: Kush të thotë se është hafiz dhe nuk e përsërit Kuranin (nuk e bën hatme) çdo javë, thuaj për të: Ai ishte hafiz por nuk është më. Thuaj: Ishte hafiz por nuk është më. Hafiz është ai që ulet këmbëkryq dhe ta lexon të gjithë Kuranin nga mendja, nga Fatihaja deri te Nas-i, ky është hafiz. Ndërsa të lexojë 10 xhuze (200 faqe) pastaj nuk lexon dot më, ky nuk është hafiz. Kurani ikën prej gjokseve (harrohet po s’e përsërite). Si i bëhet që të mos largohet Kurani? Çfarë duhet bërë? Duhet lexuar 5 xhuze çdo ditë. Po si lexohen këto 5 xhuze? Duhet të jesh prej atyre që falen natën. Prandaj hafizi i Kuranit është në një pozitë e lartë. Allahu i Madhëruar zgjedh disa robër të Tij dhe ua jep atë. Prandaj (siç ka ardhur në hadith) njerëzit e Kuranit janë njerëzit e afërt të Allahut dhe të veçantët e Tij. Janë ata që flasin me Allahun e Pastër nga të metat dhe të Madhëruarin. Pra, 5 xhuze kërkojnë që të sakrifikosh një pjesë të natës. Nuk mund të konceptohet hafizi i Kuranit që nuk çohet natën (për t’u falur apo për ta përsëritur Kuranin.). Përndryshe, si mund t’i lexojë 5 xhuze? Ky nuk është hafiz.

Ibnul Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – thotë një fjalë te mrekullueshme. “Në një prej periudhave të jetës sime më hyri në qejf një lloj sufizmi.’ Nga ç’vend është Ibnul Kajimi? Nga Damasku. Njerëzit e Damaskut kanë pasur qysh atëherë ushqim të shijshëm. Gratë e atjeshme dinë të gatuajnë mirë. Thotë: “Në fillim haja ushqime të shijshme dhe ngrihesha natën dhe lexoja 5 xhuze. Pastaj më kapi një dëshirë për sufizëm dhe e privova veten nga ushqimi i shijshëm. Pastaj me vështirësi mezi lexoja 1 xhuz apo 2. Pastaj mu kujtua puna e Sufjanit, i cili kur vinte nata hante ushqime të shijshme dhe pas tyre hante banane dhe faludhexh (lloj ëmbëlsire), pastaj thoshte: ‘Ushqeje mirë gomarin tënd pastaj lodhe.’ Pastaj çohej natën dhe falte namaz duke qëndruar gjatë në këmbë, dhe thoshte: ‘Ushqeje gomarin tënd pastaj lodhe’. Kështu – thotë Ibnul Kajjimi – iu riktheva ushqimit të shijshëm dhe iu riktheva 5 xhuzeve.”

Ç’të pengon të hash ushqime të shijshme pastaj t’ia japësh hakun Allahut?

Ajo që dua të them është se memorizimi i bazuar mbi lexim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë nuk e tradhëton të zotin. Ndërsa po pati ndrëprerje, siç ka thënë Imam Zuhriu – Allahu e mëshiroftë: ‘E meta e diturisë është harresa.’ ‘Sëmundja e diturisë është harresa.’  Nëse ti lexon vazhdimisht dhe nuk e ndërpret këtë, largohet harresa prej teje. Nga mund të vijë harresa? Përveç asaj që është në natyrën njerëzore, siç kanë thënë: ‘I pari që ka harruar prej njerëzve është njeriu i parë.’ Pra Ademi (paqja qoftë mbi të). Allahu është më i Dijshmi.

 

Shejh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajtë.

Sh.p.: Përgëzim për memorizuesin e Kuranit.

Ka thënë Muhamed ibn Kab el Kuradhij: “Kush e mëson Kuranin përmendësh do të gëzojë mendje të kthjellët edhe nëse jeton 200 vjet.”

Ibn Kethir në librin “EL Bidajeh uen nihajeh”: 9/270.

—————————————————

[1] Siç është për shembull: “Tri Parimet”, “40 hadithet e imam Neueuiut”, “El uerakat” etj. Në çdo shkencë Islame ka nganjë tekst diturie, abc-ja e saj, e përmbledhur dhe e shkruar në vargje për t’u memorizuar, e cila të jep parimet bazë dhe të fut në temë.

[2] Sh.p.: E megjithatë vlen të përmendet këtu rregulli i artë: “Ajo që nuk arrihet e gjitha nuk lihet e gjitha.” Ajo që dëshiron të thotë shejhu është që jo çdokush mund të jetë dijetar, dhe se ‘Pak por vazhdueshëm është më e mirë se shumë dhe e ndërprerë’. Pra për të arritur duhet këmbëngulje, vullnet, dhe mos heqje dorë. Allahu na dhëntë sukses!

[3]Në kohën kur pranohet duaja ditën e Xhuma.

[4]  Sunen ed Darimi.

Loading...