SI TË VEPROJ ME NËNËN TIME E CILA VUAN NGA NJË SËMUNDJE E PASHËRUESHME?

January 29, 2025

SI TË VEPROJ ME NËNËN TIME E CILA VUAN NGA NJË SËMUNDJE E PASHËRUESHME?

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit Mëshirëmadhit

Ji i sigurt se ajo që i ndodh njeriut nuk mund ta kishte anashkaluar, dhe se të gjitha caktimet e Allahut kanë përfundim të mirë për muslimanin.

Çdo fatkeqësi, brengë apo sëmundje që i bie një muslimani – qoftë edhe një gjemb që e shpon – Allahu ia fal mëkatet dhe ia lartëson gradat, derisa të dalë nga kjo botë pa mëkate.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka transmetuar se Profeti ﷺ ka thënë:

“Çdo fatkeqësi që e godet muslimanin, Allahu e përdor për t’ia shlyer mëkatet, madje edhe një gjemb që e shpon.”

(Sahihu i Buhariut, 5317).

Në një transmetim tjetër në Sahihun e Muslimit thuhet:

“Asgjë nuk i ndodh besimtarit, madje as një gjemb që e shpon, veçse Allahu ia shkruan një të mirë ose ia shlyen një mëkat.” (Muslimi,2572).

Mund të duket se diçka është e keqe në pamje të parë, por në fund del e dobishme. Allahu ka urtësi në çdo vendim të Tij, edhe nëse ndonjëherë nuk na bëhet e qartë.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:

“Sprovat nuk do të ndalen për besimtarin dhe besimtaren, në vetvete, tek fëmijët dhe pasuria e tyre, derisa të takojë Allahun pa asnjë mëkat.”

(Tirmidhiu, 2399, e ka vlerësuar si të mirë Albani).

E dyta:

Kujto gjithmonë se jeta në këtë botë është e kufizuar, ndërsa jeta e vërtetë dhe e përhershme është jeta e Ahiretit.

“Vërtet, bota tjetër është jeta e vërtetë.” (Sure El-Ankebut, 64).

“Jeta e Ahiretit është më e mirë dhe më e qëndrueshme.” (Sure El-A’la, 17).

Pra, nuk ka kuptim të zemërohesh, të ankohesh ose të dyshosh në Zotin tënd, sepse në fund nuk do të ndodhë asgjë përveç asaj që Allahu ka caktuar. I mençuri është ai që duron me fisnikëri dhe shpreson shpërblimin tek Allahu, para se të bëhet sikur kafshët që harrojnë gjithçka.

Enes bin Maliku transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:

“Shpërblimi i madh vjen me sprova të mëdha. Allahu, kur e do një popull, e sprovon atë. Kush e pranon sprovën me kënaqësi, do ta ketë shpërblimin e kënaqësisë, e kush zemërohet, për të është zemërimi i Allahut.”

(Ibn Maxhe, 4031, e ka vlerësuar si të mirë Albani).

Kategoritë e sjelljes së njerëzve gjatë fatkeqësive sipas Ibn Uthejminit:

1. Zemërimi – Ky mund të jetë:

• Me zemër, duke qenë i pakënaqur me caktimin e Allahut, gjë që mund të çojë në mosbesim.

• Me gjuhë, duke bërë ankesa ose mallkime.

• Me veprime, si rrahja e vetes, grisja e rrobave etj.

2. Durimi – E ndjen dhimbjen e sprovës, por nuk ankohet dhe e përballon me besim.

3. Kënaqësia – Arrin në një gjendje ku e pranon caktimin e Allahut pa ndonjë shqetësim të madh.

4. Falënderimi – Kjo është shkalla më e lartë, kur një person jo vetëm që pranon sprovën, por edhe falënderon Allahun duke e kuptuar se ajo mund të jetë një bekim i fshehtë.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Çdo fatkeqësi që i ndodh besimtarit, qoftë edhe një brengë apo gjemb, është shkak për faljen e mëkateve të tij.”

(Buhariu dhe Muslim).

E treta:

Si të sillesh me nënën tënde në këtë sëmundje të rëndë?

Nëse është një sëmundje e pashpresë sipas mjekëve, duhet t’i kushtosh edhe më shumë dashuri dhe kujdes.

• Kujtoji shpërblimin e madh që ka durimi dhe si çdo sprovë për besimtarin është një bekim i fshehtë.

• Nëse është e mundur, bëje të kuptojë me butësi se caktimi i Allahut është i pashmangshëm dhe se çdo njeri e ka një kohë të caktuar në këtë jetë.

• Nëse dëshiron të lërë ndonjë testament apo të rregullojë ndonjë të drejtë, ndihmoje ta bëjë.

• Rrite shpresën e saj duke i kujtuar se fuqia e Allahut është mbi çdo diagnozë mjekësore. Sa raste ka pasur që janë shpallur të pashpresa nga mjekët dhe Allahu i ka shëruar!

Këshilla më e rëndësishme për ty është të jesh i durueshëm dhe i kënaqur me caktimin e Allahut, të shmangësh ankesat dhe pakënaqësinë.

Allahu është më i dituri.

Përktheu dhe përshtati Rexhep Milaqi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Dosje: , ,

Loading...