Rasti i parë: Kur e njeh pasurinë haram.
Nëse e njeh pasurinë haram atëherë kemi dy mundësi: ose ajo pasuri është e vjedhur dhe e grabitur, ose është fituar në rrugë haram.
Mundësia e parë: Është haram sepse është e vjedhur apo e grabitur d.m.th. ajo pasuri ka një pronar që e kërkon.
Kur pasuria është vjedhur dhe njihet, atëherë nëse jepet dhuratë ajo nuk duhet të pranohet, kur shitet nuk duhet të blihet, kur bëhet ushqim për gosti nuk duhet të hahet etj.
Për këtë çështje kanë ardhur dy hadithe.
Hadithi i parë: Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se Profeti alejhi selam ka thënë: “Ai i cili blen një gjë të vjedhur dhe e di që është e vjedhur, e shoqëron atë (vjedhësin) në turp dhe në gjynah.” E transmeton Hakimi dhe Bejhakiu me zinxhir të dobët.
Hadithi i dytë: Mejmune bintu Sead radiallahu anha tregon se i ka thënë Profetit alejhi selam: O i dërguar i Allahut, na trego për vjedhjen? Profeti alejhi selam i thotë: “Ai i cili e ha atë duke e ditur se është e vjedhur, e shoqëron atë (vjedhësin) në gjynahun e vjedhjes.” E transmeton Taberani me zinxhir të dobët.
Këto dy hadithe janë të dobëta siç u tha më sipër, mirëpo kanë ardhur hadithe të tjera të sakta që i japin të drejtë pronarit të pasurisë së vjedhur apo të grabitur, ta rikthejë atë edhe nëse e gjen në duart e një blerësi (jo në duart e vet vjedhësit). Për këtë janë transmetuar dy hadithe.
Hadithi i parë: Semura bin Xhundub radiallahu anhu tregon se Profeti alejhi selam ka thënë: “Nëse një burri i vidhet një plaçkë apo i humbet dhe e gjen atë në dorë të një tjetri, atëherë ai e meriton atë më shumë sesa tjetri dhe blerësi të kërkojë çmimin e saj tek shitësi.” E transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxhe.
Ky hadith është transmetuar nga Semura bin Xhundub radiallahu anhu me një tekst tjetër të ngjashëm, ku tregon se Profeti alejhi selam ka thënë: “Ai i cili gjen pasurinë e tij tek një tjetër, atëherë ai ka më të drejtë ta marrë atë ndërsa blerësi kthehet tek shitësi.” E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Nesai.
Hadithi i dytë: Useid bin Dhuheir El-Ensarij radiallahu anhu tregon se kur ishte përgjegjës për Jemamen i ka shkruar Meruan bin El-Hakem (valiu apo guvernatori i Medines), se Muavije bin Ebi Sufjan radiallahu anhu (prijësi i përgjithshëm i myslimanëve të asaj kohe) i ka shkruar atij: “Cilido burri që i është vjedhur diçka ka të drejtë ta rikthejë atë kudo që ta gjejë.” Pastaj Usejdi i shkruan Meruanit se Profeti alejhi selam ka gjykuar: “Nëse ai i cili e ka blerë prej atij që e ka vjedhur nuk akuzohet, atëherë pronari i saj ka të drejtë të zgjedhë: ose ta marrë atë që i është vjedhur duke i dhënë çmimin (blerësit), ose të kthehet tek vjedhësi.” Pastaj thotë: Kështu ka gjykuar Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani.” E transmeton Ahmedi, Nesai etj.
Këto hadithe i japin të drejtë pronarit të rikthejë pasurinë e tij, edhe pse në përmbajtjen e tyre ka pak ndryshim në lidhje me mënyrën e rikthimit të pasurisë. Por asnjëri prej tyre nuk ia heq atë të drejtë, dhe kaq mjafton për të treguar ndalimin e përdorimit të pasurisë së vjedhur apo grabitur kur dihet në veçanti se është e tillë. Madje për të dëshmon dhe fjala e Allahut: “Dhe bashkëpunoni në të mira dhe në devotshmëri dhe mos bashkëpunoni në gjynahe e armiqësi.” |Suretu El-Maide: 2| Përdorimi i pasurisë së vjedhur apo grabitur bëhet shkak për të humbur e drejta e pronarit, apo edhe shkak për t’i nxitur njerëzit e prishur në punët e tyre të këqija.
Sheihul islam Ibën Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Atë që unë e di se ka vjedhur një pasuri apo e ka mashtruar atë që ia ka lënë amanet, apo e ka grabitur me forcë prej tjetrit, nuk më lejohet ta marr atë pasuri prej tij; as si dhuratë, as si këmbim, as si qira, as si çmim i një shitje, as si shlyerje borxhi. Kjo ngase është pikërisht pasuria e atij që i është bërë padrejtësi.” Shih “Mexhmua El-Fetaua” 29/323.
Ibën Raxheb El-Hanbelij në shpjegimin e hadithit “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë…”, tregon se Ibën Abdul-Berri, dijetari i madh i Andaluzisë, ka thënë se për këtë çështje ka ixhma. Ndoshta ka për qëllim një citat të tijin në librin “El-Istidhkar” ku thotë: “Pranimi i dhuratave është mendim i ndërtuar mbi bazën e fikhut dhe të dijes së saktë, përderisa nuk e di se ajo në veçanti është haram dhe mundet të jetë haku i tjetërkujt.” Shih “El-Istidhkar” 27-415.
Shënim: Hadithi i Semuras ndryshon nga hadithi i Usejdit për nga mënyra e rikthimit, sepse hadithi i tij i jep të drejtë pronarit ta rikthejë pasurinë pa ndonjë detyrim ndaj blerësit, dhe blerësi të ndjekë vjedhësin që ia ka shitur. Kurse hadithi i Usejdit i jep pronarit të drejtë të zgjedhë mes dy gjërave: ose ta marrë pasurinë e tij prej blerësit duke ia dhënë çmimin, ose të ndjekë vjedhësin.
Shumica e dijetarëve të islamit janë të mendimit se hadithi i Semuras është i saktë dhe duhet të gjykohet me të, ndërsa hadithi i Usejdit sipas tyre është i dobët. Kurse një pjesë tjetër e dijetarëve ku mes tyre sheih Albani mendon të kundërtën: Hadithi i Usejdit është hadithi i saktë dhe duhet të punohet me të, ndërsa hadithi i Semuras është i dobët.
Gjithashtu, nuk përjashtohet edhe një mundësi tjetër që të dy hadithet të jenë të sakta dhe secili prej tyre ka të bëjë me një rast të ndryshëm nga tjetri. Kjo do të thotë se hadithi i Semuras është për rastin kur blerësi ka bashkëpunuar me vjedhësin, duke e ditur se malli është i vjedhur. Kurse hadithi i Usejdit është për rastin kur blerësi nuk ka bashkëpunuar me të dhe as ka dijeni për gjënë e vjedhur. Allahu e di më së miri.
Vijon…..
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve