Sinqeriteti në vepra.
Kjo shenjë (sinqeriteti ndaj Allahut) konsiderohet si themeli i suksesit dhe fitorja e atij që punon, madje është rregulli i pikënisjes. Me përmirësimin e sinqeritetit përmirësohet e gjithë çështja e njeriut dhe veprat e tij, ndërsa me prishjen e këtij ekuilibri prishet çështja e njeriut dhe veprat e tij.
Për të treguar madhështinë dhe rëndësinë e sinqeritetit janë përmendur shumë ajete në Kuranin famëlartë.
Allahu i Lartësuar thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit).”[1]
“Thuaj: Unë jam urdhëruar që ta adhuroj Allahun me përkushtim të sinqertë.”[2]
“Njëmend, Ne ta kemi zbritur librin me të vërtetën. Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të.”[3]
“Drejtohuni vetëm nga Ai në çdo xhami, dhe lutjuni Atij sinqerisht me besim të pastër e të vërtetë.”[4]
“Andaj lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët.”[5]
Për shkak të sinqeritetit Allahu i jep begati punës së njeriut dhe i shton suksesin dhe përkrahjen, sepse kushdo që punon me sinqeritet ai jeton në mirësi të madhe dhe kalon prej një mirësie në mirësi të tjera.
Shumë njerëz kanë përmendur rastet e disa këshilluesve të sinqertë që mbase mund të kenë më pak dije por që Allahu u ka dhënë begati përpjekjeve të tyre, sepse ata kanë qenë të dobishëm aq sa këshillat e tyre kanë ndikuar shumë tek njerëzit, dhe këto janë pikërisht frytet e sinqeritetit.
Thirrësi që i fton njerëzit në rrugën e mirësisë duhet t’i lutet Allahut për sinqeritet në të gjitha çështjet, dhe në momentin kur shpirti i tij tenton ta largojë nga rruga e sinqeritetit le të luftojë me të dhe të jetë i sinqertë në luftën dhe përpjekjen e tij. Ai ka për të parë nga Allahu gjëra që do t’i gëzojnë syrin dhe do t’i zgjerojnë kraharorin.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht se Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët.” [6]
Imam Ibën Kajim el Xheuzije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Ai që e mëson veten me punë të sinqerta për Allahun, puna më e vështirë për të do jetë të veprojë diçka për të tjerët. Ndërsa kush e mëson veten me punë që i shërbejnë epshit dhe dëshirave të veta, gjënë më të vështirë do ta ketë veprimin e diçkaje për hir të Allahut.[7]
Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.
Autor: Abdul Aziz Sed’han
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————————
[1] Suretu El Bejine: 6.
[2] Suretu Zumer: 11.
[3] Suretu Zumer: 2.
[4] Suretu el A’raf: 29.
[5] Suretu Gafir: 14.
[6] Suretu El Ankebut: 69.
[7] Ibën Kajimi në librin“Udetu sabirin” fq. 82.