Çliruesi i Andaluzisë Tarik ibën Zijadi

November 24, 2021

TARIK IBËN ZIJADI

Çliruesi i Andaluzisë

‘’Rodrigo, eja sa më shpejt sepse tek ne kanë mbërritur disa njerëz të cilët nuk e dimë a vijnë nga toka apo nga qielli!’’ (Komandanti i ushtrive të Gothit.)

Allahu i begatoftë tokat algjeriane, sa e sa kolosa të këtij umeti kanë dalë prej andej! Kolosi për të cilin do të flasim në këtë pjesë të librit ishte një çlirimtar musliman i cili vinte nga shkretëtira e këtyre tokave madhështore. Toka të cilat nga prodhimi i vazhdueshëm i heronjve duken si të ishin një shkollë revolucionarësh.

Heroi i radhës për të cilin do të flasim është Tarik ibën Zijadi. Ai është pikërisht çliruesi i Andaluzisë. Të themi të vërtetën të flasësh për Andaluzinë është një temë e gjatë, një temë e tejmbushur me ngjarje të ndryshme, me kujtime të trishta. Një temë e cila mbulon më shumë se gjysmën e historisë së botës Islame. Ajo mbulon plot tetëqind vite prandaj unë do t’a cek historinë e Andaluzisë herë pas here në këtë libër. Jo për të vajtuar mbi humbjen e saj sepse as që e synoj një gjë të tillë, por sepse mendoj se historia e Analuzisë me ngritjet dhe rëniet e saj të herë pas hershme përgjatë tetë shekujve të sundimit islam i ofron rinisë sonë shembullin më të mirë të mundshëm të shkaqeve të ngritjes dhe të rënies së një shteti. Është pjesë e urtësisë së Allahut që ligji i Tij në Tokë të jetë standart, i pandryshueshëm. Nëse ne i studiojmë shkaqet e ngritjes dhe të triumfit të muslimanëve në një periudhë të caktuar kohore e më pas i zbatojmë ato, patjetër që do të ringrihemi dhe do të triumfojmë. E nëse i studiojmë shkaqet e disfatës dhe të rënies ne do t’u shmangemi atyre… e kështu me radhë. Me të vërtetë që historia e qytetërimit islam në Andaluzi është histori unike në llojin e saj. Njerëzimi nuk ka parë ndonjëherë një histori si ajo me atë lloj zhvillimi, dije e shkëlqimi, e as me atë lloj tolerance midis popujve dhe feve edhe sipas këndvështrimit (konceptit, kuptimit) perëndimor.

Përpara se të studiojmë historinë e këtij heroi madhështor ose historinë e Andaluzisë më duhet të sqaroj një pikë të rëndësishme: Përse u desh arabëve muslimanë që të përshkojnë mijëra kilometra të Saharasë së gadishullit të tyre për të mbërritur në tokat e popujve të tjerë, në tokat e Berberëve, Persëve dhe Bizantëve? A nuk është ky një lloj pushtimi ndaj tokave të të tjerëve?

Ç’është e vërteta kjo pyetje mbase ngjall dyshime tek disa dhe për pasojë i përngjasojnë çlirimet islame me ato të kolonizimit europian në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë. Në realitet nuk ka asnjë arsye për një përngjasim të tillë. Ai që e njeh historinë e luftrave që prej kohës së Aleksandrit të Maqedonisë e të Romakëve dhe të Mongolëve, e deri tek luftrat e fundit që zhvilluan Napoleoni e Hitleri dhe të tjerë, sheh se synimi i ushtrive gjatë gjithë historisë ishte një nga këto të treja: 1) Shtrirja gjeografike dhe ekonomike siç ishte rasti i perandorisë Romake (e cila pushtoi tre kontinente). 2) Pushtimi ideologjik siç është rasti i Amerikës (e cila ka përhapur modelin Amerikan nëpër botë). 3) Pa asnjë qëllim të mirëfilltë siç ishte rasti i Tatarëve dhe Mongolëve.

Rasti i muslimanëve ndryshon krejtësisht nga rastet e lartpërmendura. Luftrat islame nuk futen te ky rregull trekëndor sepse muslimanët kishin një qëllim të vetëm: Përçimi i mesazhit të Muhamedit (Paqja qoftë mbi të) gjithë njerëzimit në të gjitha anët e botës. Pikërisht këtu dikush mund të komentojë: Përse muslimanët zhvilluan luftra dhe rrënuan perandori të ndryshme e nuk u mjaftuan me përçimin e mesazhit pa bërë luftë? Përgjigjja e kësaj është se kjo ishte pikërisht ajo që bënë muslimanët në fillim. Ata dërguan korrierë të njëpasnjëshëm tek sundimtarët e botës por ata i vranë para se mesazhi i Islamit të mbërrinte tek popujt e tyre. Duke qenë se Islami përçonte ideologjinë e barazisë midis njerëzimit e cila domosdoshmërisht përplasej me kushtetutën e sundimtarëve diktatorialë të cilët robëronin masat dhe persekutonin të vobektët, ishte më se e natyrshme që ata të mos lejonin që popujt e tyre të mësonin diçka rreth Islamit i cili paraqiste rrezik për fronin e tyre.

Betohem në Zotin se nuk është nisur asnjë ushtri pa u vrarë korrierët dhe predikuesit e tyre. Në ato vende ku korrierët dhe predikuesit ishin të lirë që t’ia përçonin mesazhin e Muhamedit (Paqja e Zotit qoftë mbi të) njerëzve nuk u përdor asnjëherë shpata. Mbase shembulli më i mirë për këtë është Indonezia e cila është vendi më i madh islam. Këtu lind një tjetër pyetje: Nëse qëllimi i çlirimeve islame ishte përhapja e Islamit, përse nuk hasim sot asnjë prezencë të muslimanëve në Andaluzi, në Spanjë apo Portugali? Përgjigjja e kësaj pyetje është se pjesa dërrmuese e muslimanëve të Andaluzisë (Spanjës dhe Portugalisë) ishin banorë vendas të atyre vendeve të cilët pranuan Islamin, e nuk ishin siç mendojnë disa arabë apo berberë të ardhur. Këta muslimanë u dëbuan nga vendi i tyre ose u vranë nga inkuizicioni (siç do e shohim në faqet e kësaj vepre).

Sekreti që fshihet në çlirimin e Andaluzisë nga duart e muslimanëve prej të cilit habiten shumë njerëz, është se Andaluzia ka qenë vend islam dhjetëra vite para se të vinte në jetë vetë Tarik ibën Zijadi. Madje Andaluzia ka qenë shtet islam i pavarur që njëzet vite para profetësisë së Muhamedit (Paqja qoftë mbi të). Ata që duan t’a mësojnë këtë sekret u duhet të presin pak në këtë libër derisa të arrijmë tek njëri prej njëqind kolosëve të mëdhenj të botës islame i cili quhet ‘’Arijus’’.

Historia e Andaluzisë e ka zanafillën nga koha e shpërnguljes së Visigothëve në këto vende. Visigothët nuk ishin banorë autoktonë të këtyre vendeve por vinin nga vende të tjera, ata vinin nga Veriu i Europës. Emri ‘’Andaluzi’’ përdorej për gadishullin Iberik i cili sot përfshin Spanjën dhe Portugalinë. Në atë kohë Visigothët sundoheshin nga mbreti Vitizia i cili u vra nga udhëheqësi cinik Rodrigo, ku më pas mori fronin dhe vendosi taksa të larta. Gjatë sundimit të tij në tokat e Andaluzisë mbretëroi diktatura dhe mizoria. Kjo bëri që ai të urrehej nga populli andaluzian.  Në anën tjetër të tokës në qytetin e Tangierës sundonte një burrë flokëkuq, sykaltër, shtatlartë, muskuloz. Ai vinte nga fiset berbere të cilët e kishin origjinën nga Europa nga rraca latine. Ai ishte pagan, adhuronte idhujt e jo Allahun. Kur arabët sollën fenë Islame atij i pëlqyen mësimet e saj të mrekullueshme dhe koncepti i qartë mbi njëshmërinë e Zotit. Sakaq, ai e përqafoi këtë fe dhe u angazhua në njohjen e njerëzimit me të. Nga një skllav i romakëve të cilët sundonin me shpatë, çlirimtarët muslimanë arabë e bënë atë sundues të popullit të Tangierës qofshin ata arabë apo berberë.

Njeriu për të cilin po flasim quhej Tarik ibën Zijad, heroi i madh musliman, guvernatori i emevitëve në Tangier. Kur i mbërriti Tarikut letra e komandantit të përgjithshëm për Afrikën nga Kajravani nëpërmjet të cilës e njoftonte për lejen e kalifit emevit Uelid ibën Abdul Melik për përhapjen e Islamit në Andaluzi, ai kaloi detin bashkë me shtatë mijë luftëtarë, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin berberë të sapo futur në Islam. Forcat muslimane u përballën me garnizonin e Visigothëve në Jug dhe e shpartalluan atë. Komandanti i garnizonit i’a mbathi dhe erdhi natën duke vëzhguar forcat e panjohura të armikut për të mësuar sekretin e fuqisë së tyre. Ai u mahnit nga ajo që i panë sytë. Ai pa se luftëtarët e fuqishëm të cilët luftonin si luanë natën i përuleshin dhe i përgjëroheshin Zotit të tyre dhe në të gdhirë i faleshin atij. Ai pa gjithashtu se si u rridhnin lotët teksa lexonin një libër. Ai s’po u besonte syve të tij. Menjëherë i shkroi mbretit Rodrigo i cili ndodhej në Toledo: ‘’Rodrigo, eja sa më shpejt sepse tek ne kanë mbërritur disa njerëz të cilët nuk e dimë a vijnë nga toka apo nga qielli!’’ Mbreti Rodrigo marshoi me një ushtri që përbëhej nga njëqind mijë kalorës të pajisur me armët më të fundit. Ai dha urdhër që të merrnin me vete sasi të mëdha  litarësh për të lidhur muslimanët pas humbjes së tyre. Tarik ibën Zijadi i kërkoi përforcime komandantit të përgjithshëm të forcave Islame për Afrikën. Ai i dërgoi Tarikut pesë mijë luftëtarë, ku e gjithë ushtria muslimane bashkë me përforcimet nuk i kalonte dymbëdhjetë mijë luftëtarë dhe pjesa më e madhe e saj përbëhej nga këmbësoria. Dy ushtritë u përballën në betejën e pavdekshme që u zhvillua në luginën e Barbatës më 28 të muajit Ramazan të vitit 92 të hixhretit. Kjo betejë për të cilën pothuajse nuk dimë asgjë nuk është më pak e rëndësishme se beteja e Jermukut dhe e Kadisijjes.

Beteja nisi dhe turmat e ushtrisë së krishtere u sulën drejt ushtrisë muslimane si një valë gjigande. Dy ushtritë ndryshonin nga njëra-tjetra për faktin se njëra prej tyre me vete kishte litarët ndërsa tjetra kishte Allahun! Lufta zgjati tetë ditë, ditë në të cilat ishte dhe festa e fitër bajramit. Muslimanët humbën tre mijë luftëtarë por e fituan betejën dhe mbreti fodull Rodrigo i cili kishte marrë me vete litarë u vra. Tariku vazhdoi të merrte qytetet e Andaluzisë një e nga një pa asnjë qëndresë. Populli andaluzian nuk bëri qendresë sepse kishin dëgjuar që kjo ushtri ishte e fortë dhe se feja që ata predikonin ishte fe fisnike.

Legjionet e ndritura islame u shpërndanë në tokat e Andaluzisë duke përhapur fenë islame dhe duke ndezur edhe njëherë shkëndijat e monoteizmit në ato vende.

Teksa jemi duke folur për historinë e këtij komandanti madhështor parashtrohet një çështje e rëndësishme e cila duhet marrë në konsideratë. Bëhet fjalë për ngjarjen e djegies së anijeve nga ana e komandantit të ushtrisë islame Tarik ibën Zijadit dhe shprehjen e famshme: ‘’Nga pas keni detin dhe përpara armikun’’ – që i atribohet atij. Ngjarje kjo të cilën e kemi trashëguar brez pas brezi dhe e kemi mësuar në shkollat tona, dhe e cila është bërë si një e vërtetë universale. Kjo në fakt nuk është veçse një ngjarje e trilluar dhe e shpikur nga orientalistët për të justifikuar disfatën e njëqind mijë luftëtarëve të krishterë përballë dymbëdhjetë mijë luftëtarëve muslimanë. Ata deshën të vërtetojnë nëpërmjet kësaj ngjarje se ushtria muslimane ishte e detyruar të triumfonte mbi ushtrinë e krishtere ngaqë nuk kishin anije për t’ia mbathur. Mbase deri në atë moment orientalistët nuk e dinin që muslimanët kërkojnë me ngulm që të bien dëshmorë, dhe se nuk ka ndodhur që muslimanët të triumfojnë mbi armikun prej numrit të tyre të madh.

Kjo ngjarje nuk është cituar në asnjë nga burimet bazë të historisë islame por është përmendur vetëm nga burime europiane. Në asnjë vepër të literaturës Islame nuk gjendet asnjë koment mbi ligjshmërinë ose paligjshmërinë e kësaj ngjarje të supozuar. Një komandant strateg si Tarik ibën Zijadi e dinte me siguri se mundësia e disfatës ekzistonte kështu që ishte e nevojshme për t’i mbajtur ato anije në rast tërheqjeje, gjë e cila është e ligjshme në sheriat dhe aspak e turpshme. Ajo që ka më shumë rëndësi se gjithë kjo që thamë dhe që e demaskon këtë ngjarje të trilluar, është fakti që ato anije nuk ishin pronë e muslimanëve që ata t’i jepnin të drejtë vetes për t’i djegur.

 

Autor: Xhihad et Turbani

Përshtati: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...