Dhënia fetva pa dije

April 11, 2013

Ibën Kajim el Xheuzijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kush u jep fetva njerëzve duke mos qenë i aftë për fetva, është gjynahqar dhe kundërshtues i Allahut. Ai që e miraton atë prej pushtetarëve (përgjegjësve) është gjithashtu gjynahqar dhe kundërshtues i Allahut.”

Ka thënë Ebul Ferexh ibën el Xheuzij, Allahu e mëshiroftë: “Është detyrë për pushtetarin që t’i pengojë ata ashtu siç bënë Benu Umejjet. Këta (që japin fetva pa qenë dijetarë) janë si ata që udhëheqin karvanet dhe nuk i njohin rrugët. Apo si i verbri që u tregon njerëzve kiblen, apo si ai që nuk ka dije për mjekësinë dhe kuron njerëzit, madje ai është më keq se të gjithë ata. E nëse është detyrë për pushtetarin që ta ndalojë nga mjekimi i të sëmurëve (pseudo-mjekun), si është puna me atë që nuk e njeh Kuranin dhe Sunetin dhe nuk e kupton fenë?! Shejhu ynë ishte shumë i rreptë në kundërshtimin e atyre, dhe një ditë e dëgjova të thoshte: Më tha njëri prej tyre: A ke vendosur ndonjë inspektor (mbikqyrës) për fetvatë (ndoshta duke u tallur me të)? – I thashë: Të ketë kontrollues (mbikqyrës) për bukëpjekësit dhe guzhinierët dhe të mos ketë kontrollues për fetvatë?!”

Dhe thoshte Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë: “Ai që pyetet për diçka duhet që para se të përgjigjet ta mendojë veten para Xhenetit dhe zjarrit dhe se si do të shpëtojë në botën tjetër, e pastaj të përgjigjet.”

Ai u pyet për një çështje dhe tha: Nuk e di. I thanë: Ajo është një çështje e lehtë, e kollajtë! Atëherë ai u nxeh dhe tha: Nuk ka në dije çështje të lehta! A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut që thotë: “Ne do të hedhim (shpallim) ty një fjalë të rëndë.” | Muzemmil: 5. Dija është e gjitha e rëndë dhe sidomos ajo për të cilën do të pyetesh në ditën e gjykimit.

Gjithashtu (Imam Maliku) ka thënë: “Nuk kam dhënë fetva veçse pasi dëshmuan për mua 70 (dijetarë) se unë jam i aftë për këtë punë.” Dhe ka thënë: “Nuk duhet që njeriu ta shohë veten të aftë për diçka derisa të pyesë atë që është më i dijshëm se ai (në atë fushë). Unë nuk kam dhënë fetva derisa pyeta Rabian dhe Jahja ibën Seid dhe ata më urdhëruan për këtë gjë. Sikur të më kishin ndaluar nga kjo do të ndalohesha prej kësaj.”

Dhe ka thënë: “Kur shokët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i kishin të rënda disa mesele (çështje fetare) dhe nuk guxonte ndonjëri prej tyre të përgjigjej derisa të merrte mendimin e shokut të vet, me gjithë maturinë, pjekurinë dhe pastërtinë që kishin. Si është gjendja jonë me gjynahet që kanë mbuluar zemrat tona?!”

Dhe kur pyetej për ndonjë çështje (Imam Maliku), Allahu e mëshiroftë, bëhej sikur ishte përpara Xhenetit dhe zjarrit.

Thotë Ata ibën ebi Rabah: “Arrita disa njerëz që kur pyetej ndonjëri prej tyre, përgjigjej dhe trupi i dridhej (ndoshta nga frika prej Allahut).”

U pyet Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Cilat janë vendet më të këqija? Tha: Nuk e di derisa të pyes Xhibrilin. E pyeti atë dhe tha: Tregjet.”

Ka thënë Imam Ahmedi: Kush e ka parashtruar veten e tij ndaj fetvasë, e ka paraqitur atë përpara një çështjeje të madhe, veçse kur kjo është një gjë që nuk i ikën dot për shkak se është e domosdoshme.

U pyet Shabiu për diçka dhe tha: Nuk e di. I thanë: Nuk të vjen zor që pyetesh për diçka dhe thua: Nuk e di, – në një kohë që ti je fakihu (dijetari) i Irakut?! Tha: Engjëjt nuk patën turp të thoshin: “Ne nuk kemi dije veç asaj që Ti na mësove.”

Ka thënë njëri prej dijetarëve: “Mësoje shprehjen ‘Nuk e di’, sepse nëse ti thua ‘Nuk e di’ do të mësojnë derisa të dish, e nëse thua “E di” do të pyesin derisa të mos dish (e të dalë në shesh mosdija jote dhe të turpërohesh).

Thotë Utbeh ibën Muslim: E shoqërova Ibën Umerin 34 muaj, dhe shpesh ndodhte që të pyetej dhe të thoshte: Nuk e di.

Seid ibën el Musejib gati sa nuk kishte fetva që jepte dhe nuk thoshte diçka pa u lutur: “O Allah, më ruaj dhe ruaji prej meje!”

U pyet Imam Shafiu për një çështje dhe heshti. I thanë: A nuk po përgjigjesh? Tha: (Jo) Derisa ta di (ta pyes zemrën time) nëse është më mirë të përgjigjem apo të hesht.

Ka thënë Ibën ebi Lejla: Arrita 120 prej ensarëve prej shokëve të Profetit sal-lAllahhu alejhi ve sel-lem. Kur pyetej ndonjëri prej tyre për ndonjë çështje e kthente mbrapsht atë (refuzonte të përgjigjej).

“I’lamul muuekkiin” 4/217.

Përktheu: Emin Bilali

Dosje:

Loading...