Të gjitha qëniet i bëjnë sexhde Allahut por cila është natyra e kësaj sexhdeje?

September 27, 2022

Pyetje: Në suren El Haxh ajeti 18 Allahu i Lartësuar na tregon se të gjitha krijesat (qëniet) i bëjnë sexhde Allahut. Por cila është natyra e kësaj sexhdeje?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Ky univers dhe të gjitha qëniet e krijuara në të janë të nënshtruara ndaj Allahut, qoftë me zgjedhje apo me forcë. Besimtari e adhuron Allahun me zgjedhje dhe shpërblehet për adhurimin e tij. Ndërsa jobesimtari, edhe pse është larguar nga Zoti i tij duke mos e adhuruar Atë, qelizat e trupit të tij dhe çdo gjë në të e lavdëron dhe madhëron Allahun. Por për shkak se të kuptuarit dhe perceptimi ynë është i kufizuar, ne nuk jemi të vetëdijshëm për atë lloj madhërimi që këto qeliza i bëjnë Allahut dhe jemi të paaftë për ta kuptuar natyrën e këtij madhërimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë e madhërojnë të shtatë qiejt dhe toka dhe gjithçka që gjendet në to, dhe nuk ka gjë tjetër që nuk e lavdëron dhe falenderon Atë por ju nuk e kuptoni lavdërimin e tyre. Vërtet, Ai është i durueshëm dhe falë shumë.” [El-Isra: 44]

Kjo do të thotë se çdo qënie e krijuar është në gjendje të nënshtrimit ndaj Allahut dhe e adhuron Atë në një mënyrë të përshtatshme për situatën e saj. Dielli, hëna, yjet, pemët dhe kafshët janë të gjitha të nënshtruara ndaj Allahut dhe i përulen Atij, dhe të gjithë e adhurojnë Atë në mënyrën e duhur. Allahu thotë: “A nuk e sheh se kushdo që është në qiej dhe kushdo që është në tokë, dhe dielli, dhe hëna, dhe yjet, dhe malet, dhe pemët dhe ed-Devab [krijesat e gjalla, kafshët], dhe shumë njerëz i bëjnë sexhde Allahut. Por ka shumë (njerëz) të cilëve u është bërë hak dënimi. Dhe këdo që Allahu e poshtëron askush nuk mund ta nderojë atë. Vërtet, Allahu bën çfarë të dojë.” [El-Haxh:18]

“A nuk i kanë parë ata sendet që ka krijuar Allahu, se (si) hijet e tyre anojnë djathtas dhe majtas duke i bërë sexhde Allahut, e ata janë të përulur? Për Allahun bën sexhde gjithçka që është në qiej dhe në tokë, gjallesat dhe engjëjt dhe ata nuk tregojnë mendjemadhësi (d.m.th. e adhurojnë Zotin e tyre (Allahun) me përulësi).” [El-Nahl: 48-49]

Imam Ibn Kethiri ka thënë: Allahu po na tregon për fuqinë, madhështinë dhe krenarinë e Tij, sepse çdo gjë i nënshtrohet Atij dhe të gjitha sendet dhe krijesat përulen para Tij. Sendet e pajeta dhe kafshët, dhe ata që janë përgjegjës midis njerëzve dhe xhinëve, si dhe engjëjt. Allahu na tregon se çdo gjë që ka një hije që anon djathtas dhe majtas – d.m.th. në mëngjes dhe mbrëmje –  i bën sexhde Allahut.

Muxhahidi ka thënë: Kur dielli kalon zenitin e tij atëherë çdo gjë i bie në sexhde Allahut.

Allahu e ka vërtetuar se të gjitha qëniet i bëjnë sexhde Atij, dhe ka shpjeguar sesi disa prej tyre e bëjnë këtë sexhde me animin e hijes së tyre djathtas dhe majtas. Kjo do të thotë se jo çdo gjë bie në sexhde me shtatë pjesë të trupit që vlen vetëm për muslimanët. Sexhdja e të gjitha qënieve të tjera është në përputhje me natyrën në të cilën janë krijuar. Fakti që kjo sexhde është sexhde në kuptimin real tregohet nga kuptimi i dukshëm i tekstit, sepse nuk ka asnjë arsye të vlefshme për të mos e interpretuar tekstin ashtu siç duket prandaj duhet ta pranojmë. Kjo mbështetet edhe nga fakti se sexhdeja e diellit, hënës, yjeve, pemëve dhe kafshëve përmendet së bashku me sexhden e engjëjve dhe njerëzve, gjë që tregon se kjo është sexhde në kuptimin real për të gjitha qëniet e përmendura.

Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Sexhdja është një formë përuljeje, andaj sexhdeja që përfshin të gjitha krijesat nënkupton nënshtrimin dhe përuljen maksimale. Sepse çdo gjë e krijuar i nënshtrohet madhështisë së Tij dhe përulet përpara forcës dhe fuqisë së Tij. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë bie në sexhde njësoj si njerëzit, me shtatë pjesë të trupit duke e vënë ballin në tokë. Kjo lloj sexhdeje është vetëm për njerëzit. Disa kombe të tjera përkulen por nuk bëjnë sexhde dhe kjo është mënyra e sexhdes së tyre. Allahu thotë: “Dhe hyni në derë të përulur (ose duke u përulur me nënshtrim) dhe thoni: Kërkojmë falje.” [El-Bekare: 58]

Kanë thënë se kjo do të thotë të hyni në të duke u përkulur dhe disa prej tyre bëjnë sexhde anash si çifutët. Suxhud (sexhde) është një term i përgjithshëm, por për shkak se mënyra si muslimanët bëjnë sexhde është aq e njohur shumë njerëz mendojnë se kështu çdo gjë duhet të bëjë sexhden. Xhamiu’ er-Rasa’il, 1/27.

Gjithashtu ka thënë: Dihet se çdo gjë bie në sexhde sipas natyrës së saj, dhe sexhdeja e këtyre qenieve të krijuara nuk do të thotë se ata e vënë ballin në tokë. Mexhmu el-Fetaua, 21/284.

Kjo sexhde përfshin nënshtrimin dhe përuljen e këtyre qënieve të krijuara ndaj Allahut dhe dorëzimin e tyre ndaj zotërimit, fuqisë dhe sovranitetit të Tij.

Imam Ibn el-Kajjim ka thënë: “Ajo është sexhde e përuljes dhe e nënshtrimit, sepse çdo gjë i nënshtrohet zotërimit të Tij, përulet para fuqisë së Tij dhe i nënshtrohet sovranitetit të Tij.” Medarixh es-Salikin, 1/107.

Sexhdja e këtyre qënieve të krijuara është sexhde në kuptimin real ashtu siç i përket secilës prej këtyre qënieve. Pra, njeriu bën sexhde në mënyrën që i përshtatet, në mënyrën që dihet me shtatë pjesë të trupit. Dielli bie në sexhde në mënyrën që i përshtatet. Allahu thotë: “Dhe dielli ecën në rrugën e tij të caktuar për një afat (të caktuar). Ky është vendimi i të Gjithëfuqishmit, të Gjithëdijshmit.” [Ja-Sin: 38]

Pra, dielli bën sexhde në kuptim real siç i përshtatet diellit, por si i bën sexhde Allahut nën Arsh? Allahu e di më së miri se si ndodh kjo sexhde!

Në mënyrë të ngjashme thuhet për hënën, pemët, kafshët dhe të gjitha qëniet e tjera, se ato bëjnë sexhde në atë mënyrë që u përshtatet atyre. Ajo që duhet të bëjë besimtari është të mos lejojë që fakti se ai nuk e di se si këto qënie dhe krijesa bëjnë sexhde, ta pengojë atë të besojë në këtë sexhde. Por ai duhet të besojë në atë që i ka thënë Allahu për qëniet e tjera që i bëjnë sexhde Atij. Allahu e di më së miri!

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...