Të mësojmë nga historia jonë

El Harith ibn Miskin ka qenë një dijetar i madh i cili nuk pranoi të thoshte se Kurani është i krijuar, dhe për këtë u burgos nga pushtetari i asaj kohe Memuni. Kur në pushtet erdhi Xhafer el Muteuekil e liroi atë dhe e bëri gjykatës të Egjiptit. Tamam ashtu si bëri Allahu i Madhëruar me profetin Jusuf – alejhi selam – i cili pasi duroi sprovën e burgut u ngrit në rangun e ministrit të thesarit, sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë ligj: “Ne nuk ua humbasim shpërblimin vepërmirëve.” (Jusuf: 52)

Kur Imam Nesaiu përcjell hadithet që ka dëgjuar prej Harithit, nuk thotë “na ka thënë” e as “na ka treguar” siç thotë për mësuesit e tij të tjerë, por thotë: “Kemi dëgjuar prej tij kur të tjerët ja lexonin”.

Për këtë dijetarët kanë dhënë dy versione:

I pari: Harithi ishte gjykatës dhe mes tij dhe imam Nesaiut kishte pak ashpërsi, për këtë arsye ai nuk e lejonte të ulej në tubimet e tij. Prandaj, imam Nesaiu fshihej diku dhe dëgjonte prej tij pa e parë ai. Për këtë arsye u tregua i kujdesshëm dhe nuk tha “na ka thënë” e as “na ka treguar”, sepse kjo do të nënkuptonte sikur ai i ka folur drejtpërdrejtë gjë që s’është e vërtetë, por tha: “Kanë lexuar në prani të tij dhe unë e kam dëgjuar”.

Versioni i dytë: Harithi kishte diskutuar disa punë të pushtetarit dhe kur imam Nesaiu erdhi tek ai me një veshje që nuk ishte e njohur për banorët e atij vendi, ai mendoi se mos ishte ndonjë nga spiunët e sulltanit dhe nuk e lejoi të qëndronte në tubimet e tij. Për këtë arsye ai dëgjoi prej tij fshehtas, por u tregua i kujdesshëm kur i shënoi hadithet që dëgjoi prej tij në Sunenin e vet.

Kjo është këmbëngulja e kërkuesit të diturisë, sepse kush dëshiron diçka e gjen mënyrën ndërsa kush nuk e dëshiron gjen justifikimin. Kjo është devotshmëria e Imam Nesaiut dhe vërtetësia e tij në fjalë.

Allahu i mëshiroftë të gjithë dijetarët tanë të sunetit!