Tefsir i disa ajeteve nga surja Lejl

September 16, 2017

Thotë Allahu i Lartësuar në fund të sures Lejl:
17.“Dhe do të shmanget prej tij (Xhehenemit) më i devotshmi (më i qëndrueshmi në kufijtë e Allahut).”

  1. “Ai që e jep pasurinë e vet për t’u pastruar.” (Ai që jep sadaka dhe zekat për të pastruar shpirtin prej sëmundjes së koprracisë, si dhe për të pastruar pasurinë e vet prej çfarë i është bashkangjitur asaj prej haramit)
  2. “Dhe nuk ia jep pasurinë dikujt si shpërblim për një të mirë që i ka bërë.” (Jo për t’i kthyer borxhin apo për t’ia kthyer të mirën me të mirë, por e mirë që ai është nismëtar i saj pa shkak të mëparshëm, përveç se:
  3. “Vetëm për të arritur kënaqësinë e Zotit të Tij më të Lartit.” (Kënaqësia e Tij e cila shpërblimin më të madh ka shikimin në Fytyrën e Allahut, Krijuesit, në Xhenetet e Tij të Larta.)
  4. “Dhe ai do të kënaqet.”

I tilli do të kënaqet. A do të kënaqet në dynja duke pasur një jetë të lumtur në të? Apo do të kënaqet në ahiret kur të shikojë shpërblimin prej Allahut, Shpërblyesit më Bujar?

Do të kënaqet! E përgjithshme, e pakufizuar me njërën botë apo tjetrën, dhe shpërblimi kur vjen i papërcaktuar tregon për madhështinë e tij! Është shumë më i madh seç mund të përkufizohet! Do të kënaqet prej Allahut të Lartmadhëruar pasi Ai është kënaqur me veprën e tij, prandaj Ai do ta kënaqë ashtu siç di vetëm Ai ta kënaqë robin e Vet. Ai që ia di shumë mirë ndjenjat, kënaqësitë, lumturinë… Do të kënaqet!

Praktikisht si kuptohet ajeti i fundit? Me një shembull të thjeshtë:

Nëse ti i dhuron një muslimani të varfër një shumë parash, një shumë të atillë parash që për ty mund të jetë modeste por për atë është e atillë që gati sa mund t’i pushojë zemra nga kënaqësia dhe e bën t’i merret fryma, sepse i zgjidh një hall..! Çfarë ke bërë ti në këtë rast? Ti ke futur kënaqësi në zemrën e një njeriu, dhe Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – na ka njoftuar se vepra më e mirë është të fusësh kënaqësi në zemrën e muslimanit.

Ty të vjen shpërblimi prej Allahut sipas veprës, ti kënaq një rob të Allahut, Allahu të kënaq ty! “A është shpërblimi i të mirës diçka tjetër veçse e mira?!” (Rrahman: 60)
Automatikisht nga thellësia e shpirtit të tij do të dalë një lutje që asgjë nuk e ndal të ngrihet drejt më Bujarit! Por përsëri nuk është ky shpërblimi më i madh për veprën që ti ke bërë, ky është vetëm një shpërblim shtesë, shpërblim mbi shpërblimin e madh i cili është Kënaqësia e Allahut.

“Dhe ai do të kënaqet!”

Allahu na bëftë të këtillë! Amin!

Dosje:

Loading...