Telkini ndaj personit që është në momentet e fundit të jetës

January 5, 2019

Telkini ndaj personit që është në momentet e fundit të jetës

 [8]. Kur atij t’i jetë afruar vdekja del si detyrë për ata që gjenden rreth tij që:

  1. T’ia përkujtojnë shehadetin, bazuar në fjalën e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “U thoni atyre që janë në prag të vdekjes të thonë ‘la ilahe il lAllah’ – nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. [Kush ka si fjalë të fundit në prag të vdekjes fjalën ‘la ilahe il lAllah’, do të vijë një ditë që do hyjë në Xhenet. Edhe nëse para kësaj -hyrjes në Xhenet- e godet ajo që e godet.]” Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Telkini bëhet në kohën kur njeriu është në prag të vdekjes. Ndërsa telkini që bëhet pas varrosjes është bidat për shkak se nuk ekziston ndonjë hadith i saktë nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në lidhje me këtë.[1]
  2. Të bëjnë lutje për të dhe në prani të tij të thonë vetëm fjalë të mira, bazuar në fjalën e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kur të prezantoni te i sëmuri apo tek ai që është në prag të vdekjes, atëherë thoni vetëm fjalë të mira, sepse engjëjt thonë “Amin” për atë që thoni.

[9]. Për leximin e sures Jasin tek ai që është në prag të vdekjes nuk saktësohet asnjë hadith. Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Hadithi ku tregohet leximi i sures Jasin tek ai që është në prag te vdekjes nuk saktësohet.[2]

[10] Përsa i përket kthimit të tij në drejtim të Kibles dijetarët kanë mendime të ndryshme. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë se për këtë veprim nuk saktësohet ndonjë hadith, dhe se Seid bin el-Musejjib e ka urryer kthimin e të vdekurit në drejtim të Kibles duke thënë: “A nuk është i vdekuri musliman?!” Transmetohet nga Zurah bin Abdurrahman se ai ka qenë prezent te Seid bin el-Musejjib në sëmundjen e tij, e tek ai ishte edhe Ebu Seleme bin Abdurrahman. Seidi humbi ndjenjat kurse Ebu Seleme urdhëroi që shtrati i tij (Seidit) të kthehej në drejtim të Kibles. Kur Seidi erdhi në vete tha: “A e keni lëvizur shtratin tim?” Thanë: Po. Atëherë Seidi hodhi shikimin nga Ebu Seleme dhe tha: “Besoj se kjo është bërë me dijeninë tënde?” Tha: Unë i urdhërova t’a bënin një gjë të tillë. Atëherë Seidi urdhëroi që shtrati i tij të kthehej në vendin që ishte. Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: A lejohet kthimi i tij në drejtim të Kibles?

Ai (Allahu e mëshiroftë!) u përgjigj: Po. Një veprim i tillë është i pëlqyeshem tek dijetarët. Bazuar në fjalën e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Qabja është Kibla juaj kur jeni gjallë dhe kur të vdisni.”

[11]. I lejohet muslimanit që të jetë i pranishëm te jobesimtari që është në prag të vdekjes që t’a ftojë atë në Islam. [3] Bazuar kjo në hadithin e Enesit (radijAllahu anhu) se ka thënë: Një i ri çifut që i shërbente Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u sëmur. Profeti i shkoi atij për vizitë, u ul te koka e tij dhe i tha: “Bëhu musliman.” Djaloshi vështroi te babai i tij që gjendjej aty, i cili i tha: Bindju Ebul-Kasimit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), – dhe kështu ai e pranoi Islamin. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) doli duke thënë: “Falënderimet i takojnë vetëm Allahut i Cili e shpëtoi atë nga zjarri.” Kur djaloshi vdiq, Profeti (sal-l Allahu alejhi ue sel-lem) tha: “Faljani namazin e xhenazes shokut tuaj.”

 

Shejh Albani, Shejh Ibën Bazi dhe Shejh Ibën Uthejmini (Allahu i mëshiroftë).

Përktheu: Unejs Sheme

——————————————

[1] “Fetaua nurun ala ed-Derb” vëll. 6, “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 17, dhe “Fetaua suvalun alal-Hatif” vëll. 1.

[2] “Mexhmu fetaua ue mekalat”, vëll. 13.

[3] Kjo është dhe fjala e Shejh Ibën Bazit (Allahu e mëshiroftë). “Mexhmu fetaua ue mekalat”, vëll. 13.

Loading...