48/57 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed et-Tanafisij nga Uekiu, nga Sufjani, nga Suhejl bin Ebi Salih, nga Abdullah bin Dinar, nga Ebi Salih, nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Besimi është gjashtëdhjetë ose shtatëdhjetë e disa degë. Më e ulëta është largimi i pengesës nga rruga, ndërsa më e larta është fjala ‘la ilahe il lAllah’. Dhe turpi është degë e besimit.”[1]
49/58 (Sahih) Na ka treguar Sehl bin Ebi Sehl dhe Muhamed bin Abdullah bin Jezid nga Sufjani, nga Ez-Zuhrij, nga Salimi, nga babai i tij se ka thënë: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dëgjoi një burrë i cili po këshillonte (në formë kritike)[2] vëllanë e tij për turpin, dhe tha: “Me të vërtetë turpi është degë e besimit.”[3]
50/59 (Sahih) Na ka treguar Suvejd bin Seid nga Ali bin Mus’hir, nga El Eamashi, nga Ali bin Mejmun er-Rakij, nga Seid bin Meslemeh, nga El Eamashi, nga Ibrahimi, nga Alkameh, nga Abdullahu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai që ka në zemrën e tij mendjemadhësi sa kokrra e sinapit (mustardës). Dhe nuk do të hyjë në zjarr ai që ka në zemrën e tij besim sa kokrra e sinapit (mustardës).”[4]
51/60 (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Jahja nga Abdurrazaku, nga Ma’mera, nga Zejd bin Eslem, nga Ata bin Jesar, nga Ebi Seid el Hudrij se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur Allahu t’i shpëtojë besimtarët nga zjarri dhe ata janë të sigurtë, polemika e tyre për ndonjë të drejtë të tyre që kishin pa e fituar në dunja nuk do të jetë më e madhe se polemika e tyre me Allahun për vëllezërit e tyre të futur në zjarr. Tha: Do të thonë: O Zoti ynë! Vëllezërit tanë që faleshin me ne, agjëronin me ne, kryenin haxhin bashkë me ne i ke futur në zjarr. Do thotë (Allahu): Shkoni dhe nxirrni nga zjarri ata që njihni prej tyre. Ata shkojnë dhe i njohin nga fytyrat e tyre, ngase zjarri nuk i ha (djeg) fytyrat e tyre. Nga ata ka të atillë që zjarri e ka djegur deri në gjysmë të këmbëve të tij, prej tyre ka që zjarri i ka djegur deri te thembrat, kështu që i nxjerrin dhe thonë: O Zoti ynë! I nxorrëm ata që na urdhërove. Pastaj (Allahu) thotë: Nxirrni nga zjarri çdo kënd që ka në zemrën e tij besim sa pesha e dinarit, pastaj atë që ka në zemrën e tij besim sa pesha e gjysmës së dinarit, pastaj atë që ka në zemrën e tij besim sa grimca e kokrës së sinapit (mustardës).” Ebu Seidi tha: Kush nuk e beson këtë, atëherë le të lexojë: “Me të vërtetë, Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca,[5] madje nëse ajo (grimcë) është e mirë Ai e shumëfishon atë dhe jep shpërblim të madh[6] nga Vetë Ai.[7]” | En-Nisa: 40. [8]
52/61 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Uekiu, nga Hamad bin Nexhih (ka qenë i besueshëm), nga Ebi Imran el Xheunij, nga Xhundub bin Abdullah se ka thënë: “Ishim me Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem disa djelmosha pranë moshës madhore dhe ai na mësoi besimin para se të mësonim Kuranin. Më vonë na mësoi Kuranin dhe na u shtua me të besimi.”[9]
53/63 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Uekiu, nga Kehmes bin el Hasen, nga Abdullah bin Burajdeh, nga Jahja bin Ja’mer, nga Ibën Umeri, nga Umeri radijAllahu anhu se ka thënë: “Ishim ulur tek Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kur erdhi një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Në pamjen e tij nuk dukeshin shenja udhëtari dhe askush nga ne nuk e njihte. Ai u ul te Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, afroi gjunjët e tij, vendosi duart mbi gjunjët e tij[10] dhe pastaj tha: O Muhamed! Më trego çfarë është Islami? Tha (Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të kryesh haxhin në shtëpinë e shenjtë (Qaben). Njeriu i huaj tha: Të vërtetën the! Umeri tha: Ne mbetëm të habitur nga mënyra se si ai pyeste dhe vetë i miratonte fjalët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Më pas tha: O Muhamed! Më trego çfarë është besimi? Tha: Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat që Ai zbriti, të dërguarit e Tij, ditën e fundit, dhe të besosh daderin qoftë i mirë apo i keq.
Njeriu i huaj përsëri tha: Të vërtetën the! Umeri tha: Ne mbetëm të habitur nga mënyra se si ai pyeste dhe vetë i miratonte fjalët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Pastaj tha: O Muhamed! Më trego çfarë është ihsani? Tha: Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai me të vërtetë të shikon ty. Njeriu i huaj tha: Më trego kur do të ndodhë dita e gjykimit? Tha: I pyeturi nuk ka njohuri më shumë nga ai që pyet. Tha: Kush janë shenjat që lajmërojnë afrimin e saj? Tha: Do të ndodhë atëherë kur robëresha të lind zotërinë e saj. Uekiu tha: D.m.th. joarabët të lindin arabë, dhe kur të shikosh barinjtë e varfër, të zbathur e të leckosur të cilët ndërtojnë ndërtesa të larta. Pastaj tha: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem më takoi pas tri ditësh dhe më tha: A e di kush ishte ai që pyeste? Thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Tha (Profeti alejhi selam): Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë çështjet e fesë suaj.”[11]
54/64 (Sahih) Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh nga Ismail bin Ulejeh, nga Ibën Hijani, nga Ebu Zur’ah, nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: “Një ditë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte në mesin e njerëzve, kur atij i erdhi një burrë dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Çfarë është besimi? Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: Të besosh në Allahun, engjëjt e Tij, librat e zbritur (shpallur) prej Tij, të dërguarit e Tij, takimin me të dhe të besosh në ringjalljen në botën tjetër. Tha: O i Dërguar i Allahu! Çfarë është Islami? Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: Të adhurosh vetëm Allahun dhe mos t’i shoqërosh Atij asgjë në këtë (adhurim), të falësh namazin, të japësh zekatin obligativ dhe të agjërosh muajin e Ramazanit.” Tha: O i Dërguar i Allahut! Çfarë është ihsani? Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh Ai me të vërtetë të shikon ty. Tha: O i Dërguar i Allahut! Kur do të ndodhë Kijameti? Profeti sal-lAllahu allejhi ue sel-lem tha: I pyeturi nuk ka njohuri më shumë nga ai që pyet, por do të tregoj për shenjat e tij: Kijameti do të ndodhë atëherë kur robëresha të lind zotërinë e saj. Kjo është prej shenjave të Kijametit. Kur të shikosh barinjtë e varfër, të zbathur e të leckosur të cilët ndërtojnë ndërtesa të larta. Ndërsa pesë prej gjërave nuk i di tjetër kush përveç Allahut të Lartësuar.” Dhe i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lexoi: ” Pa dyshim, vetëm Allahu e di orën e caktuar. Ai e zbret shiun dhe e di ç’ka në barkun e shtatzënës. Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.”[12]
55/66 (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Beshar dhe Muhamed bin el Muthene, nga Muhamed bin Xhaferr, nga Shubeh, nga Katade, nga Enes bin Malik radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Askush[13] nuk beson derisa të dëshirojë për vëllanë e tij – ose ka thënë; për fqinjin e tij atë që do për veten e tij.”[14]
56/67 (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Beshar dhe Muhamed bin el Muthene nga Muhamed bin Xhaferr, nga Shubeh, nga Katade, nga Enes bin Malik se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Askush[15] nuk beson derisa unë të jem më i dashur tek ai se fëmija e tij, prindëri i tij dhe të gjithë njerëzit.”[16]
57/68 (Sahih) Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh nga Uekiu, nga Ebu Muauijeh, nga El Eamash, nga Ebi Salih, nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Nuk do të hyni në xhenet derisa të besoni dhe nuk keni për të besuar derisa të duheni (mes veti). A t’ju tregoj për diçka që nëse e veproni keni për t’u dashur mes veti? Përhapeni selamin mes jush.”[17]
58/69 (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Abdullah bin Numejr, nga Afani, nga Shubeh, nga El Eamashi, nga Hisham bin Amar, nga Isa bin Junus, nga El Eamashi, nga Ebi Uail, nga Abdullahi se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sharja e muslimanit konsiderohet fisk (mëkat i madh), ndërsa vrasja e tij kufër.”[18]
59/71 (Sahih ligajrihi)[19] Na ka treguar Ahmed bin el Ez’her nga Ebu en-Nedri, nga Ebu Xhaferr, nga Enesi, nga El Haseni, nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, të falin namazin dhe të japin zekatin.”[20]
60/72 (Sahih ligajrihi)[21] Na ka treguar Ahmed bin el Ez’her nga Muhamed bin Jusuf, nga Abdulhamid bin Behram, nga Shehr bin Hausheb, nga Abdurrahman bin Ganmi, nga Muadh bin Xhebel radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, të falin namazin dhe të japin zekatin.”[22]
Përktheu: Unejs Sheme
————————————————————–
[1] Muslimi 35, Ebu Daudi 4676, Tirmidhiu 2614, Nesaiu 5005, “Es-Sahihah” 1769, “Tahrixhul-iman” i Ibën Ebi Shejbeh 21/67 dhe “Tuhfeh” 12816.
[2] I thoshte që mos të ishte i turpshëm.
[3] Buhariu 24, Muslimi 36, Ebu Daudi 4795, Tirmidhiu 2615, “Er-rauda en-nedir” 513 dhe 743, dhe “Tuhfeh” 6828.
[4] Muslimi 91, Ebu Daudi 4091, Tirmidhiu 1998, “Islahul mesaxhid” 115, dhe “Tuhfeh” 9421.
[5] As sa pesha e një grimce; nuk ia mohon dhe nuk ia fshin askujt të mirën që ka bërë qoftë sa pesha e një grimce atomi, as nuk i shton mbi të këqijat që ka bërë qoftë sa një grimcë atomi. Madje nëse të mirat e njeriut avancojnë në peshë mbi të këqijat e tij qoftë vetëm sa një grimcë, Allahu e shumëfishon atë dhe i jep mirësi të madhe.
[6] Shpërblimi i madh është xheneti. Dijetari i madh Katade lexoi këtë ajet, pastaj tha: “Sikur të mirat e mia të avancojnë mbi të këqijat e mia me një grimcë peshe, kjo do të ishte më e mirë për mua se sa dynjaja me ç’ka ka në të.” [Taberiu]
[7] Nga bujaria dhe mirësia e Tij, më Bujarit, të Madhërishmit, Mëshirëplotit, Absolutit në cilësitë dhe veprat e Tij. Lusim Allahun të na përfshijë me mëshirën dhe bujarinë e Tij! Ai është Zoti ynë dhe tek Ai është kthimi!
[8] Buhariu 7439, Muslimi 183, Nesaiu 5010, dhe “Tuhfeh” 4178.
[9] “Tuhfeh” 3264.
[10] Umu Abdullah, vajza e shejh Mukbil el Uadij, thotë: E pyeta babanë tim në lidhje me hadithin që transmeton Muslimi 8 nga Umer bin el Hatabi radijAllahu anhu, i cili thotë: “Derisa një ditë po qëndronim te i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, papritur u shfaq një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Në pamjen e tij nuk dukeshin shenja udhëtari dhe askush nga ne nuk e njihte. Ai u ul pranë Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, afroi gjunjët e tij me të Profetit dhe vendosi duart mbi gjunjët e tij…” A i vendosi Xhibrili duart mbi gjunjët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem apo mbi gjunjët e tij?
Shejhu u pergjigj: Ai i vendosi duart mbi gjunjët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Them (Umu Abdullah): Allahu e mëshiroftë babanë tim dhe na bëftë dobi me dijen e tij. Ekziston një transmetim te “Sunenu en Nesai” 4991 me tekst: “… derisa ai vendosi duart mbi gjunjët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem…” Dijetari i madh shejh Albani në “Irvaul galil” vëll. 1, fq. 33, thotë: “Zinxhiri i tij është autentik.” Hafidh Ibën Haxheri në “Fet’hul Barij” në nr. 50 thotë: “Nga ky transmetim përftohet se përemri në fjalën “mbi gjunjët e tij” kthehet te Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”
[11] Muslimi 8, Ebu Daudi 4695, Tirmidhiu 2610, Nesaiu 4990, “Dhilalul Xhenneh” 120-127, “El irvau” 1/33-34, dhe “Tuhfeh” 10572.
[12] Buhariu 4777, Muslimi 9, Ebu Daudi 4698, Nesaiu 4991, “El irvau” 1/32/3, dhe “Tuhfeh” 14929.
[13] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman ëhstë أَحَدُكُمْ– ehadukum.
[14] Buhariu 13, Muslimi 45, Tirmidhiu 2515, Nesaiu 5016, “Es-Sahihah” 73, “Er rauda en nedir” 129, dhe “Tuhfeh” 1239. Hafidh Ibën Rexhebi në librin e tij “Xhamiul-ulumi uel-hikem” 1/306 thotë: “Hadithi i Enesit pohon se besimtarin duhet ta gëzojë ajo që e gëzon vëllanë e tij besimtar, dhe të dojë për të atë të mirë që dëshiron për veten e tij. E gjithë kjo arrihet kur zemrat janë të ruajtura nga mllefi, dredhia dhe zilia. E themi këtë sepse zilia e shtyn njeriun të urrejë faktin që dikush të jetë më sipër se ai për ndonjë vepër të mirë, apo të jetë në një gradë me të. Ai kërkon të dallohet nga të tjerët me vlerat e tij dhe të veçohet nga të gjithë me këto vlera, ndërsa imani kërkon të kundërtën; kërkon që të gjithë besimtarët ta shoqërojnë atë në mirësitë që i ka dhuruar Allahu, pa i lënë mangët asgjë.”
[15] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është أَحَدُكُمْ– ehadukum.
[16] Buhariu 15, Muslimi 44, Nesaiu 5013, dhe “Tuhfeh” 1249.
[17] Muslimi 54, Ebu Daudi 5193, Tirmidhiu 2688, “El irvau” 777, dhe “Tuhfeh” 12513.
[18] Buhariu 48, Muslimi 64, Nesaiu 4113, “Sahihul xhami” 3595, dhe “Tuhfeh” 9251.
[19] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është sahih muteuatir. Hadithi mutevatir është ai i cili përcillet nga një grup i konsiderueshëm transmetuesish, të cilët zakonisht është absurde të bashkohen në gënjeshtër dhe të cilin e adresojnë në diçka materiale.
[20] “Es-Sahihah” 407 dhe “Tuhfeh” 12259.
[21] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është sahih muteuatir.
[22] “Tuhfeh” 11340
Dosje: Dita e Gjykimit