Teprimi në dashuri dhe urrejtje

April 6, 2023

Prej gjërave negative në të cilat bien disa njerëz me vullnet të mirë është teprimi në dashuri ndaj disa personave, duke pranuar fjalët e tyre me dorëzim të plotë përpos disa rasteve të rralla, si dhe gjetja e justifikimeve për të legjitimuar gabimet e tyre sado të mëdha qofshin. Madje edhe duke bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh nga të këqijat e tyre, duke e vendosur kështu dashurinë për këtë person si të ishte pikërisht ajo e vërteta.

Në anën tjetër kemi të bëjmë me teprimin në urrejtje ndaj disa personave, hulumtimin e të metave të tyre duke i komentuar në formën më të keqe dhe duke harruar të mirat e tyre.

Kjo dashuri dhe kjo urrejtje është e pavlefshme dhe bie poshtë, sepse në këtë rast vlerësues është epshi dhe jo e vërteta. Cilido që ka zgjedhur këtë mënyrë nuk do të shohë sukses e as veprime të drejta, vetëm nëse largohet nga kjo rrugë djallëzore e cila i është zbukuruar dhe i duket e mirë.

Allahu i Lartësuar thotë: “A është ai që veprat e veta të këqija i duken të mira (si ai që është i udhëzuar në rrugën e drejtë)? Me të vërtetë, Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugën e drejtë kë të dojë.”[1]

Allahu e mëshiroftë shejhul islam Ibën Tejmijen, i cili në trajtimin e kësaj sëmundjeje u shpreh duke thënë: “Ka prej njerëzve që kur e do dikë i shpërfill të gjitha mangësitë e tij, ashtu sikurse ka prej tyre që kur e urren dikë i shpërfill të gjitha të mirat e tij. Kjo praktikë është bidat në fe, i ngjashëm me atë të Havarixhëve dhe Xhehmijve.”

Në një vend tjetër Ibën Tejmija, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ai që e paraqet një person (përveç të dërguarit të Allahut) në kuptimin se kush e do dhe bie dakort me të, kjo e bën pjesë të ehli sunetit dhe xhematit. Ndërsa ai që e kundërshton bëhet prej ithtarëve të bidatit dhe grupacioneve, siç ndodh rëndom tek ndjekësit dhe sektet e kokave të Kelamit. Duhet ditur se ai që vlerëson në këtë mënyrë konsiderohet prej ndjkesëve të bidatit, humbjes dhe përçarjes.[2]

Po ashtu shejhul islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Askujt nuk i takon t’i japë besën dikujt tjetër që të dakortësohet me të në çdo gjë që ai dëshiron, apo të përkrahë atë që ai përkrah dhe të urrejë atë që ai urren. Ai që vepron në këtë mënyrë është i llojit të Xhenkiz Hanit dhe ndjekësve të tij, të cilët e konsiderojnë mik dhe të afërm atë që bie dakort me ta, ndërsa cilindo që i kundërshton ata e konsiderojnë armik dhe të urrryer.”[3]

Po ashtu ka thënë: “U del detyrë të gjithëve të jenë bashkë me atë që mbron të drejtën dhe kundër atij që mbështet të kotën. Të nderojnë atë të cilin Allahu dhe i dërguari i Tij e kanë nderuar, t’i japin përparësi atij të cilit i ka dhënë përparësi Allahu dhe i dërguari i Tij, dhe të duan atë të cilin e do Allahu dhe i dërguari i Tij. Nga ana tjetër, ta konsiderojnë të pavlerë atë të cilin Allahu e ka zhvlerësuar. E gjithë kjo duke u bazuar në atë që do Allahu dhe i dërguari i Tij, dhe jo duke u mbështetur në dëshira dhe epshe.”[4]

Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.

Autor: Abdul Aziz Sed’han

 Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————

[1] Suretu Fatir: 8.

[2] “Mexhmu el fetaua” 3/347.

[3] “Mexhmu el fetaua” 28/16.

[4] “Mexhmu el fetaua” 28/17.

Loading...