Tërmetet e shumta janë shenjë e afrimit të orës së fundit

Shenja e katërmbëdhjetë e afrimit të orës së fundit të dynjasë

  • Tërmetet e shumta

Tërmetet janë prej shenjave të fuqisë së Allahut siç janë edhe; vullkanet, eklipset, stuhitë etj. Allahu i Madhëruar tregon në Kuran:
“Nuk i nisim shenjat (të cilat tregojnë për Fuqinë Tonë) veçse për frikësim.” Suretu El-Isra: 59.
Katade -Allahu e meshiroftë- thotë: Allahu i frikëson njerëzit me çfarëdo lloj shenje që do në mënyrë që ata të zënë mend, të kujtohen dhe të kthehen (tek Allahu). Kam dëgjuar se Kufja është dridhur njëherë në kohën e Abdullah bin Mesudit (radiallahu anhu) dhe ai ka thënë: “O njerëz! Zoti juaj po j’u qorton prandaj pranojeni qortimin e Tij.” E transmeton Taberiu.
Transmetohet nga Safije bint Ebi Ubejd se ka thënë: Ra një tërmet në kohën e Omerit (radiallahu anhu) aq sa u drodhën krevatet. Ibn Omeri (i shoqi i saj) ishte duke u falur dhe nuk ndieu gjë, dhe çdo kush që po falej në atë kohë nuk ndieu gjë. Omeri (radiallahu anhu) (që e kishte ndjerë tërmetin) ngrihet dhe u flet njerëzve: Keni devijuar rrugën profetike dhe përshpejtuat (dënimin). Safija thotë: Mbaj mend se ka thënë: Nëse do të kthehet (dridhja) do të dal (largohem) prej jush. E transmeton Bejhakiu.

Nga këto që thamë nxjerrim dy dobi:

E para: Shkaku i nisjes së shenjave nga ana e Allahut është shfaqja e gjynaheve, siç tha Omeri (radiallahu anhu): [Keni devijuar rrugën profetike dhe përshpejtuat (dënimin).]

E dyta: Brezat e parë të këtij umeti nxirrnin mësime prej shenjave të Allahut dhe i shoqëronin ato me pendim dhe nënshtrim para Allahut duke falur namaz.

Profeti (alejhi selam) thotë: “Dielli dhe hëna janë prej shenjave të Allahut (të fuqisë së Allahut), dhe atyre nuk u ikën drita për vdekjen dhe as për jetën e dikujt. Kur t’i shikoni se u iku drita bëni tekbire, lutjuni Allahut, faluni dhe jepni sadaka.” E transmeton Muslimi.

Ky namaz ndryshon nga namazet e tjera. Ai ka për çdo rekat dy ruku dhe dy sexhde dhe në të lexohet gjatë, siç transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Tregohet se Ibn Abasi (radiallahu anhu) i cili ishte prijësi i Basras në kohën e udhëheqjes së Aliut (radiallahu anhu) ka falur po të njëjtin namaz për shkak të tërmetit, dhe ka thënë: “Kështu është namazi i shenjave.” E transmeton Abdurrazak Es-San’ani.

Profeti (alejhi selam) njofton se kur të afrohet koha e fundit do të shtohen tërmetet. Ebu Hurejra (radiallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka për të ardhur ora e fundit e dynjasë derisa të ngrihet dija, të shtohen tërmetet….” E transmeton Buhariu.
Ibn Haxheri thotë: Shumë tërmete kanë rënë në vendet e veriut, të lindjes dhe të perëndimit, por për qëllim këtu janë tërmetet përfshirëse dhe të përhershme.

Këtë kuptim Ibn Haxheri e ka marrë nga dy hadithe të tjera të ardhura me këtë kuptim.
Në një hadith tjetër Seleme bin Nufeil Es-Sekuni (radiallahu anhu) thotë: Ishim të ulur te Profeti (alejhi selam) ndërsa atij ishte duke i zbritur shpallja, dhe tha: “Unë nuk do të rri gjatë mes jush, edhe ju nuk do të rrini pas meje veçse pak, Do të vini pas meje grupe-grupe duke vrarë njëri-tjetrin. Para orës së fundit do të ketë një vdekje masive dhe vite me tërmete.” E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson Sheih Albani.
Një hadith tjetër përmend vetëtimat (shkreptimat). Ebu Said El-Khudri (radiallahu anhu) thotë se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Do të shtohen vetëtimat kur të afrohet ora e fundit, derisa do të vijë njeriu tek një popull dhe do t’iu thotë: Kush është goditur nga vetëtima para jush? I thonë: Filani dhe filani.” E transmeton Hakimi dhe e saktëson sheih Albani.

Hadithi i parë tregon se do të jenë të përhershme se përmenden vitet dhe i dyti tregon se do të jenë përfshirëse të të gjitha vendeve se përmenden popujt.

 

Dr. Abdullah Nabolli