Thirrja për në rrugë të Allahut

May 12, 2010

Muftiu i Saudisë Shejhu i Nderuar Abdulaziz Ali Shejh

Me të vërtetë falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar, Atë falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. I lutemi Allahut të na ruajë nga të këqijat e veteve dhe punëve tona. Cilindo që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, askush nuk mund ta humbasë prej saj, dhe cilindo që Allahu e humbet  prej kësaj rruge, askush nuk mundet ta udhëzojë.

Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një,  të Vetëm e të Pashok, gjithashtu dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe lavdërimet e  Allahut qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij deri në ditën e gjykimit.

O ju njerëz! Frikësojuni Allahut me një frikë të sinqertë.

O robër të Allahut! Në dy librat më të saktë të hadithit transmetohet se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush thërret për tek një e mirë, ai do të fitojë dhe shpërblimin e atij që e bën atë të mirë.”

Ndërsa në të saktin e Muslimit transmetohet se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush thërret për në udhëzim, ai do të ketë shpërblimin e të gjithë atyre që do ta ndjekin, duke mos u pakësuar atyre asgjë nga shpërblimet që meritojnë. E ai që thërret për në humbje, ai do të ketë mëkatet e të gjithë atyre që do ta ndjekin, duke mos u pakësuar atyre asgjë nga mëkatet që meritojnë”

O ti musliman! Thirrja për në rrugë të Allahut është rruga që ndoqën profetët; “Thuaj; kjo është rruga ime e vënë në fakte të qarta e që unë thërras për tek Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje.”

Thirrja për tek Allahu është një moral për të cilin Allahu e ka urdhëruar këtë popull ta praktikojë, për arsye se ata janë njerëzit më të mirë të ardhur për të mirën e njerëzve.

Allahu i Madhëruar thotë: “Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja, të tillët janë ata të shpëtuarit.”

Thirrja për tek Allahu është domosdoshmëri për çdo musliman, sipas mundësive që ka. Muslimani i thërret të gjithë njerëzit për tek Allahu sipas mundësive që ka, për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Ti thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë, dhe polemizo me ata në mënyrën më të mirë.”

Thirrësi për në rrugë të Allahut është nga njerëzit më të sinqertë në fjalë, nga më të pastërtit në punë dhe me të ardhme më të mirë.

Allahu i Madhëruar thotë: “E kush është më fjalëmirë se ai që thërret për në rrugë të Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë; unë jam nga muslimanët.”

O populli islam! Thirrja në fenë e Allahut është rrugë e pashkëputur, sepse muslimani nuk mundet të shkëputet asnjëherë nga një vepër e tillë.

Muslimani i vërtetë thërret në fenë e Allahut me fjalët e tij, thërret në fenë e Allahut me moralin dhe veprat e tij.

Kështu ai ndikon tek njerëzit me fjalët e tij të qarta dhe të sinqerta, gjithashtu ndikon me moralin e tij të lartë e të mirë.

Me fjalët që thotë, ai është shembull i mirë për njerëzit dhe në të njëjtën kohë, është shëmbëlltyrë me sjelljen e tij të mirë.

Të vërtetën ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, dhe ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.”

Vëllai im musliman! Bëhu thirrës i përhershëm në rrugën e Allahut të Madhëruar. Thirrja për në rrugë të Allahut nuk është e kufizuar në ndonjë kohë, vend, ditë apo muaj, përkundrazi, një vepër e tillë është morali i të gjithë muslimanëve. A nuk e ke dëgjuar Allahun e Madhëruar kur thotë: “Betohem në kohën. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurtë. Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, porositën njëri-tjetrin ti përmbahen të vërtetës dhe këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”

Kur takoheshin muslimanët më përpara, i kujtonin njëri-tjetrit këtë sure e cila ka si temë kryesore këshillimin për t’iu përmbajtur të vërtetës, thirrjes për në të vërtetën dhe durimin në këtë gjë.

O ti musliman! Thirrësi për në rrugë të Allahut angazhohet me këtë vepër për shkakë të dashurisë që përmban zemra e tij për umetin.

Pra, ai dëshiron për popullin e tij musliman atë që dëshiron për veten e tij, dhe urren për ta atë që urren për veten e tij.

Ndienja që e shtyn për të thirrur në rrugë të Allahut është mëshira dhe keqardhja që posedon për ta, gjithashtu është dëshira e madhe që ata të udhëzohen dhe frika se mos i kaplon dënimi i Allahut.

Thirrësi për në rrugë të Allahut e do Allahun dhe të dërguarin e Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), pas kësaj i do robërit e Allahut besimtarë prandaj i thërret për të pasuar librin e Allahut të Madhëruar dhe traditën e të dërguarit të Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

Thirrësi për në rrugë të Allahut është i sinqertë në thirrjen që bën, nuk kërkon ndonjë post me veprën e tij apo ndonjë vend nderi në mesin e umetit.

Gjithashtu, nuk thërret me qëllim që të dëgjohet zëri i tij apo të njihet personaliteti i tij, përkundrazi, ai e bën thirrjen duke shpresuar atë që Allahu u ka premtuar thirrësave në rrugën e Tij të cilat janë shpërblimet dhe dhuratat më të mëdha.

O ti që thërret për në rrugë të Allahut! Thirrja për në rrugë të Allahut është thirrje me metodë të qartë dhe me domethënie transparente.

Thirrësi për në rrugë të Allahut pason hapat e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në thirrjen që bën.

Kjo thirrje e vërtetë, kjo thirrje e drejtë, kjo thirrje e qartë nuk është thirrje që posedon gjëra të dukshme dhe gjëra të fshehta, madje qëllimet e saj nuk janë qëllime politike apo qëllime vetjake për të krijuar grupe dhe xhemate, përkundrazi, ajo është thirrje për në të mira dhe udhëzim.

Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ishte i hapur dhe i qartë në thirrjen e tij, metoda e tij ishte shumë e qartë derisa armiqtë e kuptuan realitetin e thirrjes që bënte, madje kuptuan sinqeritetin e fjalëve që ai thoshte por Allahu udhëzon kë të dojë dhe humbet kë të dojë.

Thirrja e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) nuk ishte thirrje me dy anë, me anë të dukshme dhe të fshehta siç ndodhë me shumicën e thirrjeve të dyshimta, të cilat shërbejnë për qëllime dhe persona të ndryshëm.

Ajo është thirrje me metodë të qartë dhe rrugë transparente, gjë të cilën e kuptuan shumë mirë edhe armiqtë e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) por ajo që i ndaloi nga pasimi i saj ishte mllefi, Allahu në gjërat që vepron dhe cakton posedon urtësi të lartë.

A nuk e keni parë se si Ebu Sufjani para se të pranonte fenë i tregonte Hiraklit, mbretit të romakëve për metodën e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në thirrjen e tij kur u pyet nga Hirakli se; për çfarë iu urdhëron?

Ebu Sufjani u përgjigj duke thënë: Thotë; adhurojeni Allahun dhe mos i përshkruani shok Atij asnjë send, lërini ato që adhuronin baballarët tuaj. Gjithashtu na urdhëron që të falemi, të mbajmë lidhjet farefisnore dhe të jemi të ndershëm, (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

Pra, thirrja e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ishte e qartë në metodën dhe rrugën që ai ndiqte, derisa kishte momente kur Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) merrte pjesë nëpër festat e fiseve të ndryshme arabe, ua lexonte Kuranin dhe ua sqaronte thirrjen dhe metodën që do të ndiqte derisa e kuptonin të gjithë. Pas kësaj, dikush e pranonte e të tjerë e refuzonin, e gjithë kjo me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar.

O ti musliman! Qartësia është e nevojshme ashtu siç kërkohet dhe sqarimi, prandaj kini kujdes që thirrjet të mos jenë të dyshimta dhe të shërbejnë për qëllime e vepra të ndryshme, apo të diktohet nga klane të jashtme.

Për thirrësat në rrugë të Allahut që kanë jetuar në këtë umet, historia ka lënë lëvdatat më të mira e Allahu u ka lënë përkujtim të mirë tek ata që erdhën më pas.

Madje, kushdo që lexon historitë e tyre duke i shfletuar për të parë gjendjen e tyre, i lutet Allahut që ti mëshirojë ata sidomos kur vëren sinqeritetin, sqarimin e qartë dhe të vërtetë që kanë bërë, prandaj edhe ne lutemi duke thënë; Allahu qoftë i kënaqur me ta.

O ti musliman! Thirrja për tek Allahu nuk është e veçantë për një grup të caktuar njerëzish, por brengat e saj i mbartë çdo individ i këtij umeti, i cili duhet të thërrasë për në rrugë të Allahut sipas dijes dhe kuptimit që i ka dhënë Allahu.

O ti musliman! Duhet të thërrasësh për tek Allahu sipas diturisë dhe njohjes së fesë që posedon, por duhet të kesh parasysh diturinë në mënyrë që kjo thirrje të nisë me dije, sepse ai që nuk posedon dituri mund ti thërrasë njerëzit në injorancë.

Gjithashtu, është i domosdoshëm sinqeriteti dhe braktisja e syfaqësisë, ashtu siç kërkohet durimi dhe përballimi i vështirësive, apo qëndrueshmëria në këtë thirrje në mënyrë që njerëzit të kenë besim në thirrjen dhe mbartësin e saj.

O ti musliman! Muslimani duhet të thërrasë gjithmonë për në rrugë të Allahut, e gjithë jeta e tij duhet të jetë thirrje për në rrugë të Allahut.

Nëse shikon një musliman që vepron një bidat apo mëkat, në këtë rast duhet ta thërrasësh dhe ta këshillosh me qëllim që të largohet nga këto gabime në besim në të cilat ka rënë.

E gjithë kjo, duke i sqaruar atij argumentet nga libri i Allahut të Madhëruar dhe traditës së Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

Nëse vëren një person të mashtruar pas adhuruesve të varreve dhe fallxhorëve, e këshillon atë dhe i tërheq vërejtjen nga këta njerëz, duke i sqaruar se duhet të adhurohet vetëm Allahu e besimi i sinqertë duhet ti kushtohet vetëm Atij, dhe se çdo e mirë apo e keqe ndodhë vetëm me vullnetin e Allahut. Nuk duhet ti lutet askujt përveç Tij dhe se zemrat duhet të lidhen me Të; me dashuri, frikë dhe shpresë ndaj Tij.

Nëse vëren një musliman që nuk i kushton rëndësi namazit, atëherë tërhiqi vërejtjen nga ky mospreokupim dhe sqaroi pasojat e lënies së namazit, duke mos lënë anash sqarimin e rëndësisë që gëzon namazi në islam, sepse ai është shtylla e fesë dhe baza e dytë nga bazat e islamit.

Gjithashtu, i sqaron atij se ajetet kuranore dhe hadithet profetike e kanë kosideruar të dalë nga islami lënësin e namazit, madje i thua; kam frikë të vdesësh dhe ta takosh Allahun si lënës i namazit dhe i pa udhëzuar, Allahu na ruajt.

Nëse vëren tek një musliman pakujdesi në dhënien e zekatit, duhet ta kritikosh e ti thuash; vëlla, kjo pasuri është haku i Allahut të Madhëruar, prandaj jepe në mënyrë që të të largohet barra, të të shtohet dhe të të pastrohet pasuria.

Ki kujdes nga kopracia e cila mund të shkatërrojë fenë dhe dunjanë tënde.

Nëse vëren tek ai nenglizhim në çështjen e agjërimit apo haxhit, atëherë tërhiqi vëmendjen nga çdo lloj kundërshtimi në fe.

Nëse vëren tek ai mosrespekt dhe vrazhdësi ndaj prindërve, atëherë kritikoje për këtë krim të madh që po bën, në të njëjtën kohë tregoi shpërblimin, vlerën e respektit dhe bamirësisë ndaj tyre.

Nëse e shikon atë që nuk mban lidhjet farefisnore, në këtë rast duhet ta nxisësh për ti mbajtur lidhjet me të afërmit madje edhe ta afrosh me farefisin e tij.

Nëse shikon se fëmijët merren me dialogje dhe debate me baballarët e tyre, atëherë duhet ti thërrasësh për t’iu bindur Allahut të Lartësuar duke u sqaruar shpërblimin e bashkimit të lidhjeve farefisnore dhe bashkëpunimit, në të njëjtën kohë ti udhëzosh për t’iu bindur prindërve, ti udhëzosh prindërit që të sillen në mënyrën më të mirë me fëmijët, e kështu puna jote bëhet përmirësim në të mira për njerëzit.

Nëse grinden bashkëshortët, atëherë nëse ke mundësi duhet të pajtosh ndërmjet tyre e ti kthesh ujërat në rrjedhën e duhur, e gjithë kjo është thirrje për në rrugë të Allahut.

Nëse prezanton tubime në të cilat shtohen gabimet, tashethemet dhe përgojimi, atëherë këshilloi ata me urtësi dhe dituri e bëhu thirrje që në radhë të parë të shikojnë të metat e tyre, ti lënë të qetë të tjerët dhe gabimet e tyre.

O ti që thërret për në rrugë të Allahut! Nëse vëren tek muslimanët pakujdesi në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe mosndrojtje për të rënë në haram, atëherë këshilloji ata dhe përmendju Allahun në mënyrë që tu japin fund gabimeve.

Thirrësi për në rrugë të Allahut shkruan me lapsin e tij thirrjen të cilën dëshiron ta përhapë, ndërsa me zërin e tij përhapë të vërtetën që do të kumtojë. Kështu ai bëhet thirrës për në të mira dhe në udhëzim, duke e ndërtuar këtë thirrje mbi baza të shëndosha të dijes dhe njohurive fetare, dhe duke mos lënë pas dore mëshirën e cila duhet ta mbushë zemrën e tij kundrejt njerëzve, duke dashur për ta gjithë të mirat.

Në të kundërtën e kësaj qëndron një palë tjetër, Allahu na ruajt, të cilët janë thirrësat për në humbje, thirrësat për në gjëra të irrituara dhe imoralitet.

Janë pikërisht thirrësat për në mohim dhe kufër, janë ata që pengojnë njerëzit për të ndjekur rrugën e Allahut. Këta do të kenë si shpërblim gjynahet e tyre dhe gjynahet e atyre të cilët i larguan dhe i humbën nga rruga e Allahut, deri në ditën e gjykimit.

O populli islam! Ne nxisim për thirrje në rrugë të Allahut dhe tërheqim vërejtjen nga thirrja për në humbje dhe mjerime. Kur muslimani flet për këto gjëra i vjen keq, zemra i shtrëngohet dhe i mbushet me mllef dhe mërzi kur shikon stacione televizive të cilat sponsorizohen nga njerëz që numërohen, apo pretendojnë se janë muslimanë, apo mbajnë letërnjoftimin si muslimanë.

Disa prej këtyre stacioneve televizive të fëlliqura, përmbajnë mendime mohimi dhe të humbura, përhapin dyshime dhe gjëra të kota duke bërë thirrje për të ndjekur të pavërtetën, për ta lënë pas dore librin e Allahut të Madhëruar dhe traditën e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

Disa stacione të tjera thërrasin për në imoralitet dhe gjëra të shëmtuara, dhe që moralet islame të lihen pas shpine.

Pra, stacione të fëlliqura, madje është për të ardhur keq kur dëgjon se aty praktikohen gjëra të shëmtuara përpara teleshikuesve, pa asnjë pikë ndrojtjeje apo turpi.

Kjo është thirrje për gjëra të ulëta, thirrje për imoralitet, thirrje për tu çliruar nga çdo moral i lartë, thirrje për tu zhytur në gjëra të shëmtuara dhe për të braktisur çdo moral të mirë.

Sido qofshin këto stacione kriminele, në besime apo në imoralitet, nuk duhet të gëzohet me to një musliman që beson Allahun dhe botën tjetër, madje mund të themi se ato nuk i posedon ndonjë musliman që i frikësohet Allahut të Madhëruar dhe ndjen mbikqyrjen e Tij.

Gjithashtu, nuk kontribuon në to ndokush që beson se do të dalë përpara Allahut dhe do ta pyes për këtë pasuri se ku e ka shpenzuar!

A e ka shpenzuar në të mira, apo në të kota dhe në humbje?

A nuk frikësohen këta persona se mos i përfshin fjala e Allahut që thotë: “Ata që nuk besuan shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, madje ata do të mposhten. E ata që mohuan do të përmblidhen vetëm në xhehenem.”

Me të vërtetë, këto stacione që përmbajnë këto cilësi, janë; tregëti e humbur, shitblerje e dështuar, pasuri e shpenzuar pa dobi dhe gjynahe e mëkate.

Allahu i Madhëruar thotë: “Për ti mbartur në ditën e gjykimit mëkatet e tij të plota, dhe një pjesë të mëkateve të atyre që pa asnjë arsye i mashtruan dhe i humbën, sa e keqe është ajo me çka ngarkohen.”

Kur një djalosh apo vajzë hap këto stacione televizive dhe shikon krimin që bëhet aty, lënien pas dore të çdo morali të dobishëm, madje shikojnë imoralitetin dhe gjërat e ulëta bashkë me fjalët e fëlliqura, talljen me islamin dhe pasuesit e tij, talljen me Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe historinë e tij, ofendimin e thirrjes dhe metodës së tij, me të gjitha këto që përmendëm nuk mund të gëzohet kurrë një musliman që beson Allahun, Një të Vetëm dhe beson se Muhamedi është i dërguari i Allahut. Çfarë ndodhë në këtë rast?

Nuk ka mundësi që të gëzohet që këto stacione të jenë pronë e tij, apo të kontribuojë dhe të ndihmojë, sepse muslimani e lufton të kotën me gjuhën dhe veprën e tij, thërret për tek Allahu dhe nuk thërret për në humbje.

Le të ketë kujdes çdo njeri nga shkrimi i gjërave të kota apo përhapja e gabimeve dhe humbjeve, të llogarisë vetveten para se ta llogarisë Allahu ditën e gjykimit.

Një njeri që shkruan një artikull të shëmtuar në gazetë, duke luftuar me këtë ndonjë moral të lartë të islamit ose një nga parimet e islamit, apo tallet me ndonjë musliman, ky njeri le ta dijë se është thirrës për në humbje në masën e asaj që ka shkruar.

Ai që përhap ndonjë program, apo telenovelë që përmban sherr për islamin dhe ithtarët e tij, atëherë le ta dijë se është thirrës për në humbje.

Ai që shfaq në ekranin e televizionit çdo lloj fjale apo ndodhie që bie ndesh dhe lufton islamin dhe ithtarët e tij, le ta mësojë se është thirrës për në humbje.

Le të kenë kujdes muslimanët dhe ti frikësohen Allahut në vetet e tyre, sepse janë vetëm dy rrugë; ose thirrje për në të mira dhe udhëzim, ose thirrje për në humbje, Allahu na ruajt të gjithëve nga kjo gjë.

Gjithashtu, robi duhet të dijë se Allahu do ta gjykojë një ditë dhe do ta shpërblejë për pasurinë se ku e ka shpenzuar. Nëse e ka shpenzuar në të mira dhe për ta krenuar islamin, atëherë pasuria do ti qëndrojë përpara në peshoren e punëve të mira.

Në të kundërtën, nëse e ka shpenzuar atë në gjëra të kota, atëherë do ta takojë Allahun me përgjegjësi të mëdha për shkak të humbjeve që ka bërë.

Le të kenë kujdes muslimanët dhe të mos bëhen ndihmës të së kotës, por të gjitha mundësitë që kanë le ti shpenzojnë për në të mira.

Të drejtën thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Ndihmohuni mes vete në të mira dhe në të mbara, e mos u ndihmoni në mëkate e armiqësi. Frikësojuni Allahut se vërtetë, Allahu është Ndëshkues i fortë.”

Allahu më dhëntë mua dhe juve bereqet në Kuranin Famëlartë, dhe më dhëntë dobi mua dhe juve në ajetet përkujtuese dhe të urta që gjenden në të. Ua them këto fjalë duke kërkuar falje për gabimet nga Allahu i Madhëruar, për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët. Kërkoni falje dhe pendohuni tek Ai, vërtetë Ai është që fal shumë, është Mëkatfalës i madh.

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar, falënderime të panumërta, të bereqetshme dhe të mira, ashtu siç dëshiron dhe kërkon Zoti ynë. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, Një,  të Vetëm e të Pashok.  Gjithashtu, dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, paqja dhe lavdërimet e  Allahut  qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij deri në ditën e gjykimit.

Në një hadith të saktë Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush shfaq në islam një traditë të mirë, ai do të ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që punojnë me të deri në ditën e gjykimit.

Ai që shfaq në islam një traditë të keqe, ai do të ketë gjynahun e saj dhe gjynahun e atyre që do ta praktikojnë pas tij.”

Le të ketë kujdes muslimani nga shfaqja e gjërave të këqija, apo të qënit burim i çdo fatkeqësie. Le të bëhet muslimani burim i të mirave, udhëzimit, thirrjes për në rrugë të Allahut dhe kritikues në mënyrë që të mos kundërshtohen ligjet e Tij.

Me të vërtetë, nëse mediat televizive do të përdoren ashtu siç duhet për të përhapur fjalë të mira, thirrje në rrugë të Allahut dhe programe të dobishme, Allahu do të bëjë dobi me to pa kurrfarë problemi. Por, nëse njerëzit i shfrytëzojnë në mosbindje ndaj Allahut, si rrjedhojë nuk do të përdoren për udhëzim.

O ti musliman! U bëj thirrje edhe atyre që shkruajnë nëpër forumet e internetit, se këto forume të cilat përmbajnë mendime dhe rrugë të lloj-llojshme, të them para se të shkruash në ndonjë nga këto adresa; më parë frikësoju Allahut dhe shiko se çfarë do të shkruash! A do të shkruash këshilla, thirrje në të mira dhe këshilla kundër sherrit? Apo do të shkruash gjëra të shëmtuara, çrregullime, do të përhapësh fotografi të turpshme dhe filma të neveritshëm ku të kesh si qëllim tu bësh dëm muslimanëve me gjëra të kota?

Apo dëshiron të përhapësh ndonjë sharje, të meta që kanë njerëzit duke u cënuar nderin apo duke i sharë në nderin e tyre me qëllim që ti lëndosh ata? Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që lëndojnë besimtarët dhe besimtaret me gjëra që ata janë larg tyre, të tillët do të mbartin shpifjen që thanë dhe mëkatin e madh.”

Apo të mbash celularin me kamer me qëllim që tu bësh fotografi njerëzve, e me një mënyrë apo tjetër të bëhesh mjet kërcënues për këtë vajzë, derisa ta shpiesh në shoqërinë e të humburve, Allahu na ruajt.

Le të kënë kujdes muslimanët që të mos bëhen shejtanë apo ndihmës të shejtanit, thirrësa në të kota dhe gjëra të shëmtuara.

Le ti frikësohen Allahut në vetet e tyre dhe ta ruajnë nderin dhe turpin e muslimanëve, sepse ai që shfaq të turpshmet e vëllait të tij, Allahu do ti shfaqë patjetër të metat dhe të fshehtat e tij.

Le ti frikësohen muslimanët Zotit të tyre dhe të përqëndrohen në bindjen ndaj Tij.

Lus Allahun të na dhurojë neve dhe juve përqëndrim në të drejtën, të na bëjë thiirës për në të mira dhe udhëzim e të mos na bëjë thirrësa për në të këqija dhe humbje, vërtetë Allahu ka fuqi për çdo gjë.

Dijeni, Allahu iu mëshiroftë, se fjala më e mirë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më  i mirë është udhëzimi i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Punët më të këqija janë shpikjet në fe, çdo shpikje të shpie në humbje dhe çdo humbje të shpie në zjarrin e xhehenemit.

U këshilloj që të mbaheni me grupin e muslimanëve sepse dora e Allahut qëndron mbi xhematin (bashkimin), e ai që largohet nga xhemati largohet për në zjarr.

Bëni salauate (përshëndetje), Allahu u mëshiroftë, mbi robin dhe të dërguarin e Allahut, Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ashtu siç u ka urdhëruar Zoti juaj në librin e Tij, duke thënë: “Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e tij me madhërim e mëshirojnë të dërguarin. O ju që keni besuar, madhëronie atë dhe përshëndeteni me selam.”

O Zoti ynë, përmende robin tënd Muhamedin në parinë e lartë me të mira dhe jepi atij bereqet. O Zoti ynë, përfshiji në kënaqësinë tënde shokët e tij, prijësat e drejtë; Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, gjithë shokët e tij deri në ditën e fundit, na përfshi dhe neve në mëshirën dhe faljen Tënde o më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve.

O Zoti ynë, lartësoje islamin dhe muslimanët dhe poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmoje njësimin dhe njësuesit, bëje të qetë këtë vend dhe të gjitha vendet islame o Zoti i të gjitha botëve. O Zoti ynë, dhuro qetësi në vendet ku jetojmë dhe përmirësoi prijësat dhe ata që na udhëheqin, o Zoti ynë, jepu atyre sukses në gjërat që i bëjnë dobi islamit dhe muslimanëve, o Zoti ynë, na ruaj nga sprovat e dukshme dhe të padukshme, o Zot, jepi sukses prijësit tonë në gjërat që Ti je i kënaqur. O Zot, tregoja të drejtën të drejtë dhe jepi sukses që ta pasojë atë, tregoja të keqen të keqe dhe jepi sukses që ti largohet asaj, o Zot, jepi bereqet atij në jetë dhe në punë, jepi shëndet dhe ruaje nga çdo e keqe. Jepi sukses pasardhësit të tij në gjërat që të gëzojnë dhe drejtoje në punët dhe fjalët që thotë, bëji të gjithë ndihmëtarë në gjëra të mira dhe të dobishme, vërtet Ti ke mundësi për çdo send. O Zot, na fal neve dhe vëllezërit tanë besimtarë që ishin para nesh dhe mos lër në zemrat tona smirë për ata që besuan, Zoti ynë, vërtet Ti fal dhe je Mëshirues i madh.

Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetveteve tona e nëse nuk na fal e nuk na mëshiron, atëherë do të jemi të dështuar.

O Zot, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga zjarri.

O robër të Allahut! Vërtet Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi dhe ndihmë për të afërmit dhe ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna, iu këshillon me qëllim që të merrni mësim.

Përmendeni Allahun e Lartësuar në mënyrë që t’ju kujtojë, dhe falënderojeni për mirësitë e Tij që t’ua shtojë ato. Përmendja e Allahut është gjëja më e madhe, Allahu e di atë që veproni.

Përktheu Fatjon Isufi

Loading...