Feja jonë – për atë që e analizon me vëmendje – ndërtohet mbi tre themele, që janë: Njohja e Allahut të Madhëruar, njohja e fesë Islame me argumente, dhe njohja e Profetit Muhamed – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Allahu i Madhëruar është Krijuesi, i Cili meriton kulmin e dashurisë, frikës dhe shpresës, dhe kulmin e nënshtrimit.
Islami – me të gjitha rregullat e tij – nuk del nga këto suaza, sepse muslimani e do Allahun dhe frikësohet nga dënimi i Tij dhe, nëpërmjet zbatimit të rregullave që Ai ka vendosur shpreson të fitojë dashurinë e Tij, prandaj i nënshtrohet Zotit dhe iu bindet urdhërave të Tij, dhe ka frikë se nëse nuk e bën këtë meriton Zemërimin dhe dënimin e Tij, Allahu na ruajtë nga kjo.
Dhe Profeti Muhammed – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – erdhi për të na e përcjellë fenë islame me fjalët e tij dhe, praktikisht me mënyrën e jetesës së tij. Për këto arsye edhe pyetjet që do t’i bëhen njeriut në varr do të jenë këto të treja:
1.Cili është Zoti yt? (Kë ke adhuruar? Kujt i je nënshtruar? Para kujt e ke ulur veten? Kë ke madhëruar? Kujt i je lutur?)
- Cila është feja jote? (Çfarë rregullash ke pasur në jetë? Çfarë sjelljesh? Si ka qenë raporti yt me Allahun dhe si ka qenë raporti yt me njerëzit? Mbi cilin kod je mbështetur? Cili ka qenë manuali, udhëzuesi yt jetësor?) dhe e treta:
- Cili është ai burrë që është dërguar tek ti? (Kush të njohu me Allahun dhe me fenë e Tij? Si e adhurove atë Zot? Sipas tekave të tua, sipas mendjes tënde, sipas asaj që të dukej më e logjikshme, apo ashtu siç e adhuroi i Dërguari i Tij? Nëpërmjet kujt e morre vesh atë që donte Zoti yt prej teje dhe atë që e urrente?) Dhe nga hadithet më të çuditshme që kanë ardhur në këtë temë është ai që tregon se kur të pyetet për Profetin Muhammed – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, dikush prej njerëzve, sigurisht pabesimtari, do të thotë: Cili burrë? – do t’i thuhet – Muhamedi…. as emrin nuk ia kish dëgjuar…. sa i humbur… pasha Allahun vërtetë është i humbur ai njeri që jeton dhe nuk e njeh të dërguarin e fundit të Allahut në tokë, Muhamedin alejhisselam.
Sigurisht që jeta e Profetit tonë të dashur nuk është një nga ato biografitë e njerëzve të mëdhenj që na mahnisin me cilësitë e tyre të dalluara në ndonjërin prej aspekteve të jetës, apo në një fushë të caktuar të saj. Ajo është padyshim jeta më e bukur dhe më me vlerë, sepse me të vërtetë ai ishte njeriu me shpirt më të bukur, dhe jeta e tij ishte më e vlefshmja prej të gjitha jetëve, sepse thjesht, ai i shte njeriu më i madh që jetoi në tokë, nga Ademi e deri në Kijamet, krijesa më e mirë dhe më e dashur tek Allahu. Dhe kjo kuptohet qartë prej hadithit ku Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit dhe kjo nuk është mburrje” Nuk e thotë këtë për tu mburrur përpara njerëzve dhe as ishte ai njeri mburravec, i pastër ishte ai nga kjo cilësi e urryer. Përkundrazi ai ishte nga njerëzit më të thjeshtë, më modestë. Dhe për modestinë e tij tregon edhe ky hadith ku ai – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë: “Mos e teproni me mua ashtu siç e tepruan të krishterët me të birin e Merjemes, por thoni: rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij”[1] Mos më ngrini mua më lart seç jam, më lart seç duhet, duke e tepruar në cilësimin tim me lavde të tepërta. “thuaj unë jam njeri si ju, mua më shpallet..” (Kehf)
Dhe për fat të keq shumë muslimanë kanë rënë në këtë gabim. Disa muslimanë e përshkruajnë atë me fjalët: ‘Ti je dritë’, apo “Ti je krijesa e parë e Allahut”, apo se “di atë që është në “Leuhul mahfudh” (Pllakat e ruajtura).” Dhe fjalë të tjera të tepërta si këto, të cilat i hedhin poshtë tekstet fetare. Ai nuk është dritë siç thanë për të, por njeri siç thotë Allahu në Kuran. E ai – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – nuk është krijesa e parë, sepse vet Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – na ka sqaruar se krijesa e parë që krijoi Allahu i Lartësuar është lapsi, të cilit i tha: Shkruaj atë që do të ndodhë deri në Kijamet, por edhe ai është krijuar pas Arshit të Rrahmanit. Ndërsa për dijen e të fshehtës, historia që vijon e hedh poshtë edhe këtë lavd të tepërt për Profetin tonë – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Një herë në Medine një vajzë e vogël, recitoi disa vargje në prani të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe mes të tjerave tha: “Dhe në mesin tonë është një Profet i cili di çfarë do të ndodhë nesër” Dhe i Dërguari i Allahut e ndaloi duke i thënë: “Lëri këto fjalë dhe vazhdo me ato që po thoshe”.
Kurse disa të tjerë kanë shkuar aq larg në lavdërimin e tij saqë kanë shpikur edhe një hadith kudsij, ku gjoja Allahu i Madhëruar i thotë Profetit tonë të nderuar – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Sikur të mos ishe ti, sikur të mos ishe ti nuk do ta kisha krijuar universin” Hadith i shpifur, i cili e hedh poshtë fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për diçka tjetër veçse që vetëm Mua të më adhurojnë” (Dharijat: 56)
Dhe prej modestisë së tij të skajshme ishte se ai nuk pranonte që t’i ngrihej kush në këmbë dhe për këtë arsye ka thënë: “Kush dëshiron që t’i ngrihen njerëzit në këmbë le tia përgatisë vetes një karrige prej Zjarri”, prandaj edhe shokët e tij e dinin këtë gjë dhe, edhe pse e donin më shumë se vetet e tyre dhe e respektonin maksimalisht, përsëri nuk i ngriheshin në këmbë kur ai vinte. Kjo është dashuri e vërtetë, dashuri e cila shoqërohet me bindje ndaj tij. Bindje pa kushte ndaj sunetit profetik.
Sepse suneti, praktika profetike, dmth: ato që tha, veproi, dhe aprovoi i Dërguari i Allahut, nuk ishte një fe e re që e solli Lajmëtari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – që binte ndesh me Kuranin, e as shpikje e Muhamedit, por ai ishte shpallje që i shpallej prej Zotit të botëve, dhe sqarim dhe praktikim, dhe zbritje në vendin e duhur në jeten reale të ajeteve të Kuranit. Prandaj edhe Allahu i Lartmadhëruar në Kuran e quan sunetin “El hikmeh” (Urtësi): “Dhe që tua mësojë atyre Librin (Kuranin) dhe hikmen (urtësinë)” Përkufizimi i urtësisë është: Të vendosësh gjënë e duhur, në vendin dhe kohën e duhur, në masën e duhur.Kanë thënë edhe: Urtësi është kuptimi i Kuranit dhe i fesë në tërësi ashtu siç duhet. Dhe sigurisht ai që e kupton drejt Kuranin dhe e zbaton siç duhet ai me të vërtetë është i urtë, i mençur. Këtë bëri edhe i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, drejtësinë për të cilën urdhëroi Allahun i Madhëruar në Kuran e vuri në vendin e duhur. Butësinë e vuri aty ku duhej, dhe ashpërsinë aty ku duhej, dhe adhurimin e Zotit e bëri në mënyrën më perfekte të mundshme njerëzore. Prandaj nëse duam ta kuptojmë drejt, ashtu siç duhet Islamin dhe, të jetojmë me të në mënyrën që e do Allahu, e kemi të patjetërsueshme, të domosdoshme ta mësojmë mirë jetën e Profetit tonë fisnik, – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, fjalët, veprat, dhe moralin e tij.
Dashuria e vërtetë shoqërohet me bindje dhe pasim të atij që e do. A nuk e keni parë rininë – por jo vetëm – që i duan këngëtarët dhe sportistët e tyre se si përpiqen të vishen si ata, të sillen si ata, të jenë si ata? A nuk i thotë njeriu atij që e do: “Unë do të të ndjek qoftë edhe në fund të botës”? Kjo është dashuria e vërtetë, dashuri që e vërtetojnë veprat, jo thjesht pretendime. “Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua (kë të pasojmë? Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -. Cili është shpërblimi i kësaj?) që tju dojë juve Allahu dhe tju falë gjynahet tuaja” Prandaj ai që akoma nuk është bindur se suneti është prej themeleve të Islamit, le të bindet. Po ju pyes? A mundet Allahu i Madhëruar ta linte të humbiste dhe të zhdukej gjënë që Ai e ka bërë kusht për të fituar dashurinë e Tij? Sapo e thamë se pasimi i Profetit është kusht për arritjen e dashurisë së Allahut dhe për të fituar faljen e Tij. A mund të lihej në dorë të njerëzve ath ky sunet të cilin jemi urdhëruar ta pasojmë dhe të humbiste?! Absolutisht jo. Por Vet Allahu i Madhëruar, ashtu siç ka marrë përsipër ta ruajë Kuranin famëlartë, ashtu ka marrë përsipër të ruajë edhe shpjeguesin e tij dhe sqaruesin e tij, dhe konkretizuesin e tij, praktikën profetike. Pa të cilën shumë ajete Kurani do të ishin të pakuptimta, sidomos ajetet që flasin për themelet e Islamit, siç janë namazi, zekati, agjërimi, Haxhi etj.
Nga ana tjetër Allahu i Madhëruar i paralajmëron ata që i kundërshtojnë urdhrat e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, dhe i kërcënon duke thënë: “Le të bëjnë kujdes ata që e kundërshtojnë urdhrin e tij se mos i godet ata ndonjë sprovë, apo ndonjë dënim i dhembshëm” Prandaj dashuria dhe bindja ndaj Profetit tonë, e cila nga ana e saj është bindje ndaj Allahut, kërkon që ta njohim sunetin profetik gjithëmonë e më shumë dhe t’i kushtojmë rëndësi maksimale, dhe të ecim hapave të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – nëse duam të arrijmë dashurinë e Allahut dhe t’i shpëtojmë dënimit të Tij.
Nga cilësitë e karakterit dhe sjelljes së tij është edhe ajo që përmend Allahu i Madhëruar në Kuran ku thotë: “Me mëshirë prej Allahut ti u tregove i butë me ta, e sikur ti të ishe vrazhdë me zemër të ngurtë ata do të ishin arratisur prej teje” Ali Imran: 159.
Le të shikojmë tani disa shembuj të butësisë së tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!
Thotë sahabiu me emrin Muauijeh ibnul Hakem es Sulemij – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – siç ka ardhur tek “I sakti i Muslimit”: “Një herë kur po falesha me të Dërguarin e Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – , një burrë (prej namazlive) teshtiu, dhe unë i thashë: Jerhamukall llah! Atëherë njerëzit filluan të më qortonin me vështrime, dhe unë u thashë: ‘Mos më pastë nëna! Çkeni që më shikoni ashtu?! (Po fliste në namaz) – ath ata filluan të godisnin kofshët e tyre. – Pastaj e kuptova se ata donin që unë të mos flisja dhe unë heshta. Pasi u krye namazi, i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – , flijofsha për të nënën dhe babën, nuk kam parë para tij e as pas tij mësues më të mirë (edukues më të mirë) se ai. Pasha Allahun as nuk më qortoi, as më rrahu, e as më shau, por tha: “Ky është namaz, dhe nuk bën që të flitet në të diçka prej fjalëve të njerëzve. Por në të duhet të ketë tesbih (thënia subhanallah), tekbir (Allahu ekber) dhe lexim të Kuranit….” Ky sahabij ishte i padijshëm, sapo kishte dalë nga injoranca, ashtu siç sqaron vazhdimi i hadithit, prandaj Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – u tregua i butë me të. Prandaj edhe ne, nëse duam të jemi të suskesshëm në ftesën tonë, e kemi detyrë të mësojmë prej sjelljes së Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe të kemi durim dhe të jemi të butë me ata që vijnë për herë të parë në xhami, apo që janë fillestarë në fe. Dhe sjellja e kundërt, dmth ashpërsia është e ndaluar sepse ajo bëhet shkak për largimin e njerëzve nga feja.
Po ashtu butësia e tij me të padijshmin, me beduinin që urinoi në xhami.
Dhe ashpërsia e tij me atë që kishte dituri dhe shtrëngonte në fe. Muadhi falej te lagjia e tij dhe u kendonte sure te gjata, dhe njerezit te lodhur nga punet e ditës nuk e perballonin dot këtë namaz të gjatë, dhe njeri prej tyre kur Muadhi filloi te kendonte sure te gjata dha selam dhe doli nga namazi dhe u fal vetem. Njerëzit thane per te: Ai eshte dyfytyrësh! Kjo fjale i erdhi ne vesh atij djalit dhe shkoi e iu ankua Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – per gjatesine e namazit te Muadhit dhe Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – u zemerua dhe i tha: “Fitnexhi je ti o Muadh”? (Përse u bëhesh sprove njerëzve ne namazin e tyre) Dhe e porositi që të kendonte sure me te shkurtra, si surja shems, lejl etj si ato.
Ngjarja tjeter eshte ajo që ka ndodhur me ate sahabin i cili ishte goditur ne koke dhe u gdhi xhunub, dmth duhet te merrte gusl. Pyeti disa nga shoket e tij, u tha: A ka ndonje lehtesim per mua? Që të marr tejemum psh, pstrimi simbolik me dhe – i thanë: Jo s’ka lehtesim per ty, duhet patjeter te marresh gusl. Ai morri gusl, dhe ajo i shkaktoi vdekjen. Kur e morri vesh ndodhine e tyre Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – shume i zemeruar tha:
“E vranë i vraftë Allahut, përse nuk pyetën kur nuk dinin.” I ashpër sepse me injorancën e tyre shkaktuan vrasjen e muslimanit. I ashpër sepse ai që nuk di dhe flet në fenë e Allahut me injorancë e shkatërron fenë, edhe pse xhelozia e tij ndaj fesë mund të jetë e madhe. Sepse kjo fe ngrihet me dituri dhe punë të dobishme që burojnë prej saj e jo me emocione. Allahu na përmirësoftë të gjithëve.
Profeti ynë – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë, duke na sqaruar një pjesë të misionit të tij, përveç atij më të madhit: Largimin e njerëzve nga idhujtaria, thotë: “Unë jam dërguar të përsos moralet e larta” Morali është sjellja. Unë jam dërguar që të përsos sjelljen e njerëzve me Krijuesin e tyre, dhe të përsos sjelljet e tyre mes tyre.
Dhe ai në këtë pikë si në çdo aspekt tjetër, na dha shembullin e vet më të lartë. Kujdesej për ndjenjat e gruas, ia bënte qejfin asaj, ashtu siç bëri me Aishen. Kur po ktheheshin nga një udhëtim, ai i urdhëroi shokët e vet të iknin përpara dhe i tha Aishes: A bëjmë një garë me vrap. Argëtim i lejuar i bukur me gruan. Kur ishte në shtëpi i vinte në ndihmë familjes, bënte punët e shtëpisë: milte dhinë, qepte kepucët e veta etj.
I durueshëm, tolerant në kulm, me shpirt të madh e kraharor të gjerë. Historia e engjëllit të maleve…
Nuk ishte njeri që bërtiste nëpër tregje, as mallkues, e as gojëprishur. Një herë i kërkuan të mallkonte një fis prej arabëve që quhej Deus. atëherë ai ngriti duart dhe njerëzit menduan: U shkatërrua ky fis, por ai – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – u lut: “O Allah udhëzoje fisin Deus, dhe silli ata pranë nesh”.
[1] Sahih, “Mukhtesar esh shemail el muhammedijeh”, nr: 284.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve