Tregtarët e pandershëm

November 23, 2022

Bera’ bin Azib radiAllahu anhu transmeton se Profeti salAllahu alejhi ue selam ka thënë:
”Padyshim që tregtarët në ringjallje do të konsiderohen njerëz të pandershëm dhe të prishur, përveç atyre që e kanë pasur frikë Zotin, kanë qenë bujarë dhe të sinqertë.”
Transmeton Tirmidhiu me nr. 1210, dhe “Silsile sahiha” me nr.1458.
Mubarekfuri Allahu e mëshiroftë, në shpjegimin e Tirmidhiut thotë:
“… përveç atyre që e kanë pasur frikë Zotin …” d.m.th. që nuk bëjnë gjynahe në tregti qofshin të mëdha apo të vogla, nuk mashtrojnë dhe nuk janë të pandershëm.
“… kanë qenë bujarë …” d.m.th. që i kanë toleruar njerëzit në tregtinë me ta për shkak të mirësisë që i karakterizon.
“… të sinqertë …” d.m.th. që janë besnikë dhe thonë të vërtetën kur flasin dhe kur betohen.
Kadij, Allahu e mëshiroftë, thotë:
”Janë konsideruar të prishur për shkak se zakoni i tregtarëve është mashtrimi në tregti, përpjekja për promovimin dhe shitjen e mallit të tyre me çdo lloj mënyre, qoftë dhe me betime të rrejshme. Janë veçuar prej tyre ata që i ruhen haramit, që janë të ndershëm, janë të sinqertë në betime dhe në fjalë.”
Për shkakun e konsiderimit të tyre si të pandershëm, të poshtër dhe të prishur, është se ata përlyhen me betime të rrejshme dhe me thyerjen e premtimeve.
Për këtë tregon dhe hadithi i transmetuar nga Abdurrahman bin Shibl, nga Profeti salAllahu alejhi ue selem që ka thënë:
”Padyshim që tregtarët janë njerëz të prishur! I thanë: O i dërguar i Allahut, a nuk e ka lejuar Allahu tregtinë? Tha: Patjetër që e ka lejuar, por ata kur flasin gënjejnë, betohen rrejshëm dhe bien në gjynahe.”
Gjithashtu duhet ditur se tregtia është nga mundësitë më të mira për të ardhura dhe fitim për njerëzit e ndershëm dhe bujarë. Tregtari i ndershëm dhe i sinqertë ka shpërblime të mëdha nga Zoti i gjithësisë.
Në një hadith të transmetuar nga Ebu Seid el Hudrij radiAllahu anhu, Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
”Tregtari i ndershëm e i sinqertë do të jetë me profetët, me besnikët dhe dëshmorët.”
Transmeton Tirmidhiu me nr. 1209.
Hoxhë: Mirandi Shehaj
Loading...