Tregimi i një burri që kërkonte të vërtetën

Tregimi i një burri që kërkonte të vërtetën

 

Ibën Is’haku (Allahu e mëshiroftë!) shënon transmetimin që tregon për Selman El Farisiun (radijAllahu anhu) dhe për udhëtimin që ai ndërrmori në kërkim të së vërtetës. Atë e transmeton Ibën Abbasi (radijAllahu anhu) i cili thotë: “Na ka treguar Selman El Farisiu…, e kam dëgjuar nga goja e tij të thotë:

“Isha një djalosh persian nga Isfahani[1]; nga fshati “Xheja”. Babai im ishte kryetar i fshatit, më i pasuri ndër ta dhe më autoritari.  Isha krijesa më e dashur pë të që prej ditës kur u linda dhe kjo dashuri sa vinte e shtohej me kalimin e kohës, derisa nga frika se mos më ndodhë diçka e keqe më detyronte të qëndroja në shtëpi ashtu siç rrinë vajzat.

Isha adhurues i zjarrit dhe shumë i përkushtuar në fenë e popullit tim. Aq i përkushtuar isha saqë m’u besua ndezja e zjarrit dhe përkujdesja që ai të mos fikej asnjëherë, as ditën as natën.

 

Babai im kishte një kopësht të madh, nga i cili merrnim prodhime të shumta. Një ditë prej ditësh babai ishte i zënë me punë të tjera, të cilat nuk ia mundësuan shkuarjen në fshat tek kopështi ynë. Ai më tha:  “Biri im! Unë nuk mund të shkoj në kopësht për shkak se jam i zënë me punë të tjera. Shko ti sot atje dhe kujdesu për të.”

 

– Pastaj më la porosi disa punë që duhet t’i kryeja atje, e pastaj tha: ‘Bëj kujdes se mos të ndodh ndonjë e keqe dhe mos u vono, se ti e di që meraku im për ty është shumë më i madh sesa meraku që kam për kopështin dhe se unë nuk jam i qetë derisa të kthehesh në shtëpi’.

 

Duke shkuar rrugës, kalova pranë një kishe të të krishterëve, nga e cila vinin disa zëra të atyre që luteshin në të. Kjo më bëri shumë çudi! Nuk dija asgjë për të krishterët apo për besimtarët e feve të tjera për shkak të periudhës së gjatë që kisha jetuar i mbyllur në shtëpi dhe për shkak se pothuajse i kisha ndërprerë kontaktet me njerëzit. Kur i dëgjova zërat e tyre, hyra brenda në kishë që të shihja. Pas një meditimi të gjatë më pëlqeu mënyra e lutjes dhe lakmova fenë e tyre dhe thashë: ‘Për Zotin kjo fe është më e mirë se feja jonë.’

 

Betohem në Allahun se nuk u ndava prej tyre deri në mbrëmje dhe nuk shkova te kopështi i babait tim. Pastaj i pyeta ata: – Ku është burimi i kësaj feje? Më thanë: – Në Sham (Siri). Në mbrëmje u ktheva në shtëpi tek babai, i cili ishte bërë merak dhe kishte dërguar njerëz të më kërkonin.

Kur më pa se isha mirë, u qetësua dhe filloi të më pyeste se ç’kisha bërë. Unë iu përgjigja: “O babai im! Rrugës për në kopështin tonë kalova pranë një kishe në të cilën luteshin disa njerëz. Zërat e tyre tërhoqën vëmendjen time dhe hyra brenda. Lutjet e tyre më pëlqyen dhe aty qëndrova derisa perëndoi dielli.”

Babai u tmerrua nga veprimi im dhe më tha: “O djali im! Në fenë e tyre nuk ka asgjë të mirë! Feja jote dhe e baballarëve të tu është më e mirë se ajo.”

Unë ia ktheva: “Jo, për Allahun, feja e tyre ishte më e mirë se feja jonë.” Babai im u frikësua prej kësaj që thashë dhe pati frikë se do ta braktis fenë e tij. Prandaj më burgosi në shtëpi dhe m’i lidhi këmbët që të mos kisha mundësi të largohesha.”

 

Menjëherë sapo mu dha mundësia i lajmërova të krishterët: “Nëse shkon ndonjë karvan për në Sham, më lajmëroni.” – Pa kaluar shumë ditë arriti tek ata një karvan tregëtarësh të krishterë që shkonte për në Sham. Më lajmëruan për këtë dhe unë iu thashë: ‘Kur të kenë mbaruar punë dhe të bëhen gati për t’u larguar, më njoftoni’.

 

Vërtet ashtu ndodhi, kur karvani po përgatitej për t’u larguar më njoftuan. Unë shpejt e shpejt i zgjidha këmbët, iu bashkova atyre dhe u nisëm në udhëtim derisa arritëm në Sham.

 

Kur arrita atje, pyeta: – “Kush është njeriu më i ditur i kësaj feje?” Ata u përgjigjën: ” Ai është peshkopi (kryeprifti).” – Shkova tek ai dhe i thashë: “Unë e pëlqeva krishterimin dhe dëshiroj të të shoqëroj ty, të jem në shërbimin tënd, të mësoj prej teje dhe të lutem me ty.”

 

Ai më tha: “Mirë se erdhe!” – Qëndrova tek ai dhe fillova të punoj si shërbëtor. Nuk kaloi shumë kohë dhe kuptova se ai ishte njeri i keq. I urdhëronte besimtarët të jepnin lëmoshë dhe u premtonte shpërblime të mëdha, mirëpo, prej asaj që ata i jepnin, ai nuk u jepte të varfërve dhe nevojtarëve, por i ruante për vete, derisa kishte grumbulluar shtatë qypa me ar e argjend.

Kjo sjellje e tij më bëri ta urrej. Nuk vonoi dhe ai vdiq. Të krishterët u mblodhën për ta varrosur, e unë u thashë atyre: Njeriu, për varrosjen e të cilit jeni mbledhur ishte njeri i keq! Ai ju urdhëronte të jepnit lëmoshë dhe paratë i ruante për vete dhe nuk u shpërndante asgjë të varfërve.

Ata më pyetën të habitur:  “E përse duhet të të besojmë ty?!” – Unë ua ktheva:

“Për ta vërtetuar këtë, po ju shpie te thesari i tij.” I çova ata tek vendi ku prifti mbante pasurinë e grumbulluar padrejtësisht dhe prej aty i nxorën shtatë qypa të mbushur plotë ar e argjend.

 

Kur e kuptuan se sa njeri i keq kishte qenë, thanë: ” Për Zotin, nuk do ta varrosim!” Pastaj e gozhduan atë në një vend publik dhe e gjuajtën me gurë. Pas pak kohe, në vend të tij zgjodhën një njeri tjetër. E shoqërova edhe atë dhe nuk kisha parë njeri më modest se ai,  më kërkues për botën tjetër, e as më të devotshëm. Ai lutej natën dhe ditën. E desha shumë dhe me të kalova një kohë të gjatë. Para se të vdiste i thashë: “Të lutem, te kush më këshillon të shkoj pas teje?” Ai u përgjigj: “O djalosh! Nuk di të gjendet ndonjë njeri si unë në këto anë. Njerëzit kanë ndryshuar, janë larguar nga besimi i drejtë dhe kanë devijuar, përveç një njeriu i cili jeton në Mosul. Ai është filan njeri, dhe është njeri i devotshëm e i ditur, prandaj shko tek ai dhe mos iu ndaj!”

 

Pasi vdiq shoku im, iu bashkangjita atij njeriu në Mosul. Kur arrita tek ai, i rrëfeva tregimin tim dhe i thashë: “Filani më këshilloi para se të vdiste që të të shoqëroj dhe më tregoi se ti je besnik dhe i përmbahesh parimeve të fesë.” Atëherë ai më tha: “Qëndro këtu tek unë!”

 

U vendosa tek ai dhe vërejta se sjelljet dhe veprat e tij ishin të denja për çdo lëvdatë. Por, ai ishte në moshë të thyer dhe nuk shkoi shumë kohë dhe ndërroi jetë. Por, para se të vdiste, e pyeta: “O filan! Po shoh se ti po ndahesh nga kjo botë e po kalon në jetën e amshueshme dhe ti e di gjendjen dhe hallin tim. Te kush më këshillon të shkoj pas teje?” Ai me dhembje m’u drejtua duke më thënë: “O djalosh! Për Zotin, nuk di të ketë njeri në këto anë sikurse unë, përveç njërit në “Nasibin”, e ai është filani. Shko tek ai.”

 

Pasi e varrosëm shokun tim, unë shkova në “Nasibin”. I tregova atij njeriu tregimin tim dhe për porosinë e shokut tim, e ai më tha: “Qëndro tek unë.”

 

U vendosa aty dhe vërejta se veprat dhe sjelljet e tij ishin sikurse të dy shokëve të tij të mëparshëm. Por, nuk shkoi shumë kohë, e edhe atij i erdhi vdekja. Para se të kalonte në jetën e amshueshme e pyeta: “Ti e di hallin tim. Filani më këshilloi të shkoja te filani, e pastaj ky tjetri më këshilloi të vija tek ti. Po ti, te kush më këshillon të shkoj pas teje? Ai m’u drejtua me këto fjalë: “O djalosh! Për Zotin, unë nuk njoh njeri që është në gjendjen në të cilën isha unë, me përjashtim të njërit në Amurije, e ai është filani. Të këshilloj të shkosh tek ai.”

 

Shkova në Amurije tek ai dhe i tregova për hallin tim, dhe ai më tha:  “Qëndro tek unë!” – U vendosa aty dhe betohem në Allahun se ishte në rrugën e shokëve të tij. Gjatë qëndrimit tek ai, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet që i kisha bërë, m’i kishte dhuruar disa lopë dhe dhurata të tjera. Nuk kaloi shumë kohë e edhe atë e gjeti ajo që i kishte gjetur shokët e tij të mëparshëm. Por, para se të vdiste, e pyeta:

 

“Ti e di hallin tim. Filani më këshilloi të shkoja te filani, e pastaj ky tjetri më këshilloi të shkoja te filani, ndërsa ky i fundit më këshilloi të vija tek ti. Po ti, te kush më këshillon të shkoj pas teje, dhe si të veproj?”

 

Ai më tha: “O djalosh! Betohem në Allahun se nuk di të ketë mbetur njeri në sipërfaqen e tokës që i përmbahet asaj që ne i përmbahemi… Mirëpo është afruar koha e ardhjes së një Profeti në tokat e Arabisë, i cili do ta mbartë mbi supet e tij fenë e Ibrahimit, pastaj do të shpërngulet prej vendlindjes së tij në një vend ku ka shumë hurma dhe ai ka shenja të cilat nuk mund të fshihen; Ai e pranon dhuratën, por jo edhe lëmoshën dhe midis dy shpatullave të tij mban vulën e profetësisë. Nëse ke mundësi të arrish në atë vend, të këshilloj të shkosh atje.”

 

Nuk kaloi shumë kohë dhe shoku im ndërroi jetë. Unë qëndrova një kohë në Amurije, derisa aty kaloi një karvan tregtarësh arabë të fisit “Kelb”. U thashë atyre: “Nëse më merrni deri në tokat arabe, do t’ju jap lopët dhe këto dhurata.”Ata më thanë:- “Po, do të të marrim.”

 

Ua dhashë ato dhe më morën, por kur arritëm në vendin e quajtur “Uadil Kura”, më tradhtuan dhe më shitën te një hebre (çifut), i cili më mori me vete dhe më çoi të punoja në një kopësht hurmash. Shpresova që ai të ishte vendi ku do të vinte i dërguari, por nuk isha i qetë se ishte ai.

 

Nuk shkoi shumë kohë e erdhi për vizitë tek ai njëri prej kushërinjve të tij nga fisi beni Kurejdha dhe më bleu prej tij. Menjëherë më mori me vete në Jethrib (Medine) dhe i pashë palmat, të cilat m’i kishte përmendur miku im në Amurije. Betohem në Allahun! Sa e pashë Medinën e kuptova se ai ishte vendi për të cilin më kishte treguar shoku im, pasi përshkrimi i tij përputhej plotësisht. Kështu unë u bëra banor i Medines.

Në atë kohë, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) e ftonte në fe popullin e vet në Mekë, por unë nuk kisha dëgjuar për të për shkak të angazhimeve të mia të shumta që m’i impononte skllavëria.

 

Nuk shkoi shumë kohë dhe Profeti (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) u shpërngul për në Jethrib (Medine). Betohem për Allahun! Unë kisha hipur në majë të një hurme të zotëriut tim, ku isha duke kryer disa punë, ndërsa zotëriu im ishte ulur nën hijen e saj, kur papritmas erdhi njëri nga kushërinjtë e tij dhe i tha:

– “I vraftë Allahu “Benu Kajletët”[2]! Ata janë tubuar sot në “Kuba”, duke pritur ardhjen e një njeriu që vjen nga Meka e i cili pretendon se është Profet.”

Posa i dëgjova fjalët e tij m’u rrënqeth mishi dhe u trondita aq shumë sa për pak u rrëzova nga pema. Menjëherë nisa të zbres prej hurmës dhe fillova t’i them atij njeriu: “Çfarë po thua?! Përsërite edhe njëherë lajmin…” – Prej fjalëve të mia, zotëriu im u hidhërua shumë dhe më goditi rëndë dhe më tha: “Çfarë po të duhet ty kjo punë?! Shko atje ku ishe dhe vazhdo punën!” – Thashë: “Desha vetëm të dija çfarë kishte ngjarë.”

 

Kur ra muzgu i mbrëmjes, mora disa hurma që i kisha mbledhur dhe u drejtova për në Kuba tek vendi ku dëgjova se ishte i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem). Hyra tek ai dhe, pasi e përshëndeta, i thashë: “Kam dëgjuar për ty se je njeri i mirë. Me vete ke shokë që janë të huaj në këto anë, e të cilët kanë nevojë për ndihmë. Ja, këto i kisha hequr mënjanë për t’i dhënë lëmoshë (sadaka) dhe e pashë se ju jeni më nevojtarë se të tjerët për to.” – dhe i dhashë hurmat. Ai ua afroi shokëve dhe u tha që t’i hanin, ndërsa vet nuk hëngri. Atëherë thashë me vete: ”Kjo është njëra prej shenjave.”

 

Pastaj u ktheva dhe mblodha disa hurma të tjera dhe, kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) kaloi prej Kubas në Medinë, shkova tek ai e i thashë: “Unë vërejta se ti nuk po e ha lëmoshën, kështu që këto hurma t’i kam sjellë dhuratë, në shenjë nderimi dhe respekti ndaj teje. Ai i hëngri disa prej tyre dhe i ftoi shokët që edhe ata të hanin me të, e ashtu vepruan.”

 

Atëherë thashë me vete: “Kjo është shenja e dytë…” Pastaj shkova te i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) kur ai ndodhej në “Bakie El‑Garkad”, ku ishte duke varrosur njërin prej sahabëve të vet. Ai qëndronte ulur e në trup kishte dy copë pëlhurash. E përshëndeta me selam e pastaj i dola mbrapa shpinës mbase shihja në kurrizin e tij vulën (e profetësisë), të cilën ma kishte përshkruar shoku im në Amurije.

 

Kur e hetoi se jam duke shikuar shpinën e tij, e kuptoi qëllimin tim. Atëherë e hoqi mbulesën e tij prej shpine dhe unë e pashë vulën (shenjën) në mes të dy shpatullave të tij. Atëherë m’u bë e qartë se ky ishte Profeti që ma kishte përshkruar shoku im në Amurije. Mu mbushën sytë me lot, iu hodha në shpinë dhe fillova ta puth, ndërsa i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) më pyeti: “Çfarë ke?!” Atëherë i tregova rrëfimin tim që nga fillimi, ashtu siç po ta tregoj ty o Ibën Abbas.

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) u gëzua që sahabët e tij ishin të pranishëm aty dhe e dëgjuan rrëfimin tim.”

 

Për shkak se isha skllav dhe i detyruar t’i shërbeja zotëriut tim, e kisha të pamundur të merrja pjesë në betejën e Bedrit dhe atë të Uhudit. Me pas, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) më tha: “Bjer në ujdi me zotërinë tënd që të fitosh lirinë o Selman!” – dhe unë ashtu veprova. Ai pranoi të më lironte nga skllavëria me kusht që unë të mbillja për të treqind fidan hurme, dhe të paguaja dyzetë ukijeh[3]argjend. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) sahabëve u tha: “Ndihmojeni vëllain tuaj!”

Ata më ndihmuan që të siguroja fidanët e hurmave. Dikush solli tridhjetë fidanë, dikush njëzetë, dikush pesëmbëdhjetë, dikush dhjetë e dikush tjetër solli pesë fidan, ose edhe më pak se aq; sipas mundësive që kishin. Kështu arrita të grumbulloja plotë treqind fidanë hurmash. Pastaj i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) më tha: “Shko o Selman dhe hapi gropëzat, e kur të kesh përfunduar, më thirr se kam dëshirë t’i vendos me duart e mia.”

Shkova së bashku me disa nga shokët dhe i hapëm gropat, pastaj e njoftuam të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) dhe ai erdhi. Ne ja afronim fidanët ndërsa ai i vendoste në tokë me duart e veta të bekuara dhe kështu vazhduam derisa i mbaruam. Betohem në Allahun, të gjithë fidanët u rritën të shëndetshëm dhe nuk u prish asnjë prej tyre.”[4]

Kështu e plotësova mbjelljen e hurmave, por më mbeti për të paguar sasia e argjendit. Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i sollën një copëz ari të ngjashme me vezën e pulës, e bashke me të ishin dhe disa metale të tjera me vlerë. Ai thirri: “Ku është persiani i cili ka nënshkruar për të fituar lirinë?” Dikush erdhi dhe më thirri, e kur shkova te i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), ai më tha: “Merre këtë o Selman dhe shlyeje detyrimin qe të ka mbetur.” – M’u duk sasi e pamjaftueshme dhe thashë: A thua mjafton kjo për ta shlyer detyrimin tim o i dërguar i Zotit?! – Ai tha: “Merre atë! Allahu do ta bëj të mjaftueshme!”

Selmani tha: “E mora atë dhe ia dorëzova zotëriut tim, e kur e peshuam, betohem në Allahun, vlera e saj ishte fiks sa dyzetë ukijeh argjend, dhe kështu unë e shlyeva detyrimin tim.”

  • Ibën Abbasi (radijAllahu anhu) e mbyll tregimin e tij duke thënë: “Që nga ai moment Selmani fitoi lirinë dhe iu bashkua shokëve të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) për të mos u ndarë më kurrë nga ata. Ai iu përgjigj thirrjes së Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) për të marrë pjesë në ‘betejën e hendekut’ dhe kontributi i tij ishte shumë i vyer. Që nga momenti kur Selmani fitoi lirinë, kemi marrë pjesë së bashku në të gjitha betejat dhe ngjarjet e rëndësishme.”[5]
  • Allahu qoftë i kënaqur me Selman El Farisiun, të cilin kurrë nuk e lodhi kërkimi i së vërtetës!

 

Shkëputur nga Libri: “Historia Profetike e Saktësuar”

Përktheu: E. AJDINI

 

[1] Kjo nuk bie ndesh me transmetimin e Buhariut, në të cilin Selmani shprehet se ‘është me origjinë nga ‘Ramehurmuzi’, i cili është një qytet i njohur në trojet persiane, në kufij me Irakun arab. Është si të tregosh një herë për qytetin e origjinës, e një herë për qarkun që e mbulon atë qytet. Shiko “El Fet’hu” vëllimi 7, faqja 277.

[2] Ka për qëllim Ensarët (banorët e Medines që pranuan fenë dhe hapën dyertë dhe zemrat e tyre për muslimanët.)

[3] Njësi matëse e peshës që përdoret për argjend, (angl. “ounce”) dhe ka vëllimin 28,35 gramë.

[4] Ndërsa në transmetimin e imam Ahmedit, vëllimi 5, faqja: 440 transmetohet se ai ka thënë: “Të gjitha fidanët Profeti (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i vendosi me dorën e tij, me përjashtim të një fidani të cilën e vendosa unë. Ato që vendosi ai të gjitha u rritën, me përjashtim të asaj që e vendosa unë e cila u tha.” Në zinxhirin e këtij transmetimi gjendet Ali bin Zejdi, i njohur si Ibën Xhed’ani, e ky njihet si transmetues i dobët.

[5] Zinxhiri i transmetimit është i saktë. E transmeton imam Ahmedi nga Ibën Is’haku, vëllimi 5, 441-444, Ebu Nuajmi në “Ed Delail”, faqja 87-89. E transmeton po ashtu Ibën Seadi dhe Bejhekiu. E po ashtu gjendet në “El khasaisu el kubra” i Sujutit, vëllimi 1, faqja: 48.