Tubimet e dhikrit dhe orët e mëshirës.
Në tubimet e dhikrit shpresohet; falja, mëshira, mirësia, dhe siguria prej Atij që zotëron çdo gjë!
Nëse shqisave të shikimit do t’u zbuloheshin perdet, do t’a shihnin mëshirën duke zbritur në këto momente si të ishte shi i rrëmbyer.
Në tubime të tilla kushedi sa shqisa shikimi do ruhen nga zjarri, kushedi sa barrë që rëndojnë mbi kurrize do të rrëzohen për t’ua lënë vendin burimeve të mëshirës dhe për t’u siguruar të pranishmëve llojet e ndryshme të mirësisë. Aty ku çdo lutësi i jepet ajo që kërkoi dhe çdokujt i mundësohet të arrijë atë që dëshiroi. E gjithë kjo falë bujarisë së Allahut plot madhëri dhe nderim, dhe dhuratë prej Atij që ka në dorë çdo mirësi dhe shpërblim.
Ai është Allahu, i Cili nuk e ka të vështirë që mëkatin t’ia falë atij që e veproi, e as t’ia dhurojë mirësinë atij që e kërkoi.
Prandaj, prezantojini këto momente me zemrat tuaja dhe pastrojini nga mëkatet me ujin e pendimit. Kërkoni falje tek Zoti juaj sepse Ai i fal mëkatet e atyre që pendohen. Kërkoni ndjesë për mangësitë tuaja sepse Ai e pranon ndjesën e atyre që e kërkojnë. Kërkojeni ndihmën e Tij kundrejt atyre që u bëjnë padrejtësi, e sa e shpejtë është ndihma e Tij ndaj atyre që e kërkojnë atë!
Ai që gjymtyrët i ka të ngujuara prej ndalesave të Allahut në fakt ai është kreu i njerëzve të devotshëm. Ai që zemrën e tij nuk e qetëson me askënd tjetër veç Allahut, në të vërtetë ai është i pari i njerëzve të logjikshëm, prandaj le të jetë përkushtimi juaj afrimi tek Zoti.
Sa të mahnitshëm janë disa njerëz të cilët zemrat i ngujuan tek Allahu dhe u afruan tek Ai duke flijuar dëshirat e tyre. Prej dashurisë së Tij nuk i pengon qortimi i atyre që qortojnë, dhe nuk justifikohen kur japin në rrugën e Tij me arsye boshe.
Ata urryen çdo gjë tjetër përpos Tij që Ai t’iu qëndronte afër. Lanë gjithçka që të fitonin nderin e hyrjes tek Ai, u larguan prej çdo gjëje që të mbërrinin tek Ai, u distancuan nga çdo gjë që ua donte shpirti duke këkuar afërsinë me Të, si dhe i kthyen shpinën çdo sendi me shpresën që tek Ai do të gjejnë pranim.
Nëse do t’u thuhej: Kush është i adhuruari juaj? Ata do të përgjigjeshin: Allahu! Nëse do të pyeteshin se cili është synimi juaj? Ata përsëri do të përgjigjeshin: Allahu! Ai është i adhuruari i tyre të Cilin e adhurojnë, është Ai që synojnë dhe gjejnë prehjen të cilën nuk e hasin askund tjetër veçse tek Ai.
Zoti im ka prej robërve të Tij që vetëm Atë adhurojnë,
Tek askush nuk gjejnë prehje dhe Atë synojnë.
Ai është ndihma më e madhe ku çështjet i drejtojnë,
Ai është synimi final të cilin e kërkojnë dhe gjurmojnë.
“Përkujtime dhe Predikime” – Abdurrahman Ibn Xheuzi.
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: Dhikri
Të Ngjashme
- Ligji i pandryshueshëm i Allahut Udha e Besimtarëve
- Begatia e vërtetë e jetës Udha e Besimtarëve
- Kategoritë e njerëzve që jetojnë për këtë botë dhe harrojnë botën tjetër Udha e Besimtarëve
- Fanatizmi mbas dijetarëve Udha e Besimtarëve
- Çfarë është shkenca e synimeve të sheriatit dhe përse shërben ajo? Udha e Besimtarëve