U nis me trup të lodhur por me zemër të gjallë

December 25, 2025

Pas shpërnguljes (hixhretit) së Profetit ﷺ dhe shokëve të tij nga Meka në Jethrib (Medinë), në Meke mbetën vetëm pak muslimanë që nuk kishin mundur të shpërnguleshin për shkak të sëmundjes ose pleqërisë. Ndër këta ishte edhe sahabiu i nderuar Damra ibn Xhundub, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Ai nuk ishte në gjendje të përballonte lodhjen e udhëtimit dhe vapën e shkretëtirës, ndaj mbeti në Meke pa dëshirën e tij. Megjithatë, ai nuk e duroi dot qëndrimin mes idhujtarëve ndaj vendosi të mbështetej në forcën e fundit që i kishte  mbetur; të anashkalonte sëmundjen dhe moshën e tij dhe të nisej drejt Jethribit (Medines).

Gjatë rrugës sëmundja iu përkeqësua dhe ai e kuptoi se vdekja i ishte afruar, dhe se nuk do të arrinte të takonte Profetin ﷺ dhe as shokët e tij. Ai ndaloi, goditi njërën dorë me tjetrën, dhe tha:

“O Allah, kjo është besëlidhja ime me Ty.

Pastaj goditi dorën tjetër dhe tha:

Dhe kjo është besëlidhja ime me Profetin Tënd.” Më pas ra i vdekur.

Xhibrili عليه السلام zbriti tek Profeti ﷺ dhe e njoftoi për atë që i kishte ndodhur Damras, dhe Allahu i Lartësuar zbriti fjalën e Tij:

“E kushdo që del nga shtëpia e tij për t’u shpërngulur tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, e pastaj e zë vdekja, shpërblimi i tij tashmë është i siguruar tek Allahu. Allahu është Falës, Mëshirues.” | En-Nisa: 100.

Profeti ﷺ i mblodhi shokët e tij dhe i njoftoi për çështjen e Damras, dhe tha fjalën e tij të njohur: “Veprat vlerësohen vetëm sipas qëllimeve.”

Kështu, Damra fitoi një nder që pak njerëz e kishin arritur; për të zbriti Kuran dhe Sunet.

Puna me Allahun nuk kushtëzohet me arritjen e qëllimit; mjafton të vdesësh duke punuar dhe duke ecur drejt Tij, për sa kohë që qëllimi yt është për Allahun.

Ne jemi të ngarkuar të ecim në rrugë, por jo domosdoshmërisht të arrijmë në fund.

 

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...