Udhëzime Profetike rreth pastërtisë

Udhëzime Profetike rreth pastërtisë!

1. Askush prej jush të mos urinojë në ujin e ndenjur e pastaj të lahet me të. Buhariu dhe Muslimi

2. Askush prej jush të mos lahet me ujin e ndenjur duke qenë xhunub. Muslimi.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga urinimi në ujin e ndenjur i cili nuk rrjedh (lëviz). Ndalimi merr gjykimin e haramit nëse njerëzit e përdorin atë ujë.

3. Nëse qeni pi në enën e dikujt prej jush, le t’a lajë enën shtatë herë (Buhariu dhe Muslimi) dhe herën e parë t’a lajë me dhe. Muslimi.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka udhëzuar umetin e tij që nëse qeni pi në enën e ndokujt, atëherë t’a lajë atë shtatë herë me ujë dhe patjetër një herë me dhe.

Kështu arrihet pastërtia e plotë prej papastërtisë dhe dëmit të qenit. Kjo tregon se pështyma (jargët) e qenit janë të papastra, gjithashtu çdo gjë që del prej trupit të tij prej urinës, djersës etj.

Mjekësia bashkëkohore pohon se në jargët e qenit gjenden mikrobe dhe sëmundje vdekjeprurëse, ndaj nuk mjafton vetëm uji për pastrim por duhet patjetër dhe pastrimi me dhe.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga mbajtja e qenit në shtëpi kur ka thënë: “Kush mban qen përveç atij që është për gjueti apo për të ruajtur bagëtinë, i pakësohen dy kirate prej shpërblimeve.”

Hadithi është i saktë.

Unejs Sheme