Transmetohet nga Ezraki në librin ‘Ahbaru Meke’ 2/45 se Dahaku (tabiin) (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Më është përcjellë se ngopja me ujin e zemzemit të shërben si pastrim nga nifaku dhe të largon dhimbjen e kokës.
Transmetohet në ‘Musanef’ të Abdurrezakut 5/117 nga Uehb bin Munebih (rahimehullah) se ai ka thënë: Pasha Atë që ka në dorë shpirtin e Uehbit, çdokush që i drejtohet ujit të zemzemit dhe pi prej tij derisa ngopet, patjetër do t’i shërbejë si shërim duke e kuruar nga ndonje sëmundje.
Është vërtetuar në sahihun e Muslimit në lidhje me pranimin e Islamit të Ebu Dherrit (radijallahu anhu) ku thuhet: “Ai erdhi në Meke për të pranuar Islamin dhe qëndroi në të tridhjetë ditë në Mesxhidul Haram. Profeti (salallahu alejhi ue selem) e pyeti: Si ushqeheshe gjatë kësaj kohe? Ebu Dherri (radijallahu anhu) tha: Nuk kisha ushqim tjetër përveç ujit te zemzemit, madje u shëndosha dhe nuk e ndieja aspak urinë. Profeti (salallahu alejhi ue selem) tha: “Ai është ujë i begatë dhe ushqyes”. Ibnul Ethiri në librin e tij ‘En-Nihajeh’ 3/125 ka thënë: Kuptimi i hadithit është se njeriu ngopet me ujë zemzemi ashtu si ngopet me ushqim.
El Menauij në librin e tij ‘Fejdul Kadijr’ 5/404 në shpjegim të hadithit: “Uji i zemzemit shërben për atë qëllim që pihet”, ka thënë: Uji i zemzemit është uji më i zgjedhur, më i begati dhe më i dashuri. Kjo sepse Allahu e zgjodhi si shkak për shuarjen e etjes dhe mjet ndihmues për djalin e Ibrahimit (alejhi selam) të zgjedhurit të Tij, dhe në këtë mënyrë ngeli mjet ndihmës për të tjerët pas tij.
Kush pi prej tij me sinqeritet e gjen atë ndihmë. Shumë nga dijetarët e pinin me qëllime të ndryshme dhe i arrinin ato që kërkonin. Hakimi ka thënë: Kjo u ndodh robërve të Allahut sipas nijeteve dhe qëllimeve të tyre. Sufjan eth-Theurij ka thënë: Rukjet dhe duatë janë në varësi të qëllimit (e japin efektin duke qenë të varura nga sinqeriteti) sepse nijeti e bën robin të arrijë atë që kërkon. Nijetet janë në varësi të pastërtisë së zemrave dhe përpjekjes së tyre në udhëtimin drejt Zotit. Ai që pi nga zemzemi vlerësohet sipas këtij parimi.
Imam Neueuiu (rahimehullah) në librin ‘Tehdhibul esma’ 3/450 ka thënë: Hadithi; “Uji i zemzemit shërben për atë qëllim që pihet”, d.m.th. kush e pi me një qëllim të caktuar do t’a arrijë atë. Kjo është praktikuar nga dijetarët dhe njerëzit e devotshëm për të arritur synime që kanë të bëjnë me botën tjetër apo të kësaj bote, dhe i kanë arritur ato me bujarinë dhe mirësinë e Allahut.
Transmeton Ibn Asakiri (rahimehullah) në librin e tij ‘Tarihu Dimeshk’ nga Hasen bin Isa se ka thënë: E kam parë Abdullah ibnul Mubarekun duke shkuar tek Zemzemi dhe mbushi një kovë. U drejtua nga Qabja dhe tha: O Allah, më ka treguar Abdullah bin el Muemil nga Ebu Zubejri nga Xhabiri (radijallahu anhu) se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Uji i zemzemit shërben për atë qëllim që pihet.” O Allah! Unë po e pi që të më shërbejë në urinë e Ditës së Gjykimit.
Përcjell Ibn Haxheri (rahimehullah) nga Dijneuerij në librin ‘Muxhaleseh’, nga el Humejdij se ai ka thënë: Ishim të ulur tek Ibn Ujejneh, kur papritmas erdhi një burrë dhe i tha: O Ebu Muhamed, a është i saktë ai hadithi që na ke treguar për ujin e zemzemit? Tha: Po. Unë e kam pirë tani duke u lutur që të tregosh njëqind hadithe. I tha: Ulu, – dhe i tregoi njëqind hadithe.
Ka përmendur Ibn Haxheri në broshurën e veçantë për ujin e zemzemit fq. 271 se ka qenë fakt i njohur se; imam Muhamed bin Idris esh-Shafij pinte ujë zemzemi para se të ushtrohej për gjuajtjen në shenjë, dhe arrinte të qëllonte saktë nëntë goditje nga dhjetë në total.
Imam Dhehebiu në librin e tij ‘Sijeru ealami nubela’ 11/212 ka përcjellë se Abdullah bin Ahmedi ka thënë: E kam parë babain tim duke marrë një nga qimet e Profetit (salallahu alejhi ue selem) (që ishin ruajtur) dhe e puthte, e më pas e zhyste në ujë dhe pinte prej tij. Gjithashtu, e kam parë duke pirë nga uji i zemzemit duke e përdorur si shkak për shërim, fërkonte me të (ujin) duart dhe fytyrën e tij.
Ibnul Arabiu (rahimehullah) në librin e tij ‘Ahkamul Kuran’ 3/98 në komentimin e sures Ibrahim, ka folur rreth hadithit: “Uji i zemzemit shërben për atë qëllim që pihet.” Ka thënë: Kam qëndruar në Meke në muajin Dhul Hixheh të vitit 489 h. dhe pija shumë ujë zemzemi. Sa herë që pija bëja nijet të më shërbente si shkak për shtimin e diturisë dhe besimit, derisa Allahu më hapi bereqetin e këtij uji dhe më lehtësoi marrjen e diturisë. Unë harrova të bëja nijetin të më hapeshin dhe portat e veprave. Ah sa mirë do ishte t`i kisha bërë të dy nijetet që të më hapeshin të dyja në të njëjtën masë, por nuk ishte caktim, ndaj dhe arritjet e mia në dituri ishin më të mëdha sesa ato në vepra.
Transmeton imam Dhehebiu në ‘Sijeru ealami nubela’ 14/370 se imam Ibn Huzejmeh u pyet: Nga t`u dha e gjithë kjo dituri? Tha: Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Uji i zemzemit shërben për atë qëllim që pihet.” Unë kur e kam pirë atë kam lutur Allahun që të më japë dituri të dobishme.
Imam Dhehebiu në ‘Tedhkiratul Hufadh’ 3/1044 transmeton se imam Hakimi e pinte ujin e zemzemit që t`i lehtësohej mbarëvajtja e shkrimit të librave dhe për qëllime të tjera, e në këtë mënyrë ishte autori më i mirë i librave në kohën e tij.
Ibnul Kajjimi në librin e tij ‘Zadul Mead’ 4/393 ka thënë: E kam provuar unë dhe të tjerë përveç meje përdorimin e ujit të zemzemit për shërim dhe kemi parë efekte të mahnitshme. E kam përdorur si mjet shërimi për disa lloje sëmundjesh dhe me lejen e Allahut jam shëruar. Kam qenë i pranishëm kur është përdorur nga dikush si ushqim për ditë të tëra, gati gjysëm muaji apo më shumë dhe nuk e ndiente urinë, madje e kryente tavafin njësoj si gjithë të tjerët. Ai person më ka lajmëruar se ka ndodhur që të mbahet vetëm me ujë zemzemi për 40 ditë duke pasur forcë për të agjëruar, për të kryer disa herë rradhazi tavaf dhe për të kryer marrëdhënie bashkëshortore.
Ibnul Kajimi në librin e tij ‘Medarixhu es-salikijn’ ka thënë: Nganjëherë kisha dhimbje të bezdisshme saqë gati më ndërprisnin lëvizjen, gjë e cila më ndodhte gjatë tavafit apo në ndonjë vend tjetër. Atëherë shpejtoja të lexoja Fatihanë duke fërkuar me leximin e saj vendin e dhimbjes, dhe largohej dhimbja si të ishte një gur i cili rrëzohej. Këtë e kam provuar disa herë. Gjithashtu, merrja një tas me ujë zemzemi dhe lexoja në të Fatihanë disa herë dhe më pas e pija, duke gjetur në të dobi dhe forcë të cilën nuk e kisha gjetur më parë tek ilaçet.
Në librin ‘Tedhkiratul hufadh’ 3/1193 tregohet se Hatib el Bagdadi kur kreu haxhin piu nga uji i zemzemit me tri qëllime (duke u lutur që t`i plotësoheshin tre dëshira): Që t`i mundësohej përcjellja e librit ‘Tarihul Bagdad’, të jepte mësim në xhaminë ‘El Mensur’, dhe të varrosej pranë Bishr el Hafij. Të treja këto dëshira i’u plotësuan.
Ibn Haxheri ka përmendur në broshurën e shkruar vecanërisht për ujin e zemzemit, fq. 271: Unë e kam pirë njëherë ndërkohë që isha në fillimet e kërkimit të diturisë në fushën e hadithit, duke i’u lutur Allahut të më bënte si imam Dhehebiu në memorizimin e hadithit. Më pas e kreva haxhin pas njëzet vjetësh dhe ndieja në veten time dëshirë për një gradë më të lartë se ajo që kisha kërkuar më herët, ndaj i’u luta Allahut për një gradë më të lartë dhe shpresoj tek Allahu që t’a arrij atë.
Nxënësi i tij hafidh es-Sehauij në librin ‘El Xheuahir ued-durer’ 1/166, në biografinë e shejhul Islam Ibn Haxherit ka thënë: Allahu i’a përmbushi dëshirën e tij dhe për këtë kanë dëshmuar disa njerëz.
Mblodhi dhe përgatiti: Muhamed el Hidri.
Përktheu: Shuajb Rexha
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve