Urtësia e Allahut në shpalljen e Kuranit pjesë-pjesë

March 1, 2023

Kurani i zbriti të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ve se-lem, pjesë pjesë sipas situatave, ngjarjeve dhe dukurive të ndryshme, dhe kjo përmban urtësi të konsiderueshme dhe të gjera si p.sh.:

1- Forcimin e zemrës së Profetit salAllahu alejhi ve sel-lem. Kjo ishte urtësia me të cilën Allahu iu përgjigj kritikave të jobesimtarëve në lidhje me shpalljen e Kuranit në faza, duke thënë: “Jobesimtarët thonë: Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë? Ne ta kemi shpallur kështu (pjesë-pjesë) për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu.” |El Furkan: 32|

Dijetari i njohur Ebu Shameh ka thënë: Nëse pyesin se cila është urtësia e fshehur pas shpalljes së Kuranit në faza (pjesë-pjesë) dhe të mosshpalljes së tij si gjithë librat e tjerë hyjnorë, të cilët u shpallën në të njëjtën kohë, themi: Allahu e mori Vetë përgjegjësinë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duke thënë: “Jobesimtarët thonë: Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ata kishin për qëllim: Pse nuk u shpall njëlloj siç u ishte shpallur të dërguarve para tij? Allahu i Lartësuar u përgjigj duke thënë: “Ne ta kemi shpallur kështu (pjesë-pjesë) për të forcuar zemrën tënde.” Kjo sepse nëse shpallja ripërtërihet në çdo ndodhi, atëherë ajo e forcon zemrën dhe tregon përkujdesjen ndaj atij që i është dhënë kjo shpallje. Përveç kësaj, kjo kërkon një zbritje më të shpeshtë të engjëllit tek Profeti dhe ripërtëritjen e besëlidhjes me të me mesazhin që ai sjell me vete. Kjo përfshin nder të madh dhe shkakton kënaqësi të pamasë që fjalët nuk mund ta përshkruajnë. Prandaj edhe thuhet se Profeti ishte më bujari në muajin e Ramazanit për shkak të takimeve të shumta që bënte me Xhibrilin, alejhi selam.”[1]

2- Të dalë në pah sfidimi dhe pamundësia e jobesimtarëve. Në të vërtetë jobesimtarët e kundërshtuan shpalljen e Kuranit në faza dhe pjesë-pjesë, siç tregon Kurani për ta. Megjithatë, edhe pse ishin të habitur nga shpallja e tij pjesë-pjesë Allahu i sfidoi të sillnin një sure të ngjashme por që ata nuk mundën ta bënin këtë. Sfidimi i tyre për të sjellë një sure të ngjashme me të pasi që u shpall pjesë-pjesë pati një ndikim më të fortë në shfaqjen e paaftësisë së tyre, dhe kjo do të ishte një provë më e fortë sesa thjesht po të shpallej i gjithi përnjëherësh.

Ai që nuk është në gjendje të sjellë një kapitull të ngjashëm me të kur është shpallur pjesë-pjesë, do të jetë edhe më i paaftë që të sjellë të ngjashëm me të nëse do të ishte shpallur i gjithi përnjëherësh. Këtë urtësi e vënë në dukje disa prej transmetimeve në hadithin e përcjellë nga Ibën Abasi për shpalljen e Kuranit, duke thënë: “Sa herë që jobesimtarët sillnin diçka të re, Allahu u jepte përgjigje për atë gjë.”[2]

3- E bën më të lehtë ruajtjen (memorizimin) e Kuranit dhe kuptimin e tij. Shpallja e Kuranit pjesë-pjesë ua lehtëson njerëzve memorizimin (ruajtjen) e Kuranit dhe kuptimin e tij, veçanërisht kur janë umij – që nuk lexojnë apo shkruajnë si arabët në gjuhën e të cilëve është shpallur Kurani. Kështu, shpallja e tij pjesë-pjesë ishte ndihma më e mirë për ta mësuar përmendësh dhe për t’i kuptuar vargjet e tij. Sa herë që shpallej një ose disa ajete sahabët i mësonin përmendësh, meditonin mbi kuptimet e tyre dhe vepronin sipas tyre. Për këtë arsye, Umeri radiAllahu anhu thoshte: “Ata mësonin nga Kurani pesë ajete, pastaj pesë ajete të tjera, sepse me të vërtetë Xhibrili vinte tek i dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem me pesë ajete dhe pastaj me pesë ajete të tjera.”[3]

4- Inkurajimi i shpirtrave të besimtarëve për të pranuar dhe vepruar sipas asaj që shpallej nga Kurani. Në këtë mënyrë muslimanët prisnin me padurim shpalljen e një ajeti veçanërisht në kohë nevoje, siç ndodhi me rastin e shpifjes dhe mallkimit ku prisnin me padurim shpalljen e ajeteve përkatëse.

5- Përshtatja me ngjarjet dhe zbatimi gradual i ligjeve të sheriatit. Kurani fisnik u shpall gradualisht hap pas hapi, dhe kështu ai do të fillonte me çështjet më të rëndësishme dhe pastaj me çështjet më të rëndësishme.

a) Kurani i ka kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme aspekteve themelore të besimit; besimit në Allahun, engjëjve të Tij, librave, të dërguarve të Tij, ditës së fundit dhe çfarë përfshin rreth shpërblimit dhe dhënies së llogarisë, për Xhenetin dhe xhehenemin. Dhe kjo duke sjellë dëshmitë për këto çështje, me qëllim që besimet e rreme të largohen nga zemrat e adhuruesve të idhujve dhe të zënë vend në këto zemra besimet islame.

b) Pastaj (Kurani) filloi të urdhërojë për sjellje të virtytshme dhe t’i ndalojë veprimet e neveritshme dhe të liga në mënyrë që të çrrënjosë rrënjët e të keqes dhe ligësisë. Kurani do të qartësonte parimet e asaj që është hallall (e lejuar) dhe haram (e ndaluar); prej ushqimeve, pijeve, pasurisë, nderit, gjakut dhe çështje të tjera.

c) Kurani shpallej gjithashtu në përputhje me ngjarjet dhe situatat me të cilat u përballën muslimanët në përpjekjet e tyre për ta bërë fjalën e Allahut më të lartën, dhe do t’i inkurajonte ata që ta bënin diçka të tillë.

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————-

[1] “El itkan fi ulumi el Kuran” i Sujutit 1/42.

[2] E përcjell Ibën ebi Hatim.

[3] E përcjell Bejhakiu në “Shuabul Iman” dhe senedi i tij është i saktë.

Loading...