Veçoria e pestë: Shami është vendi i besimtarëve të përkrahur

Veçoria e pestë: Shami është vendi i besimtarëve të përkrahur.

Përkrahja e Allahut të Madhëruar për robërit e Tij është një tjetër cilësi për të cilën Ai na ka njoftuar. Për shkak të kësaj cilësie Ai është quajtur me emrin En-Nasijr i cili do të thotë Përkrahës apo Mbështetës siç thuhet në Kuran:

فَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ مَوْلَاكُمْ نِعْمَ الْمَوْلَى وَنِعْمَ النَّصِيرُ

“Dijeni se Allahu është Kujdestari juaj. Ai është Kujdestari dhe Përkrahësi më i mirë.” Suretu El-Enfal: 40.

Përkrahja e Allahut sikurse u tha edhe për mbrojtjen e Tij është cilësi me shfaqje të përgjithshme dhe të veçantë.

Përkrahja e përgjithshme është si në ajetin:

وَمَنْ قُتِلَ مَظْلُومًا فَقَدْ جَعَلْنَا لِوَلِيِّهِ سُلْطَانًا فَلَا يُسْرِفْ فِي الْقَتْلِ إِنَّهُ كَانَ مَنْصُورًا

“Ai i cili vritet padrejtësisht kujdestarit të tij i kemi dhënë të drejtën e gjykimit, prandaj të mos e teprojë në hakmarrje. Ai me siguri është i përkrahur.” Suretu El-Isra: 33.

Fjala e Tij “Ai me siguri është i përkrahur” do të thotë se njerëzit e atij që është vrarë padrejtësisht kanë gjithmonë përkrahjen e Allahut të Madhëruar për të marrë të drejtën e tyre, kështu që ata të mos ndërmarrin veprime që nuk u takojnë nga frika se mos e humbasin atë.

Pra, Allahu i Madhëruar nëpërmjet kësaj përkrahjeje ruan të drejtat e njerëzve nga padrejtësitë e të prishurve duke i bërë ata fitimtarë ndaj të padrejtëve me qëllim që në tokë të mbizotërojë drejtësia dhe jeta në të.

Për këtë arsye Profeti – alejhi selam – thoshte: “Lutja e atij të cilit i është bërë padrejtësi është e pranuar, edhe nëse ai është njeri i prishur (që nuk i jep hakun Zotit) sepse atë e ka për veten e tij.” E transmeton Tajalisiu, Ahmedi etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Ai gjithashtu thoshte në lidhje me lutjen e atij që i është bërë padrejtësi se Allahu ka thënë: “Pasha krenarinë dhe madhështinë Time, do të përkrah ty herët apo vonë.” E transmeton Taberani, Ibn Hibani etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Ndërsa përkrahja e veçantë është si në ajetin:

إِنَّا لَنَنْصُرُ رُسُلَنَا وَالَّذِينَ آمَنُوا فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَيَوْمَ يَقُومُ الْأَشْهَادُ

Ne i përkrahim të dërguarit Tanë, edhe ata të cilët besuan në jetën e dynjasë dhe ditën kur ngrihen dëshmitarët (ditën e llogarisë).” Suretu Gafir: 51.

Allahu i Madhëruar në këtë ajet u premton ndihmë të veçantë profetëve dhe besimtarëve të drejtë kundrejt padrejtësive të kundërshtarëve të tyre në besim, me qëllim që të ruhet besimi i drejtë për të cilin Ai ka krijuar krijesat.

Komentuesi i njohur i Kuranit Ibn El-Xheuzij -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë lloj përkrahjeje të profetëve dhe të besimtarëve, thotë: “Përkrahja për ta ka për të ndodhur patjetër. Ajo ndonjëherë ndodh duke i ngritur në pozita të larta siç i’u dha pushteti Daudit dhe Sulejmanit me të cilin ata nënshtruan çdo mohues. Ndonjëherë tjetër ndodh duke i ndëshkuar përgënjeshtruesit e tyre për të shpëtuar profetin dhe shfarosur armiqtë, siç bëri me Nuhun dhe popullin e tij  dhe me Musain dhe popullin e tij. Dhe ndonjëherë tjetër duke u hakmarrë ndaj përgënjeshtruesve të tyre pas vdekjes së profetëve, siç bëri me dërgimin e Bukhatnasrit kundër vrasësve të Jahjës të birit të Zekerijës.[1]

Kjo është përkrahja e Allahut me dy llojet e saj; e para për të gjitha krijesat ndërsa e dyta e veçantë për besimtarët. Kjo e dyta qëndron më lart se e para sepse është e veçantë për besimtarët dhe për besimin që ata kanë. Si kjo e dyta është përkrahja e përmendur në hadithin e grupit të përkrahur të këtij ymeti, vendi i të cilëve është Shami.

Hadithi i grupit të përkrahur.

Muavije bin Ebu Sufjan -radiallahu anhu- thotë se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Do vazhdojë një grup prej ymetit tim të qëndrojë sipas urdhërave të Allahut. Nuk do t’i dëmtojë ata ai i cili i braktis dhe as ai i cili i kundërshton, derisa të vijë caktimi i Allahut dhe ata të jenë fitimtarë mbi njerëzit.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Dikush i tha Muavijes: “O prijësi i besimtarëve! Kam dëgjuar Muadhin -radiallahu anhu- të thotë: Ata janë në Sham.” E transmeton imam Ahmedi etj. Pastaj Muavija -radiallahu anhu- thoshte: “Shpresoj se jeni ju o banorët e Shamit!” E transmeton gjithashtu Ahmedi.

Said bin Ebij Uekas -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Do vazhdojnë banorët e perëndimit të jenë fitimtarë në të vërtetën deri sa të vijë ora e fundit.” Transmeton Muslimi.

Fjala e tij “Banorët e perëndimit” d.m.th. banorët e Shamit sepse Shami është në perëndim të Medines, siç sqaron imam Ahmedi, Ibn Tejmije etj.[2]

Kurra bin Ijas -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur të prishen banorët e Shamit nuk ka hajër më prej jush. Do të vazhdojë një grup prej ymetit tim të jenë të përkrahur prej Allahut. Nuk u bën dëm atyre ai i cili i braktis deri sa të vijë Ora e Fundit.” Transmeton imam Ahmedi. Përmendja e grupit të përkrahur pas përmendjes së banorëve të Shamit do të thotë se ai grup është në Sham.

Imran bin Husejn -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Do të vazhdojë një grup prej ymetit tim të luftojnë për të vërtetën dhe të jenë fitimtarë ndaj kundërshtarëve të tyre, derisa i fundit prej tyre të luftojë Dexhalin (dhe sipas një teksti tjetër: derisa të vijë caktimi i Allahut e të zbresë Isai i biri i Merjemes).” E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Hakimi etj. dhe e saktëson shejh Albani dhe shejh Shuajb El-Arnaut.

Mutarifi, një tabiin i njohur dhe përcjellës i këtij hadithi, transmeton se Imrani -radiallahu anhu-thotë: “E kam vëzhguar me kujdes këtë grup të përmendur dhe më ka rezultuar se janë banorët e Shamit.” E transmeton Bezzari dhe Ebu A’uane.

Ndërsa një tabiin tjetër me emrin Katade thoshte: Nuk mendoj se ata janë tjetërkush veç banorëve të Shamit. E transmeton Ibn Asakir.

Ky hadith është përcjellë gjithashtu edhe nga sahabë të tjerë si; El-Mugira bin Shu’be, Xhabir bin Abdilah, Xhabir bin Semura, Theuban, Ebu Hurejra etj. çfarë do të thotë se kjo fjalë e Profetit -alejhi selam- ishte e njohur dhe e ruajtur mirë prej tyre -radiallahu anhum.

Nga përshkrimet e përmendura në këtë hadith me gjithë transmetimet e tij shihet se grupi i përkrahur karakterizohet me katër karakteristika: Lidhja e ngushtë e tyre me të vërtetën, prezenca e tyre në Sham, përkrahja e Allahut të Madhëruar dhe vazhdimësia e tyre deri në ditën e Kiametit.

E para: Lidhja e ngushtë e grupit të përkrahur me të vërtetën.

E vërteta për të cilën flet Profeti -alejhi selam- në hadithin e grupit të përkrahur është feja e drejtë me të cilën ai u dërgua, siç thuhet në Kuran:

 هُوَ الَّذِي أَرْسَلَ رَسُولَهُ بِالْهُدَى وَدِينِ الْحَقِّ لِيُظْهِرَهُ عَلَى الدِّينِ كُلِّهِ

“Allahu është Ai i Cili e dërgoi Profetin e Tij me udhëzimin dhe fenë e drejtë për t’a bërë atë të triumfojë mbi çdo fe tjetër.” Suretu Et-Teube: 33.

Bazuar në përshkrimet e përmendura në hadith gjejmë se lidhja e këtij grupi me të vërtetën e ardhur nëpërmjet Profetit -alejhi selam- është në tre forma; ata janë në të vërtetën, ata punojnë me të vërtetën dhe ata luftojnë për të vërtetën, dhe ky është shkaku se pse Allahu i përkrah ata.

Në lidhje me faktin se ky grup është në të vërtetën e lajmërojnë transmetimet që përmbajnë fjalën “E vërtetë” duke përjashtuar kështu çdo grup i cili nuk është në të vërtetën. Për këtë arsye dijetarët e lidhin këtë hadith me hadithin e përçarjes në të cilin Profeti -alejhi selam- thotë: “Do të përçahet ymeti im në shtatëdhjetë e tre grupe. Që të gjitha janë në zjarr përveç njërit, dhe ata janë xhemati (ata që ruajnë xhematin). Dhe sipas një teksti tjetër: “Janë ata të cilët janë në rrugën time dhe të shokëve të mi.” E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Në këtë hadith Profeti -alejhi selam- thekson se ata besimi i të cilëve përputhet me atë të Profetit dhe të shokëve të tij janë të shpëtuarit, që do të thotë se ata janë në të vërtetën dhe pikërisht ata janë të përkrahurit. Kjo ngase Allahu nuk i përkrah ata që janë në rrugë të shtrembër. Allahu i Madhëruar ua ka bërë premtimin për përkrahje besimtarëve me kusht që ata të përkrahin çështjen e Tij të drejtë, kur thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ تَنْصُرُوا اللَّهَ يَنْصُرْكُمْ وَيُثَبِّتْ أَقْدَامَكُمْ

O ju që keni besuar! Nëse ju e përkrahni çështjen e Allahut Ai u përkrah juve dhe ua bën të qëndrueshme këmbët tuaja.” Suretu Muhamed: 7.

Prandaj dijetarët si; Abdullah bin El-Mubarek, Ali bin el-Medini, imam Ahmedi, imam Buhariu e të tjerë -Allahu i mëshiroftë- në interpretimin e hadithit të grupit të përkrahur thonin: Ata janë pasuesit e hadithit.[3] Kjo do të thotë se grupi i përkrahur janë ata të cilët marrin për besim çfarë përmendet në hadithet e Profetit -alejhi selam- e cila është dhe e vërteta e përkrahur nga Allahu i Madhëruar.

Ndërsa në lidhje me faktin se ata punojnë me të vërtetën atë e lajmërojnë transmetimet që përmbajnë fjalën; “të qëndrojë sipas urdhërave të Allahut”.

Ky përshkrim do të thotë se te ky grup nuk ka hipokrizi (nifak) dhe se ata e kanë përqafuar të drejtën për të punuar me të. Ata nuk kanë pretendime boshe dhe as parrulla pa vlerë siç gjenden tek grupet e devijuara.

Ndërsa faktin se ata mbrojnë të vërtetën e lajmërojnë atë pothuajse të gjitha transmetimet në të cilat thuhet; “fitimtarë në të vërtetën”, apo “luftojnë për të vërtetën”.

Kjo do të thotë se ky grup i cili është në të vërtetën ka kundërshtarë në të kotën, dhe ai përballet me ta për të ruajtur të vërtetën dhe del gjithmonë fitimtar.

Mbrojtja e së vërtetës e përmendur në këto fraza nuk mund të arrihet veçse nëse ajo ruhet si besim nga devijimet, si praktikë nga zhdukja, dhe të ruhen pasuesit e saj kur kërcënohet ekzistenca e tyre. Për mbrojtjen e saj duhet të ketë njerëz në të gjitha fushat e mirësisë siç thoshte imam Neveviu në shpjegimin e hadithit: “Mundet që ky grup të jetë i shpërndarë mes llojeve të besimtarëve. Prej tyre ka trima luftëtarë, ka dijetarë fikhu, ka dijetarë hadithi, ka njerëz asketë, ka urdhërues në të mirë dhe ndalues nga e keqja, dhe prej tyre ka nga llojet e tjera të mirësisë”. Domethënia e kësaj është se secili e ruan fenë në fushën e tij dhe kjo është mëse e logjikshme, sepse e vërteta nuk mund të ruhet po nuk u ruajtën të gjitha fushat e saj dhe kështu ishin edhe grupi i Profetit -alejhi selam- dhe i shokëve të tij.

E dyta: Prezenca e grupit të përkrahur në Sham.

Grupi i përkrahur i përmendur në hadith është në Sham, sepse në transmetimet e lartpërmendura theksohet prezenca e tyre në Sham. Profeti -alejhi selam- i ka përmendur ata me epitetin e vendit ku jetojnë duke thënë: “Banorët e perëndimit” sepse Shami është në perëndim të Medines. Ndërsa sahabët dhe tabiinët e kanë thënë qartë: “Banorët e Shamit”. Mendohet se edhe vet Profeti -alejhi selam- i ka përmendur qartë ata në një prej versioneve të transmetimit të Ebu Hurejrës -radiallahu anhu- ku citohet se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Do vazhdojë një grup të qëndrojë sipas urdhërave të Allahut deri në Orën e Fundit. Ata janë banorët e Shamit.” Transmeton Buhariu në librin e historisë, El-Feseuij dhe Taberani, dhe e saktëson shejh Albani.

Bazuar në këto sqarime nuk ka dyshim se ky grup është prezent në Sham, mirëpo a është edhe në vende të tjera veç Shamit? Kjo është një pyetje e shtruar herët prej dijetarëve dhe ata mendojnë se prezenca e tyre në Sham nuk do të thotë se nuk do të jenë edhe në vendet e tjera.

Imam Neveviu -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje citon:Jo domosdoshmërish ky grup janë të bashkuar. Ata mund të jenë edhe të shpërndarë në vende të tjera.[4]

Në fakt edhe aktualiteti dëshmon për këtë gjë, sidomos pas shpjegimit të lartpërmendur ku u tha se prej këtij grupi nuk ka vetëm luftëtarë por edhe nga fushat e tjera të mirësisë, ku në radhë të parë janë njerëzit e dijes të cilët mbrojnë të vërteten nga devijimet dhe prej tyre ka në çdo vend. Ama prezenca e tyre në Sham sipas shejhul-Islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- është më e fortë. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije citon: “Profeti -alejhi selam- i ka dalluar banorët e Shamit me qëndrueshmëri të përhershme sipas urdhërave të Allahut deri në kohën e fundit, dhe se grupi i përkrahur është në mesin e tyre deri në kohën e fundit. Ky lajmërim është për një dukuri të përhershme dhe të vazhdueshme në numër dhe në fuqi. Kjo cilësi nuk është e tjetërkujt veç Shamit prej tokës së Islamit, sepse në Hixhaz (zona ku bën pjesë Medina) i cili është origjina e besimit do të pakësohet në kohët e fundit: dija, besimi, përkrahja dhe xhihadi. Po ashtu edhe në Jemen, Irak dhe vendet e Lindjes. Ndërsa në Sham ka vazhduar dija, besimi dhe ata të cilët luftojnë për të të përkrahur në çdo kohë”[5].

S’ka dyshim se prezenca e tyre në kohën e fundit në Sham është ashtu siç thotë shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë, siç do të vijë dhe sqarimi i saj pak më poshtë. Ndërsa në kohët e tjera ka pasur periudha në të cilat prezenca e tyre ka qenë shumë e fortë, si ajo e kohës së Emevive dhe pastaj ajo e Selxhukëve me Memlukët. Prezenca e tyre në këto kohë në Sham ishte më e fuqishme se askund tjetër, madje kohës së Memlukëve u përket edhe vet shejhu i Islamit Ibn Tejmije. Por në disa periudha të tjera kohore prezenca e tyre në Sham edhe është zbehur duke u shfaqur më e fortë në ndonjë vend tjetër, si p.sh. Nexhdi në Arabinë Qendrore. Ja çfarë thotë njëri prej dijetarëve që ka jetuar 500 vjet pas kohës së Ibn Tejmijes dhe konkretisht në kohën e perandorisë Osmane në Nexhd të Arabisë.

Ai është Sulejman bin Abdilah, nipi i Muhamed bin Abduluehabit -Allahu i mëshiroftë të gjithë- i cili ka jetuar nga viti 1200-1233 sipas hixhretit në kohën e fundit të perandorisë Osmane. Në atë kohë Shami nuk ishte më zonë kufitare me Bizantët dhe nuk kishte më luftëtarë, dhe në Sham ishte përhapur sufizmi. Ai thotë: “Nuk ka në Sham prej disa kohësh njerëz që mbajnë këto cilësi (cilësitë e grupit të përkrahur), madje nuk ka veçse adhurues varresh, njerëz të prishur dhe lloje të ndryshme punësh të shëmtuara gjë që e bën të pamundur të jenë ata grupi i përkrahur. Gjithashtu, ata prej disa kohësh nuk luftojnë kënd prej mohuesve dhe konfliktet e tyre i kanë me njëri-tjetrin…. Në hadith është për qëllim se ata janë atje në disa kohë dhe jo në çdo kohë.[6]

Shejh Albani -Allahu e mëshiroftë- i cili ka jetuar gati 200 vjet pas tij atëherë kur gjendja në Sham kishte ndryshuar, thotë: “Nuk është patjetër të jenë në Sham në çdo moment, në çdo minutë, në çdo orë, në çdo javë e kështu aq sa do Allahu i Madhëruar, por pa dyshim e përgjithshmja është se ata janë në Sham.[7]

Pra e përgjithshmja është se ata janë në Sham dhe prezenca e tyre atje mbase zbehet ndonjëherë apo dobësohet por kthehet përsëri, ndërsa në kohën e fundit ajo do të përqëndrohet atje siç tregojnë edhe hadithet.

E treta: Përkrahja e Allahut të Madhëruar për grupin e Shamit.

Sipas përshkrimeve të hadithit ky grup prej banorëve të Shamit i cili është i lidhur ngushtë me të vërtetën ka përkrahjen e Allahut, dhe kjo e bën atë të ketë sukses ndaj kundërshtarëve të tyre qofshin ata armiq të besimit jashtë rrethit të myslimanëve apo të devijuarit brenda rrethit të tyre bazuar në shpjegimet e lartpërmendura.

Suksesi i këtij grupi për sa i përket kohës së shkuar është i qartë dhe i dukshëm, sidomos në ato dy periudha kohore të cilat u përmenden disa herë në këtë temë; ajo e Emevive dhe ajo e Selxhukëve me Memlukët. Le të përmendim si fillim suksesin e këtij grupi në kohën e dinastisë Emevite ndaj bidateve dhe bidatçinjve brenda rrethit të Islamit.

Prijësit dhe dijetarët e dinastisë Emevite me qendër në Sham gjatë kohës së sundimit të tyre penguan bidatet në fe si; Hauarixhët, Rafiditë, Murxhitë dhe Kaderitë, dhe ishin fitimtarë ndaj tyre.

E para: Bidati i Hauarixhëve. 

Hauarixhët janë një grup i devijuar prej myslimanëve të cilët nxjerrin jashtë rrethit të besimit ata myslimanë që mbartin gjynahe të mëdha, dhe luftojnë me armë prijësit e myslimanëve dhe xhematin e tyre. Mbajtja e këtyre ideve nga ana e tyre dhe ngritja e armës i bën ata shumë të rrezikshëm për myslimanët, sepse ata terrorizojnë myslimanët dhe kërcënojnë jetën, nderin dhe pasuritë e tyre në emër të fesë.

Prijësit emevij të Shamit në kohën e sundimit të tyre janë shquar për shuarjen e këtij bidati dhe ja çfarë thotë tabiini i njohur Ebu Galib Er-Rasibij -Allahu e mëshiroftë: “Isha në Damask në kohën e Abdulmelik bin Meruan kur sollën kokat e hauarixhëve dhe i varën në shtylla. Kaloi pranë tyre Ebu Umame El-Bahilij -radiallahu anhu- dhe kur i pa tha: Qentë e Xhehenemit. Njerëzit më të këqij të vrarë poshtë kupës së qiellit”. E transmeton Ibn Ebij Shejbe, Taberani etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Ndëshkimi i hauarixhëve është i tillë për shkak të rrezikut të madh të tyre, me përjashtim të atyre që pendohen dhe lëshojnë armët para se të kapen.

E dyta: Bidati i Rafidive.

Rafiditë janë ata të cilët besojnë se prijësi duhet të jetë gjithmonë nga familja profetike dhe refuzojnë çdo prijës tjetër veç tyre ndërkohë që Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Hilafeti pas meje është ndër Kurejshët.” E transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson shejh Albani. Kjo porosi do të thotë se të drejtën për të drejtuar e ka çdo kurejsh, qofshin ata nga familja profetike apo nga të tjerë veç tyre. Pastaj Profeti -alejhi selam- ka porositur se ndaj prijësve kërkohet bindje edhe nëse ai kusht nuk plotësohet, kur ka thënë: “Dëgjo dhe bindu edhe nëse ke për prijës një skllav Abisinie.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Çfarë do të thotë: Nëse porosia e parë nuk zbatohet mos e bëni atë shkak për përçarjen e myslimanëve përderisa ai po ju udhëheq me Islam.

Rafiditë nuk e pranojnë këtë gjë dhe shajnë e refuzojnë pa të drejtë sahabët e parë që u zgjodhën prijësa pas Profetit -alejhi selam- si; Ebu Bekri, Omeri, Uthmani etj. -radiallahu anhum- për shkak se nuk ishin nga familja profetike edhe pse ata të gjithë ishin kurejshitë. Pastaj edhe sikur të mos ishin kurejshitë ata prapë nuk kanë të drejtë t’a bëjnë atë gjë e të përçajnë myslimanët, përderisa Profeti -alejhi selam- në ruajtje të interesit të përgjithshëm ka porositur për dëgjim dhe bindje ndaj tyre.

Prijësit e Emevive në Sham kanë qenë ndër të parët që e kanë luftuar këtë bidat. Umer bin Abdulazizi -Allahu e mëshiroftë- dënonte me kamxhikë atë që shante Uthmanin dhe Muavijen -radiallahu anhuma- për shkak se ata ishin prijësa dhe nuk ishin nga familja profetike.[8]

E treta: Bidati i Murxhive.

Murxhitë janë ata të cilët besojnë se besimi është vetëm në zemër dhe punët e jashtme nuk janë prej tij. Megjithëse qëllimi i tyre ishte i mirë, që njerëzit të gjithë qofshin konkurues në vepra të mira apo gjynahqarë të përfshihen në rrethin e besimit. Kjo teori bënte që njerëzit të neglizhojnë detyrat e Zotit ndërkohë që Allahu i Madhëruar shpëtimin e plotë të njerëzve e ka lidhur njëkohësisht edhe me besimin dhe veprat e jashtme kur ka thënë:

وَالْعَصْرِ * إِنَّ الْإِنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ * إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

Pasha kohën! *Me të vërtetë njeriu është në humbje * Përveç atyre që besuan, punuan vepra të mira, u këshilluan për të vërtetën dhe u këshilluan për durim.” Suretu El-Asr: 1-3.

Prijësit e emevive në Sham si Omer bin Abdul-Azizi -Allahu e mëshiroftë, në refuzim të bidatit të Murxhive thoshte: “Imani ka: detyra, rite, dënime dhe synete. Kush i plotëson ato e ka plotësuar imanin, dhe kush nuk i plotëson nuk e ka plotësuar imanin.” E transmeton Ibn Ebi Shejbe.

E katërta: Bidati i Kaderive.

Kaderitë janë ata të cilët mohojnë një ndër cilësitë e Allahut të Madhëruar që është cilësia e caktimit të hershëm për të cilën Profeti -alejhi selam- thotë: “Ishte Allahu dhe nuk ishte kush tjetër veç Tij. Arshi i Tij ishte mbi ujë. Ai shkroi në Librin e ruajtur çdo gjë, pastaj krijoi qiejt dhe tokën.” Transmeton Buhariu, Tirmidhiu etj. Ky hadith do të thotë se Allahu i Madhëruar para krijimit shkroi çdo gjë rreth krijesave të Tij deri edhe punët e tyre, dhe ato quhen caktim.

Në kohën e Emevive në Sham filloi të dëgjohej prej disa njerëzve mohimi i kësaj cilësie e cila në origjinë vinte nga popujt paganë. Një prej atyre që e përqafuan këtë bidat është Gajlan Ed-Dimeshkij nga Damasku i Shamit, i cili për shkak të këtij bidati është vrarë nga prijësi emevit Hisham bin Abdulmelik -Allahu e mëshiroftë. Dënimi i Gajlanit erdhi pasi atij i’u bë e ditur se kjo teori nuk është e besimit Islam dhe ai nuk hoqi dorë prej saj. Ja çfarë thuhet rreth tij në librat e akides (besimit): “Kur Omer bin Abdulazizi mori vesh se Gajlani mohonte caktimin e Zotit i çoi atij njerëz për t’a marrë dhe e mbajti në arrest për disa ditë. Pastaj Omeri e solli para tij dhe i tha: O Gajlan, çfarë është kjo që kam marrë vesh rreth teje? Gajlani i tha: Po o prijësi i besimtarëve. Allahu i Madhëruar në suren Insan thotë: “A nuk ka kaluar për njeriun një kohë në të cilën ai nuk ishte gjë e përmendur. Pastaj Ne e bëmë atë krijesë me dëgjim dhe shikim dhe i’a sqaruam rrugën për të qënë falënderues ose mohues.” (Në këtë ajet -sipas kuptimit të tij- Allahu i Madhëruar nuk ka caktim për krijesat dhe se njeriu e zgjedh vetë rrugën pa qenë e caktuar më përpara).

Atëherë Omeri  i tha atij: Lexo nga fundi i sures ajetin ku thuhet:Ju nuk do të doni veçse çfarë deshi Allahu (në caktimin e Tij të hershem).” Çfarë thua tani, o Gajlan? Gajlani i tha atij: O prijësi  besimtarëve! Isha i verbër dhe mi çele sytë. Isha i shurdhët dhe më bëre të dëgjoj. Isha në humbje dhe më orientove. Atëherë Omeri u lut: O Allah! Nëse robi yt Gajlani është i sinqertë forcoje atë, ose përndryshe bëje të ngjitet në kryq (të vritet). Pastaj Gajlani filloi të fliste përsëri në kohën e Hishamit dhe ai e kryqëzoi atë.” E transmeton El-Firjabij.

Këto katër bidate mendohet të jenë origjina e të gjitha bidateve siç thotë shejhu i Islamit Ibn Tejmije e të tjerë para tij[9], dhe luftimi i tyre nga grupi i banorëve të Shamit është luftim për të gjitha bidatet e degëzuara prej tyre ku në fakt kështu rezultoi. Më pas flamurin e luftimit të tyre e ngritën përsëri banorët e Shamit në kohën e Memlukëve, atëherë kur jetoi shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- kur u luftuan rrymat filozofike të rrjedhura prej këtyre bidateve; shiizmi, sufizmi etj. Kur kjo u dobësua me kalimin e kohës e solli atë prapë në skenë një dijetar me origjinë nga vendi ynë Shqipëria por që ka jetuar në Sham mes Sirisë dhe Jordanisë, dhe ai është Muhamed Nasirudin El-Albani -Allahu e mëshiroftë. Këtij dijetari dhe nxënësve të tij i atribuohet demaskimi i shumë bidateve të kohës sonë kur ndër më të mëdhatë ka qenë bidati i Hauarixhëve të sotëm si; Al-Kaida, Isisi etj. prej atyre që nxisin për revolta të verbra popullore duke përçarë me to myslimanët dhe duke u shkaktuar atyre lloj-lloj sprovash e fatkeqësish.

Përsa i përket luftimit të armikut të jashtëm Shami është shumë i njohur për të dhe për triumfin ndaj tyre. Mjaftojnë për ilustrimin e saj sukseset e lartpërmendura të Emevive në përhapjen e Islamit nga Spanja në Kinë, pastaj sukseset e Selxhukëve me Memlukët në zmbrapsjen e kryqëzatave, dhe suksese të tjera të cilat mund të shfaqen ose në kohën tonë ose pas nesh.

Me rëndësi këtu është të përmendim dy suksese të ardhshme për të cilat jemi njoftuar nga Profeti -alejhi selam- në hadithet rreth kohës së fundit dhe që priten të ndodhin gjithashtu në Sham.

1- Sukseset në kohën e Mehdiut.

Mehdiu është një prej prijësve të drejtë të kohës së fundit i cili rrjedh nga familja profetike. Profeti -alejhi selam- rreth tij ka thënë: “Nuk ka për të ardhur Ora e Fundit e dynjasë derisa toka të mbushet me padrejtësi dhe armiqësi. Pastaj do të dalë një burrë prej familjes sime i cili do t’a mbushë atë me drejtësi e paqe siç ishte mbushur me padrejtësi dhe armiqësi.” E transmeton imam Ahmedi, Ibn Hibani, Hakimi etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Ky burrë i cili mban llagapin El-Mehdij pushteti i tij do të jetë në Sham, siç thotë shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-[10] dhe ndoshta ka për qëllim hadithin e Profetit -alejhi selam- ku thotë: “Kur t’a shohësh hilafetin të vendoset në Tokën e Pastruar (Bejtul-Makdis) atëherë janë afruar dridhjet, sprovat dhe çështjet e mëdha. Ora e fundit atëherë është më afër për njerëzit se këto dy duart e mia me kokën tënde.” E transmeton imam Ahmedi dhe Ebu Daudi, dhe e saktëson shejh Albani.

Dhe hadithi: “Popullimi i Bejtul-Makdisit është koha e shkatërrimit të Jethribit (emër i vjetër i Medines)[11]. Shkatërrimi i Jethribit është koha e Betejës së Madhe. Beteja e Madhe është koha e çlirimit të Kostandinopojës, dhe çlirimi i Kostandinopojës është koha e daljes së Dexhalit.” E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Hakimi etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Prej sukseseve të Mehdiut përveç përhapjes së drejtësisë është edhe fitorja në Betejën e Madhe dhe çlirimi i Kostandinopojës (qyteti i Stambollit sot).

Beteja e Madhe është një betejë e kohës së fundit për të cilën Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- thotë: “Nuk vjen Ora e fundit e dynjasë derisa të mos ndahet trashëgimia dhe të mos gëzohet njeri për plaçkën e fituar, – pastaj ai bëri me shenjë nga Shami dhe tha: Një armik do të grumbullohet kundër pasuesve të Islamit dhe pasuesit e Islamit do të grumbullohen kundër tyre.

I thamë: Romakët?  Ai tha: Po. Në atë kohë do të ketë luftë dhe kthim të madh mbrapa (ridde)[12]. Atëherë myslimanët caktojnë një grup të cilët bëjnë kusht ose të vdesin ose të fitojnë, dhe ata do të luftojnë derisa t’i ndajë nata. Secili prej tyre kthehet jofitimtar dhe grupi shuhet.

Pastaj myslimanët caktojnë një grup tjetër të cilët bëjnë kusht ose të vdesin ose të fitojnë dhe ata do të luftojnë derisa t’i ndajë nata. Secili prej tyre kthehet jofitimtar dhe grupi shuhet.

Pastaj myslimanët caktojnë një grup tjetër të cilët bëjnë kusht ose të vdesin ose të fitojnë dhe ata do të luftojnë derisa t’i ndajë nata. Secili prej tyre kthehet jofitimtar dhe grupi shuhet.

Pastaj kur të jetë dita e katërt do t’u shkojnë për ndihmë pasuesit e tjerë të Islamit dhe Allahu i nxjerr ata fitimtarë.” E transmeton Muslimi.

Pastaj ky grup fitimtar vazhdon fitoret e tij duke çliruar qytetin e vjetër të Kostandinopojës siç tregon Ebu Hurejra -radiallahu anhu: “Pastaj ata çlirojnë Kostandinopojën. Ndërkohë që ata janë duke mbledhur plaçkat e luftës dhe kanë varur shpatat e tyre në ullinj, dëgjohet: Dexhali ka dalë në vendet tuaja.” E transmeton Muslimi.

Përmendja e Kostandinopojës në këtë hadith në ngjarjet e kohës së fundit dhe çlirimi i saj në atë kohë duket e çuditshme për kohën tonë, sepse ajo në këtë kohë është vend mysliman dhe i çliruar që në kohën e sulltanit Osman Muhamed El-Fatih -Allahu e mëshiroftë, mirëpo deri në kohën e fundit mund të ndodhin shumë gjëra çfarë e bën të detyrueshme një çlirim tjetër të saj. Allahu e di më së miri![13]

2- Sukseset në kohën e Isait -alejhi selam-

Isai -alejhi selam- është profet i cili pritet të zbresë në Tokë në kohën e fundit, pasi ai nuk ka vdekur dhe është shpëtuar prej hebrenjve nga Allahu i Madhëruar duke e ngritur atë lart në qiell siç u tha tek veçoria e dytë.

Allahu në Kuran, në lidhje me Isain -alejhi selam- ka thënë: “Ai është shenjë e Orës së Fundit.” Suretu Ez-Zukhruf: 61. Kjo do të thotë se ai do të shfaqet në Tokë në kohën e fundit. Kështu ka njoftuar edhe profeti Muhamed -alejhi selam- kur ka thënë: “Pasha atë që në dorën e Tij është shpirti im, gati po vjen koha të zbresë mes jush i biri i Merjemes si gjykues i drejtë. Ai do të thyej kryqin, do të vrasë derrin dhe nuk do të pranojë më xhizjen (taksa e ehli kitabit).” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Isai -alejhi selam- ka për të zbritur në Sham dhe konkretisht në Damask, siç ka ardhur në hadith: “Zbret Isai -alejhi selam- te El-Menara El-Bejda (emër vendi) në lindje të Damaskut, i mbështjellë në dy copa pëlhure dhe dy pëllëmbët e tij të vendosura mbi flatrat e dy melaikeve.” Transmeton Muslimi.

Zbritja e Isait -alejhi selam- në Sham në kohën e fundit bëhet për të fuqizuar grupin e përkrahur të asaj kohe të udhëhequr nga Mehdiu, siç ka ardhur në hadith: “Do vazhdojë një grup prej ymetit tim të luftojë për të vërtetën dhe të jetë fitimtar deri në ditën e Kiametit. Ka për të zbritur Isai -alejhi selam- dhe prijësi i tyre[14] do t’i thotë: Na prij në namaz! Ai do ti përgjigjet: Jo. Ju jeni prijës për njëri-tjetrin. Ky është nderimi i Allahut për këtë ymet.” E transmeton Muslimi.

Kjo ndihmë për grupin e përkrahur do t’iu vijë kur u ka ardhur Dexhali sprova më e madhe e gjitha kohërave, me qëllim vrasjen e tij pasi atë nuk mund t’a vrasë njeri tjetër veç Isait -alejhi selam.

Profeti -alejhi selam- në lidhje me këtë ngjarje lajmëron: “Isait nuk i’a ndien ndonjë mohues (qafir) erën e frymës së tij veçse vdes. Ai do t’a ndjekë atë (Dexhalin) derisa t’a arrijë në Bab Lud (vend në Palestinë) dhe t’a vrasë atë.” E transmeton Muslimi.

Pastaj Isai -alejhi selam- ndihmon besimtarët edhe në një sprovë tjetër të madhe, ajo e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, siç thuhet në hadith: “Pasi ata kanë vrarë Dexhalin, Allahu e njofton Isain -alejhi selam: Kam nxjerrë disa prej robërve të Mi të cilët askush nuk mundet t’i luftojë. Mblidhi robërit e Mi te kodra Tur! Kështu Allahu dërgon Jexhuxhët dhe Maxhuxhët të cilët vërshojnë nga çdo kodër. Të parët prej tyre kur të kalojnë nga liqeni Taberia e pinë atë, dhe kur të kalojnë të fundit thonë: Këtu ka pasur dikur ujë. Isai -alejhi selam- dhe shokët e tij rrethohen aq sa një vend sa një kokë kau është për ndonjërin prej tyre më e vlefshme se njëqind dinar për ju sot. Atëherë Isai dhe shokët e tij luten dhe Allahu i Madhëruar u çon në qafat e tyre një krimb si krimbi i deveve për t’i vrarë ata, dhe ata të gjithë mbesin të vrarë.” E transmeton Muslimi. 

Prej sukseseve të kohës së  Isait -alejhi selam- janë edhe fitoret e cituara në hadithin e lartpërmendur ndaj mbeturinave të idhujtarisë, të cilat i janë bashkangjitur fesë pas largimit të tij nga kjo botë si thyerja e kryqit dhe vrasja e derrit.

Pra, ky grup prej banorëve të Shamit i kapur pas të vërtetës ka gjithmonë përkrahjen e Allahut të Madhëruar dhe Ai i ndihmon ata me dijetarë, me prijës të drejtë, me luftëtarë në rrugën e Tij, dhe kur bëhet e nevojshme e zbret edhe profetin Isa -alejhi selam- me qëllim që ata të vazhdojnë të jenë fitimtarë.

E katërta: Vazhdueshmëria e grupit të përkrahur deri në fund të dynjasë.

Në hadithin e grupit të përkrahur  në lidhje me prezencën e tyre thuhet:

“…derisa të vijë Ora e Fundit.”

“…derisa i fundit prej tyre të luftojë Dexhalin.”

“…derisa të vijë caktimi i Allahut e të zbresë Isai i biri i Merjemes.”

Përmendja e grupit të përkrahur në këto ngjarje të kohës së fundit do të thotë se ata do jenë deri në fund të dynjasë, dhe përderisa të gjitha ngjarjet e përmendura i përkasin Shamit atëherë ata do të jenë në Sham deri në fund të saj. Prandaj Profeti -alejhi selam- te transmetimi i Kurra bin Ijas -radiallahu anhu- thoshte: “Kur të prishen banorët e Shamit nuk ka më hajër prej jush.”

Muhadithi i Indisë Abdul-Hakk Ed-Dihleuij -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë hadith, thoshte:Hadithi ka për qëllim – Allahu e di më së miri – se banorët e Shamit janë ata të cilët do të mbajnë fenë e Allahut në kohën e fundit. Kur ata të prishen -dhe ajo është koha kur të vijë Kijameti- nuk do të mbesë më njeri që thotë ‘La ilahe Il-la Allah’, sepse siç ka ardhur në hadith: “Kiameti nuk bëhet veçse mbi njerëzit më të këqij.” Kështu që fjala e tij “nuk ka më hajër prej jush” do të thotë: Nuk ka për të mbetur më njeri i hajrit.[15]

Koha deri ku.r do të qëndrojë ky grup në tokë në ngjarjet e kohës së fundit është përcaktuar në një hadith tjetër, në të cilin përmendet koha sa do qëndrojë mirësia pas vdekjes së Isait -alejhi selam. Profeti -alejhi selam- në atë hadith thotë: “Njerëzit (pas Isait) do të qëndrojnë shtatë vite pa patur mes tyre armiqësi. Pastaj Allahu i Madhëruar dërgon një erë të freskët nga ana e Shamit, e cila nuk lë në faqe të tokës askënd që ka në zemrën e tij sa një grimcë hajri apo besimi veçse i’a merr atij shpirtin.” E transmeton Muslimi.

Pra, shfaqja e kësaj ere e cila merr shpirtrat e besimtarëve është fundi i këtij grupi të përkrahur, dhe ajo është fare pranë Orës së Fundit. Allahu i Madhëruar ka caktuar se Kiameti do të bëhet vetëm se mbi njerëzit më të këqij.

Së fundi mund të shtrojmë një pyetje: Pse grupi i përkrahur duhet të qëndrojë deri në fund të dynjasë në Sham?

Përgjigja është: Shami do jetë vendi i fundit në tokë për njerëzit dhe për këtë arsye e vërteta duhet të qëndrojë mes tyre deri në fund që t’u ngrihet argumenti njerëzimit. Dijetari i kohës sonë Abdulmuhsin El-Bedr -Allahu e ruajtë- thotë: Praktika e Allahut është se e vërteta është gjithmonë në ndeshje me të kotën dhe Allahu i’a mundëson kësaj feje në çdo kohë dikë që të ngrihet për t’a përkrahur atë. Toka asnjëherë nuk mbetet pa dikë që mbart udhëzimin e Tij.[16]

Shkroi Dr. Abdullah Nabolli

————————————–

[1] Shih librin e autorit me titull ‘Zad El-Mesir’: 4/41.

[2] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 4/446.

[3] Shih librin ‘Sheref Eshab El-Hadith’ të El-Khatib El-Bagdadi: 25.

[4] Shih librin e autorit me titull ‘Sherh Sahih Muslim’: 13/67.

[5] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 4/449.

[6] Shih librin e autorit me titull ‘Tejsijr El-Aziz El-Hamijd’: 323.

[7] Shih kasetën me titull ‘Rihlet En-Nur’: 143.

[8] Shih librin ‘Sherh Itikad Ehli Es-Sunneh’ të Lalekait.

[9] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 3/350.

[10] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 27/507.

[11] Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me shkakun e shoqërimit të popullimit të Bejtul-Makdisit në Sham me shkatërrimin e Medinës në Arabi thotë: “Popullimi i Bejtul Makdisit bëhet shkak për shkatërrimin e Medines Profetike sepse njerëzit largohen prej saj për në Sham për shkak të fshatit dhe lehtësisë.” Pra për shkak të begative të bollshme në Sham dhe ato të kohës së Mehdiut, siç ka ardhur në hadithet e tjera.

[12] Grupimi i myslimanëve për këtë betejë do të jetë në afërsi të Damaskut në një vend të quajtur Gota siç ka ardhur në hadith: “Grupimi i myslimanëve në betejën e madhe do të jetë në Gota në afërsi të një qyteti i cili quhet Damask, dhe ai atëherë do të jetë më i miri vend i myslimanëve.” E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Hakimi, dhe e saktëson shejh Albani. Ndërsa grupimi i romakëve do të jetë në afërsi të Alepos, një qytet tjetër i Shamit për të cilin Profeti -alejhi selam- thotë: “Nuk ka për të ardhur Ora e Fundit e dynjasë derisa romakët të grumbullohen në Amak apo në Dabik (që të dyja vende në afërsi të Alepos).” E transmeton Muslimi.

[13] Kështu janë shprehur shumë dijetarë si: Ahmed Shakir, Hamud Et-Tuejxherij, Nasirud-Din El-Albani, Umer El-Eshkar etj. -Allahu i mëshiroftë- të cilët kanë jetuar pas çlirimit të Kostandinopojës nga sulltani Osman Muhamed El-Fatih. Çlirimi i saj nuk përputhet me përshkrimet e hadithit tonë. Nuk është çudi që me kalimin e kohës të ndryshojë situata dhe ajo të kthehet sërish në dorë të Romakëve, ashtu si janë kthyer qytetet e Spanjës dhe Portugalisë në duart e tyre pas disa shekujsh në Islam. Allahu e di më së miri!.

[14] Ky prijës është Mehdiu bazuar në faktin se ai është prijësi i Betejës së Madhe, prijësi i çlirimit të Kostandinopojës, dhe në kohën e tij del Dexhali siç u sqarua dhe më lart.

[15] Shih librin e autorit me titull ‘Lemeat Et-Tenkijh’: 9/830.

[16] Shih ‘Mexhelet El-Xhamiah El-Islamije’: 19/77.