Vëllazërimi dhe detyrimet karshi njëri-tjetrit

October 20, 2023

Në momentin e parë kur i dërguari i Allahut mbërriti në Medine, ai bëri dy gjëra kryesore: E para ndërtoi xhaminë dhe e dyta vëllazëroi mes besimtarëve Muhaxhirë dhe Ensarë.

Prej këtu ne kuptojmë se sa e rëndësishme është ne fenë tonë ky vëllazërim dhe mu për këtë arsye Allahu ka urdhëruar, që besimtarët të jenë vëllezër, edhe nëse u ndryshojnë prejardhjet, fiset dhe vendet e tyre, Ai thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër” (Huxhurat: 10.)

Kjo vëllazëri mes besimtarëve ka detyrime të mëdha dhe fryte të rëndësishme, Allahu na i ka sqaruar këto në Kuran dhe Sunet, prandaj duhet që ato të zbatohen dhe jo të anashkalohen dhe të lihen pas dore.

Një nga këto detyrime dhe fryte është edhe ndreqja ndërmjet muslimanëve, kur mes tyre lindin mosmarrëveshje dhe divergjenca, apo shfaqen ndërmjet tyre armiqësi dhe ndarje. Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet nën urdhrat e Allahut. E nëse kthehet, atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.” (Huxhurat: 9.)

Një tjetër detyrim vëllazëror, që kanë besimtarët ndërmjet tyre është edhe respektimi e nderimi i njëri-tjetrit, Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e përçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) Hytbet e xhumaSë 503 besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.” (Huxhurat: 11.)

Një tjetër detyrim vëllazëror, që kanë besimtarët ndaj njëri-tjetrit është edhe largimi i paragjykimeve për njëri-tjetrin, spiunimi mes njëritjetrit dhe marrja nëpër gojë e njëri-tjetrit. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se vërtet disa dyshime janë gjynah.” (Huxhuratë: 12.) Kjo ka të bëjë kur për njerëzit e mirë kihen dyshime dhe paragjykime të këqija. Allahu na e ka ndaluar të zbulojmë gabimet e atij, që nuk ia dinë njerëzit gjynahet, dhe të gjurmojmë fshehtësitë e tyre, Ai thotë: “Mos e spiunoni!” (Huxhuratë: 12.), dhe spiunimi nuk është gjë tjetër vetëm se të gërmosh për të gjetur gabimet e njerëzve.

Allahu na ka ndaluar nga gibeti (përgojimi) dhe e ka bërë atë haram të madh. Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) na e ka shpjeguar gibetin, duke thënë se ai është: T’i përmendësh vëllait tënd diçka që ai nuk e pëlqen. Përgojimi është i ndaluar nga Kurani, Suneti dhe unanimiteti i muslimanëve, Allahu e ka krahasuar atë me ngrënien e mishit të një njeriu të vdekur. Allahu thotë: “Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?!” pra, ashtu siç e urreni një gjë të tillë në mënyrë të natyrshme, atëherë urrejeni edhe këtë për shkak të fesë, sepse ndëshkimi për këtë të fundit është më i ashpër sesa kjo e para.

Një tjetër detyrim ndaj vëllazërisë islame është edhe bashkëpunimi i muslimanëve në punë të mira dhe të devotshme, bashkëpunimi në të mirën e përbashkët dhe në largimin e dëmit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe e armiqësi!” (Maide: 2.) Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) thotë: “Shembulli i muslimanëve në dashurinë mes tyre, solidaritetin dhe dhembshurinë i ngjan një trupi të vetëm, që kur një pjesë e tij ankohet, i gjithë trupi vuan me ethe dhe pagjumësi.” (E përcjell Buhari dhe Muslimi.) Muslimani gëzohet kur gëzohet vëllai i tij musliman dhe është i lumtur me lumturinë e vëllait të tij. Po ashtu ai hidhërohet kur diçka i ndodh vëllait të tij musliman.

Një tjetër detyrim ndaj vëllazërisë muslimane është edhe këshillimi mes vetes për punë të mira dhe qortimi për të këqijat, Allahu i Lartësuar thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëritjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se Allahu me të vërtetë është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Teube:71.)

Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) thotë: “Feja është këshillë, feja është këshillë, feja është këshillë.” -I thanë: Për kë, o i Dërguari i Allahut? -Ai tha: Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe për mbarë muslimanët e thjeshtë.” (E përcjell Ebu Daudi dhe është sahih.)

Një tjerët detyrim ndaj vëllazërisë muslimane është edhe dashja për vëllain tënd atë që do për veten, siç ka thënë Profeti (SalAllahu alejhi ue selem): “Askush nuk beson prej jush derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për veten.” (E përcjell Buhari dhe Muslimi.)

Detyrim tjetër ndaj vëllazërisë islame është edhe të mos i mashtrosh dhe të mos u bësh hile muslimanëve të tjerë, Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) thotë: “Ai që na mashtron ne nuk është pjesë e jona.” (E përcjell Muslimi.) Këtu futen edhe mashtrimet dhe hilet që bëhen në shitblerje.

Një detyrë tjetër që kanë muslimanët ndaj njeritjetrit janë edhe vizitat ndërmjet tyre, përhapja e selamit, plotësimi i nevojave, dhembshuria ndaj pjesës më të këputur të besimtarëve, respektimi i të vjetërve, dashamirësia me të vegjlit, vizita e të sëmurëve dhe ndjekja e xhenazes. Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) thotë: “Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit janë pesë: Kthimi i selamit, vizita ndaj të sëmurit, pasimi i xhenazes, përgjigja e ftesës dhe lutja për të kur teshtin.” (E përcjell Buhari dhe Muslimi.)

Një tjetër detyrë që kanë muslimanët ndaj njëri-tjetrit është lutja për njëri-tjetrin. Allahu i Madhëruar kur ka përmendur muhaxhirët dhe ensarët thotë: “Edhe ata që erdhën pas tyre thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashr: 10.) dhe thotë në një sure tjetër: “Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret!” (Muhamed: 19.)

Besimtarët janë vëllezër në çdo kohë, që nga njeriu i parë e deri tek i fundit, në çdo cep të botës sado larg qofshin ata. Çdonjëri lutet dhe kërkon falje për tjetrin, besimtarët e duan njëri-tjetrin, kanë besim te njeri-tjetri, e respektojnë njeri-tjetrin dhe të gjitha këto sepse Allahu lidhi mes tyre me anë të besimit, që është një lidhje më e fortë se lidhja e gjakut, e vendit dhe e gjuhës. Kini frikë Allahun o njerëz! Ruajini të drejtat e kësaj vëllazërie dhe mos i lini pas dore ato, që të mos bëheni prej të humburve.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun, ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë! Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e në saje të dhuntisë së Tij u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë. Le të dalë prej jush një grup, që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit. Mos u bëni si ata, që pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.” (Ali-Imran:102-105.)

====O njerëz! Vëllazëria islame ka të drejta dhe detyrime, që të ruhet bashkësia vëllazërore. Një nga këto detyrime është edhe zgjidhja e halleve të besimtarëve, lehtësimi i vështirësive, mbulimi i fajit të një muslimani kur ai gabon. Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) na ka treguar për shpërblimin e madh, që kanë ata besimtarë, që japin shembullin personal në këtë drejtim, ai thotë: “Ai që i largon besimtarit një hall të kësaj bote, Allahu do t’i largojë atij një hall të Ditës së Kiametit. Ai që i lehtëson punët atij që është në vështirësi, Allahu do t’ia lehtësojë atij në këtë botë dhe në tjetrën. Ai që ia mbulon fajin një muslimani, Allahu do t’ia mbulojë atij fajet në këtë botë dhe në tjetrën. Allahu është në ndihmë të robit për sa kohë që robi është në ndihmë të vëllait të tij.” (E përcjell Muslimi.)

Një nga të drejtat që një musliman i zënë në hall ka ndaj vëllezërve të tij besimtarë është edhe moslënia e tij t’i përballojë i vetëm sprovat dhe vështirësitë. Vëllazërisë islame i takon t’i qëndrojnë pranë për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’i mbajtur një pjesë të barrës, për të treguar kështu sinqeritetin e vëllazërisë dhe të solidaritetit të tyre. Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) e ka krahasuar solidaritetin ndërmjet besimtarëve si një godinë e vetme, kur thotë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, ku pjesët shtrëngojnë njëra-tjetrën.” (E përcjell Buhari dhe Muslimi.)

Dhe së fundi pas gjithë këtyre thënieve profetike, që nxisin besimtarët të lidhen me njëri-tjetrin dhe të ndjehet sa më shumë vëllazëria islame, ku që të gjithë janë të fituar po u rikujtoj fjalën e Profetit (SalAllahu alejhi ue selem) që thotë: “Allahu është në ndihmë të robit për sa kohë që robi i vjen në ndihmë vëllait të tij.” (E përcjell Muslimi.)

O Allah, fali besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit! O Allah, ndihmoje Islamin dhe muslimanët dhe braktise atë që e braktis fenë! O Allah, na mëshiro, sepse Ti me të vërtetë për ne je i Mëshirshëm! Mos na ndëshko, sepse Ti vërtet i ke të gjitha mundësitë!

 

Dosje:

Loading...