Veprimet që lejohen në namaz

March 9, 2016

1- Shpërthimi i të qarës, rënkimit dhe vajtimit, njësoj nëse është nga frika e Allahut apo për shkaqe tjera si rënkimi nga fatkeqësitë dhe dhimbja përderisa të mundin në mënyrë të tillë që nuk mund ta largojë.

Kjo bazuar nw fjalwn e Allahut të Madhëruar: (Kur i lexohen atij ajetet e Rramanit bien në sexhde dhe qajnë)[1]. Ajeti përfshin atë që falet dhe të tjerët.

Transmetohet nga Abdullah bin Esh-Shikhir se ka thënë: “Pashë Profetin alejhi selam duke u falur dhe në kraharor dëgjohej një zë si tenxherja kur vlon, nga e qara”[2].

Transmetohet nga Aliu radiallahu anhu se ka thënë: “Nuk kishim kalorës në luftën e Bedrit përveç Mikdad bin El-Esued; sikur të na shihje, nuk kishte njeri vetëm se në gjumë, përveç Profetit alejhi selam nën një pemë, falej dhe qante derisa u gdhi”[3].

Ka thënë Abdullah bin Shadadi: “Dëgjova ngashërimën e Umerit dhe isha në safet e fundit kur po lexonte: (I ankohem për merakun dhe mërzinë time, Allahut)[4][5].

Transmetohet nga Aishja nëna e besimtarëve “se Profeti alejhi selam ka thënë kur ishte sëmurë: Urdhëroni Ebu Bekrin tu prijë njerëzve. Thotë Aishja: I thashë: Ebu Bekri nëse zë vendin tënd, nuk e dëgjojnë njerëzit nga e qara, urdhëro Umerin tu prijë! Aishja i tha Hafsës: Thuaj atij: Ebu Bekri nëse zë vendin tënd nuk këndon dot nga e qara. Urdhëro Umerin tu prijë njerëzve dhe ajo i tha. Profeti alejhi selam tha: Shih, ju jeni të pasjellshme. Urdhëroni Ebu Bekrin tu prijë njerëzve. Hafsa i tha Aishes: Nuk më vjen hajër prej teje”[6].

Caktimi i profetit Ebu Bekrin si imam në namaz në këtë gjendje është argument për lejimin e të qarës në namaz nëse ajo e mund atë.

2- Kthimi dhe bërja me shenjë të kuptueshme në rast nevoje.

Transmetohet nga Xhabiri se ka thënë: “U sëmur Profeti alejhi selam dhe ne u falëm pas tij (ai u fal) ulur ndërsa Ebu Bekri thonte me zë tekbiret e tij. Ai u kthye tek ne dhe na pa neve ulur, na bëri me shenjë neve dhe ne u ulëm, pastaj u falëm si namazi i tij (ulur)”[7].

Transmetohet nga Sehl Ibën El-Handhalije se ka thënë:“U thirr ikameti për namazin e sabahut. Profeti alejhi selam filloi të falej dhe kthente kokën nga rruga. Ka thënë Ebu Daudi: Ai kishte dërguar natën një kalorës në atë rrugë që të bënte rojë”[8].

Nuk duhet të kthehesh në namaz pa nevojë, kjo marrë nga hadithi i Aishes -radiallahu anha- se ka thënë: Pyeta Profetin -alejhi selam- për kthimin e kokës në namaz, ai tha: “Ajo është rrëmbim, rrëmben shejtani nga namazi i njeriut”[9].

Transmetohet nga El-Harith El-Esharij -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam-: “Allahu urdhëroi Jahja bin Zekerija që të punojë me pesë fjalë … ndër to: Allahu ju ka urdhëruar juve për namaz, kur të faleni mos e ktheni kokën sepse Allahu e ngren fytyrën e tij për fytyrën e njeriut të tij në namaz përsa kohë nuk ka kthyer kokën”[10].

Për më shumë hadithe shiko librin “Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib” kapitulli (largimi nga ngritja e shikimit në qiell në namaz).

Kjo është për kthimin me fytyrë ndërsa kthimin me gjithë trupin dhe zhvendosja nga kibla, e prish namazin me unanimitet sepse ka lënë mangët detyrën e kthimit nga kibla.

3- Vrasja e gjarprit, akrepit, grerëzave apo të tjera të ngjashme që të dëmtojnë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ka thënë: Ka thënë Profeti -alejhi selam-: “Vritini dy të zezat në namaz: gjarprin dhe akrepin”[11].

4- Ecja e paktë kur është e nevojshme.

Transmetohet nga Aishja se ka thënë: “Profeti alejhi selam po falej dhe dera ishte e mbyllur. Unë erdha dhe desha ta hap, ai eci dhe e hapi atë, pastaj u kthye në vendin e tij të faljes”[12] dhe përmendi se dera ishte në drejtim të kibles.

Ka thënë shejhu ynë në “Silsiletu Es-Sahiha”: Lejimi i veprimeve të lehta të qëllimshme në namaz dhe ka përmendur aty hadithin: “Ai po falej në këmbë namaz vullnetar dhe dera në drejtim të kibles ishte e mbyllur, desha ta hap derën. Ai eci nga e majta apo nga e djathta e hapi derën pastaj u kthye në vendin e tij”.

Transmetohet nga El-Ezrak bin Kajs se ka thënë: “Ishim në El-Ehuaz duke luftuar me harurijet[13]”. Ndërkohë që isha në breg të lumit kur pashë një burrë që po falej me frerin e kafshës në dorë, ajo donte të ecte dhe ky e ndiqte. – Shu’be thotë ai ishte Ebu Berze El-Eslemij -. Një burrë nga Khauarixhët thotë: O Allah bëji këtij plakut këtë dhe këtë (mallkim)! Kur plaku mbaroi tha: E dëgjova fjalën tuaj por unë kam luftuar përkrah me profetin -alejhi selam- në gjashtë, shtatë, apo tetë beteja dhe kam parë lehtësimin e tij. Shkuarja ime pas kafshës është më e dashur për mua sesa ta lija atë të shkonte pas kullotjes së saj e pastaj të ec në këmbë.[14]

5- Mbajtja e fëmijës dhe ngjitja e tij (qëndrimi i tij) me njeriun që falet.

Transmetohet nga Ebu Katade El-Ensarij se “profeti -alejhi selam- po falej ndërkohë që mbante në krah Umamen të bijën e Zejnebes të bijës së profetit alejhi selam dhe të Ebu El-As bin Rabia bin Abdu Shems, kur bënte sexhde e lëshonte atë dhe kur ngrihej e merrte në krahë”[15].

Transmetohet nga Abdullah bin Shadad nga i ati i tij se ka thënë: “Doli tek te profeti -alejhi selam- në një nga namazet e pasdites – drekës ose ikindisë Hasanin ose Husejnin . Doli para profeti -alejhi selam- dhe e vendosi atë në këmbën e djathtë, pastaj dha tekbir për namaz dhe filloi të falej. Në namaz bëri një sexhde të gjatë. Thotë (transemetuesi): Ngrita kokën në mesin e njerëzve kur pashë fëmijën mbi shpinën e profetit kurse ai në sexhde dhe u ktheva në sexhde. Kur profeti -alejhi selam- mbaroi namazin njerëzit i thanë: O i dërguar i Allahut, bëre një sexhde të gjatë sa ne menduam se mos ka ndodhur ndonjë gjë apo se po të shpallet. Ai tha: Asgjë nga këto nuk ka ndodhur, por biri im më hipi sipër, nuk desha ta trazoj dhe (desha) të rrinte sa të donte”[16].

Transmetohet nga Abdullah bin Mes’udi se ka thënë: “Profeti alejhi selam falej; kur binte në sexhde Hasani dhe Husejni i hipnin mbi shpinë, nëse (të tjerët) i pengonin, u bënte me shenjë[17] që ti linin. Kur mbaronte namazin i vendoste ata në prehrin e tij dhe thonte: Kush më do mua, të dojë këta të dy”[18].

6- Dhënia selam atij që falet, komunikimi me të dhe lejimi i kthimit me shenja atij që i jep selam.

Transmetohet nga Xhabiri se ka thënë: “Profeti -alejhi selam- më dërgoi për një nevojë, pastaj e gjeta atë duke ecur (ka thënë Kutejbe: duke u falur), i dhashë selam atij dhe ai ma bëri me shenjë. Kur mbaroi më thirri mua dhe më tha: Ti më dhe selam pak më parë kur unë po falesha dhe ai drejtoheshe ato kohë nga lindja[19]”.

Transmetohet nga Suhajbi se ka thënë: “Kalova pranë Profetit -alejhi selam- kur ai po falej, unë i dhashë selam dhe ai ma ktheu me shenjë. Ka thënë (transmetuesi): Nuk mendoj se ka thënë vetëm se: shenjë me gishtin e tij”[20].

Transmetohet nga Enes bin Maliku se “Profeti -alejhi selam- bënte me shenjë në namaz”[21].

Transmetohet nga Ibën Umeri -radiallahu anhuma- se ka thënë: “Doli Profeti -alejhi selam- që të falej në Kuba’. Aty erdhën ensarët dhe i dhanë selam ndërkohë që ishte në namaz; thotë: I thashë Bilalit: Si ia ktheu profeti -alejhi selam- atyre kur ata i dhanë selam në namaz? Ai tha: Tha kështu, ai shtriu dorën e tij dhe Xheafer bin Aun shtriu dorën e tij, me pëllëmbën poshtë dhe shpinën e dorës nga lart”[22].

Ka thënë Ibën El-Mundhir në “El-Eusat”: “Të flasësh në namaz nuk lejohet, profeti e ka bërë synet për atë që falet të kthejë selamin me shenja”. Dhe ka përmendur disa hadithe dhe fjalë selefësh për këtë.

Kam kuptuar nga shejhu ynë Allahu e ruajtë se kthimi i selamit me kokë apo me dorë sipas pozicionit të myslimanit, si p.sh të vijë nga pas dhe nuk e sheh lëvizjen e dorës, ai i bën atij shenjë me kokë, apo nëse vjen nga ana që shishet lëvizja e dorës i bën shenjë me dorë– dhe Allahu e di më së miri -.

7- Thënia subhanallah dhe përplasja e shuplakave

Lejohet tesbihi për burrat përplasja e shuplakave për gratë nëse shfaqet ndonjë problem si vërejtje e imamit kur gabon, si lejim për njeriun që do të futet, si udhëzim për të verbrin dhe gjëra të ngjashme.

Transmetohet nga Sehl bin Sead -radiallahu anhu- nga Profeti -alejhi selam- se ka thënë: “O njerëz nëse ju ndodh ndonjë gjë dhe doni të njoftoni tjetrin dhe filloni të përplasni shuplakat, përplasja e shuplakave është për gratë, kujt i lind nevoja të njoftojë tjetrin në namaz le të thotë subhanallah sepse nuk ka njeri që e dëgjon kur thotë subhanallah vetëm se i tërheq vërejtjen”[23].

Në një transmetim tjetër ka ardhur: “ … O ju njerëz, ç’keni që kur ju nevojitet të njoftoni për diçka në namaz filloni të përplasni shuplakat?! Përplasja e shuplakave është për gratë. Kush do të njoftojë për diçka në namaz le të thotë subhanallah, sepse nuk e dëgjon njeri kur thotë subhanallah vetëm se i tërheq vërejtjen”[24].

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ka thënë: Ka thënë Profeti -alejhi selam-: “Tesbihu është për burrat dhe tesfiku (përplasja e shuplakave) për gratë”[25].

8- Ndihma ndaj imamit:

Nëse harron imami një ajet e ndihmon atë xhemati dhe ia kujton.

Transmetohet nga Abdullah bin Umeri “se Profeti -alejhi selam- fali një namaz, lexoi në të Kuran dhe u ngatërrua. Kur mbaroi i tha Ubejit: A u fale me ne? Ai tha: Po. Ai i tha: Po ç’të pengoi[26]?!”[27]

 

Transmetohet nga El-Misuar bin Jezid El-Malikij “se Profeti -alejhi selam- lexoi në namaz dhe la diçka pa lexuar. Një burrë i tha atij: O i dërguar i Allahut, le ajetin kaq e kaq. Profeti -alejhi selam- i tha: Sikur të ma kishe kujtuar”[28]

 

 

[1] Merjem: 58

[2] E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Khuzejma dhe Ibën Hibani në dy sahihat e tyre e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[3] E transmeton Ahmedi, Ibën Khuzejma në Sahihun e tij në kapitullin: (Argumenti se e qara në namaz nuk e prish namazin dhe se lejohet e qara në namaz) e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[4]Jusuf: 86.

[5] E transmeton Buhariu të varur (mualek): (Kapitulli nëse imami qan në namaz), ka thënë El-Hafidh në El-Fet’h: Këtë ether ia ka dhënë të plotë zinxhirin Seid bin Mensuri Ibën Ujejne nga Ismail bin Muhamed bin Sead që e ka dëgjuar prej Abdullah bin Shadad dhe ka shtuar: “në namazin e sabahut”; ka transmetuar Ibën El-Mundhir nga Ubejd bin Umejr nga Umeri diçka të ngjashme.

[6] E transmeton Buhariu.

[7] E transmeton Muslimi.

[8]E transmeton Ebu Daudi e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[9] E transmeton Buhariu.

[10] E transmeton Tirmidhiu, Ibën Khuzejma, Ibën Hibani, Hakimi dhe të gjithë e kanë konsideruar të saktë. E ka saktësuar dhe shejh Albani.

[11]E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu dhe e saktëson shejh Albani.

[12] E transmetojnë Ebu Daudi e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani

[13] Një grup prej hauarixhve që kundërshtuan Aliun -radiallahu anhu- . U quajtën kështu nga vendi i quajtur Haura’ në afërsi të Kufes – Irak, mbledhja e parë e tyre ishte në këtë vend.

[14] E transmeton Buhariu.

[15] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[16] E transmeton Nesaiu, Ibën Asekir, Hakimi dhe e ka saktësuar, me të është pajtuar edhe Dhehebiu.

[17] Kjo është nga argumentet për lejimin e shenjës së kuptueshme në namaz.

[18] E transmeton Ibën Khuzejma në Sahihun e tij me zinxhir hasen (të mirë) e të tjerë. E saktëson shejh Albani.

[19]E transmeton Muslimi

[20]E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, e të tjerë.

[21]E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Khuzejma në Sahihun e tij dhe e saktëson shejh Albani.

[22]E transmeton Ebu Daudi me zinxhir të mirë dhe tre autorët e suneneve. E saktëson shejh Albani.

[23]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[24]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[25]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[26]D.m.th të ma kujtoje.

[27]E transmeton Ebu Daudi, Tabarani dhe e saktëson shejh Albani.

[28] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.

Dosje:

Loading...