Vepro duke qenë i pajisur me dituri

April 3, 2023

Prej gjërave që më së tepërmi e pengojnë madje e ndalojnë misionin e përmirësimit, është guximi i disa njerëzve që tentojnë ta bëjnë këtë pa qenë të pajisur me dituri. Ata mbase i shtyn dëshira dhe emocioni, por pa marrë parasysh nëse e duan të mirën dhe kërkojnë ta frenojnë të keqen. Ajo që duhet ditur është se ky qëllim nuk e legjitimon veprimin e tyre, sepse një veprim i distancuar nga metodologjia e dijes mund të shkaktojë dëm dhe shkatërrim.

Përderisa çështja është kështu, atëherë kërkohet për cilindo që synon përmirësimin (e njerëzve) që këtë ta bëjë i bazuar në një metodologji njohurish të përfituara nga Kurani dhe suneti, dhe të bazuar në kuptimin e të parëve të mirë të këtij umeti.

Allahu i Lartësuar ka kërkuar prej nesh të pyesim njerëzit e ditur për gjërat që nuk i kuptojmë. Ai thotë: “Andaj pyesni dijetarët e librit nëse nuk e dini këtë.” [1]

Duke pyetur dijetarët edhe problemet gjejnë zgjidhje, gjërat e pakuptueshme kthjellohen dhe kështu thirrësi me lejen e Allahut është i vetëdijshëm për atë që vepron dhe thërret.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e ka titulluar një temë në Sahihun e tij me këto fjalë: Temë: “Dija duhet të paraprijë fjalët dhe veprat bazuar në fjalën e Allahut: “Dije se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut.” Pra, e filloi me dijen!

Dijetari i madh Ibën Haxher el Askalani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Për fjalën e Buhariut ‘Dija duhet të paraprijë fjalët dhe veprat’, Ibën Munejir ka thënë: Me këtë ai deshi të pohonte se dija është kusht saktësie për fjalët dhe veprat, dhe se nuk merren parasysh veçse përmes dijes pasi gjithmonë ajo radhitet para tyre. Dija ndreq nijetin i cili është rregullator i punës, prandaj dhe autori (Buhariu) e vuri në dukje këtë që të mos mendohet se termi ‘Dija nuk vlen pa veprën’ synon zhvlerësimin e dijes dhe neglizhencën në kërkimin e saj.[2]

Ndërsa imam El Ajni, Allahu e mëshiroftë, në radhitjen e mësipërme të temës së imam Buhariut ka thënë: D.m.th. se kjo temë sqaron se dija duhet të vijë e radhitur para fjalës dhe veprës. Ai deshi të sqaronte se diçka fillimisht duhet mësuar, pastaj duhet thënë, dhe në fund duhet praktikuar. Pra, dija u paraprin këtyre të dyjave (fjalës dhe veprës).[3]

Sidoqoftë, ai që kërkon të ftojë në rrugën e mirësisë duhet të pajiset me prova të plota në thirrjen që bën, dhe kjo – siç e përmendëm më lart – duke pyetur njerëzit e ditur dhe duke diskutuar me ta për gjetjen e zgjidhjeve në gjërat e pakuptueshme. Po ashtu, duke këkruar në fjalët e dijetarëve dhe shkrimet e tyre për çdo problem që ai mund të hasë. Në këtë mënyrë, thirrja e tij është e mbarë sepse është ndërtuar mbi një metodologji të qartë njohurish.

Gjithashtu duhet të ketë kujdes nga veprimet e pashoqëruara nga dija fetare, duke e lënë veten që ta komandojnë emocionet e nxituara apo ndjekja e filanit apo fistekut.

Emocionet, numri i madh i ndjekësve dhe respekti që mund të kesh ndaj dikujt, nuk mund të shërbejnë si justifikim për të ndërmarrë një punë pa e ditur  mënyrën e trajtimit të saj.

O ti që ke dëshirë t’i përmirësosh njerëzit, le të jetë metodologjia e rrugës tënde fjala e Allahut: “Thuaj: Kjo është rruga ime. Të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua.”[4]

Pra “dituri të plotë” dhe jo vetëm emocione apo entuziazëm të tepruar.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Udhëtarit i dalin përpara pengesa dhe humnera vdekjeprurëse, por ajo që e shpëton prej tyre është vetëm largpamësia në dije.”[5]

Ndërsa imam Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, kur përmend sjelljet e thirrësave dhe tiparet e tyre thotë: Së dyti: Të jesh i pajisur me prova të qarta në thirrjen tënde dhe jo i paditur në atë që fton. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Kjo është rruga ime. Të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua.”[6]

Pra dija kërkohet patjetër sepse është e detyrueshme. Mos i fto të tjerët me injorancë dhe kij kujdes të flasësh gjëra që nuk i di, sepse injoranti shkatërron dhe nuk ndërton, prish dhe nuk ndreq. Frikësoju Allahut o rob i Zotit dhe ki kujdes të flasësh për Allahun pa dije. Kur të ftosh në diçka mos e bëj pa qenë i informuar dhe pa qenë i pajisur me dije të plotë rreth asaj që thotë Allahu dhe i dërguari i Tij. Si nxënësi i dijes po ashtu edhe thirrësi duhet të pajisen me dituri në atë që ftojnë, si dhe të hulumtojnë në atë që thërrasin me argumentet e duhura. Nëse i qartësohet e vërteta i fton edhe të tjerët në urdhëra dhe në ndalesa. I fton njerëzit të veprojnë nëse ajo vepër është bindje ndaj Allahut dhe të dërguarit, alejhi selam, ose i fton në braktisjen e diçkaje që Allahu apo i dërguari e kanë ndaluar. Këtë duhet ta bëjë i mbështetur në dije të plotë dhe largpamësi.[7]

Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”. 

Autor: Abdul Aziz Sed’han

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————

[1] Suretu Nahl: 43.

[2] Ibn Haxher në librin e tij “Fet’hul Bari” 1/193.

[3] El Ajni në librin e tij “Umdetu el karij” 1/418.

[4] Suretu Jusuf: 108.

[5] Ibën Kajimi në librin “Medarixh es salikin”.

[6] Suretu Jusuf: 108.

[7] “Ahlak ed duat”. Mesazhi i shejh AbdulAziz bin Bazit, Allahu e mëshiroftë, drejtuar thirrësve në rrugë të Allahut.

Loading...