Verifikimi i lajmeve para se të gjykosh

November 14, 2011

Verifikimi i lajmeve para se të gjykosh

Marrë nga Libri i Diturisë fq 52 i shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin

Nga moralet më të rëndësishme me të cilat duhet te pajiset nxënësi i dijes është verifikimi i lajmeve që transmetohen dhe sigurimi për gjykimet që nxirren. Detyrimisht kërkohet që lajmet të cilat përcillen, fillimisht të verifikohen:Vallë janë thënë nga personi të cilit i atribuohen? Nëse janë thënë prej tij, sigurohu mirë për gjykimin, sepse ai lajm që ti mund të kesh dëgjuar, mund të jetë i bazuar në ndonjë parim të cilin ti nuk e di, ndaj dhe e gjykon si gabim, mirëpo në të vërtetë nuk është gabim.

Cila është rruga që duhet të ndiqet në këtë rast?

Rruga është që të kontaktosh me personin të cilit i atribuohet lajmi dhe t`i thuash:Percillet se ke thënë kështu e ashtu, a është e vërtetë? Më pas e diskuton me të, sepse qortimi yt paraprak apo mos pëlqimi yt, mund të vijë si shkak i mos njohjes tënde rreth motivit të atij lajmi që përcillet, sic thotë një proverb:Kur njihet shkaku, s`ngelet më cudi. Pra fillimisht duhet verifikuar lajmi dhe të sigurohemi për gjykimin. Më pas kontakton me personin dhe e pyet nëse është e vërtetë ajo që thuhet në lidhje me të. Më pas e diskuton me të, ose do jetë e vërteta me të dhe ti bindesh per fjalën e tij, ose ti arrin ta bindësh për gabimin e tij dhe ai kthehet tek e vërteta që ti i tregove.

Gjithashtu themi se verifikimi është gjë e rëndësishme duke u nisur nga fakti se nganjëherë përcjellësit e lajmeve mund të kenë qëllime të ndryshme dashakeqe, përcjellin qëllimisht ato lajme që dëmtojnë dhe cënojnë imazhin e personit. Nganjëherë mund të mos kenë qëllime dashakeqe por e keqkuptojnë fjalën në atë mënyrë që thënësi nuk e ka pasur për qëllim,prandaj kërkohet verifikim. Pra për ta përmbledhur themi: Nëse të arrin ndonjë lajm nga dikush, atëherë ndiq njërën nga këto tre rrugë:

1)      Verifikimi në lidhje me saktësinë e lajmit që përcillet.

2)      Vlerësimi i gjykimit rreth asaj cështjeje, a është gjykimi saktë apo jo? Nëse gjykimi është i saktë, e mbështet dhe e mbron atë. Nëse mendon se gjykimi nuk është i saktë, atëherë ndiq rrugën e tretë:

3)      Kontaktimi me personin që i atribuohet ajo thënie, në mënyrë që të diskutohet me të, por diskutim me qetësi dhe respekt.

Përktheu: Shuajb Rexha

Loading...