Vizita e të sëmurit

Vizita e të sëmurit

Transmetohet nga Ebu Musa Esharij -radiallahu anhu- se ka thënë: Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Ushqeni të uriturin, vizitoni të sëmurin dhe lironi skllavin”[1].

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ka thënë: Kam dëgjuar profetin -alejhi selam- : “Obligimet e myslimanit ndaj myslimanit janë pesë: Kthimi i selamit, vizita e të sëmurit, përcjellja e xhenazes, përgjigjja e ftesës dhe teshmiti (thënia jerhamukellah) i ai atij që teshtin”[2].

Gjithashtu nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- transmetohet se ka thënë: Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Kush viziton një të sëmurë apo viziton vëllain e tij në islam, thërret dikush (nga Engjëjt) duke thënë: Qofsh i bekuar ti dhe rruga jote dhe gëzofsh një vend në xhenet”[3].

Nga Theubani përcjell se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kush viziton një të sëmurë është në khurfen e xhenetit. I thanë: O i dërguar i Allahut, çfarë është khurfja e xhenetit? Ai tha: Vjela e xhenetit”[4].

Transmetohet nga Aliu -radiallahu anhu- se ka thënë: Kam dëgjuar profetin -alejhi selam- duke thënë: “Cdo mysliman që e viziton vëllain e tij në mëngjes, për të, kërkojnë falje shtatëdhjetë mijë engjëj derisa të ngrysë, nëse e viziton atë në mbrëmje, kërkojnë falje për të shtatëdhjetë mijë engjëj derisa të gdhijë dhe ai do të vjelë nga frutat e xhenetit”[5].

Vizita e njeriut që i ka rënë të fikët

Transmetohet nga Xhabir bin Abdullahi -radiallahu anhu- se ka thënë: “U sëmura rëndë dhe më erdhi profeti -alejhi selam- të më vizitojë bashkë me Ebu Bekrin. Duke ecur, ata më gjetën pa ndjenja. Profeti -alejhi selam- mori abdes pastaj hodhi abdesin e tij mbi mua. Unë u përmenda dhe pashë profetin -alejhi selam- dhe i thashë: O i dërguar i Allahut, çfarë të bëj me pasurinë time? Si të veproj me pasurinë time? Ai nuk mu përgjigj derisa iu shpall ajeti i trashëgimisë”[6].

Në librin El-Fet’h thuhet: “Ka thënë Ebu Munejir: Dobia e çështjes është: të mos mendohet se vizita e njeriut pa ndjenja, nuk vlen, ngaqë nuk di gjë se kush po e viziton”.

El-Hafidh ka thënë: Thjesht dijenia e të sëmurit për vizituesin e tij, çështja e vizitës së tij (se është mirë apo jo të vizitohet) nuk varet nga kjo, sepse vizita është dhe ngushëllim për familjen e tij, gjithashtu vlen bereqeti i lutjes së vizituesit, vendosja e dorës së tij mbi të sëmurin, mes’hi mbi trupin e tij dhe fryrja me suret mbrojtëse si dhe dobi të tjera.

Fjala kur vizitori i thotë të sëmurit: si ndihesh?

Transmetohet nga Aishja -radiallahu anha- se ka thënë: “Kur erdhi profeti -alejhi selam- në Medine, Ebu Bekri dhe Bilali ishin të sëmurë me temperaturë. Unë hyra tek ata dhe thashë: O baba, si ndihesh? O Bilal, si ndihesh?”[7].

Si përgjigjet i sëmuri?

Transmetohet nga Seid bin Amër bin Seidi se ka thënë: “Hyri Haxhaxhi tek Ibën Umeri dhe unë isha me të. Ai tha: Si është ai? Ai tha: Mirë! Ai tha: Çtë ka prekur? Ai tha: Më ka prekur ai që urdhëroi për mbartjen e armëve në ditën kur nuk lejohet mbartja e tyre! D.m.th Haxhaxhi”[8].

Ku ulet vizitori?

Transmetohet nga Ibën Abasi -radiallahu anhuma- se ka thënë: “Profeti -alejhi selam- kur vizitonte të sëmurin ulej tek koka e tij pastaj thoshte shtatë herë: Es’elullahel adhim rabel arshil adhim en jeshfijeke (Lus Allahun e madhëruar, Zotin e arshit të madh të shërojë ty). Nëse ishte e caktuar të vdiste shërohej nga sëmundja”[9].

Vizita e grave ndaj burrave

Transmetohet nga Aishja -radiallahu anha- se ka thënë: “Kur erdhi profeti -alejhi selam- në Medine, Ebu Bekri dhe Bilali ishin të sëmurë me temperaturë. Unë hyra tek ata dhe thashë: O baba, si ndihesh? O Bilal, si ndihesh?”[10].

 

Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut

Autor: Husejn el Auajsheh

Përktheu Teuta Xeka

[1]E transmeton Buhariu.

[2]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3]E transmeton Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

[4]E transmeton Muslimi

[5]E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[6]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[7]E transmeton Buhariu dhe një pjesë e tij është tek Muslimi.

[8]E transmeton Buhariu.

[9]E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.

[10]U përmend më lart.