Transmetohet nga Zejd ibn Halid el Xhuheni se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi do të ketë një shpërblim të ngjashëm me të tijin, pa i zvogëluar aspak shpërblimin agjëruesit (që i dha iftarin).”
Transmeton Tirmidhiu 807, dhe Ibn Maxheh 1746. I klasifikuar si sahih nga Ibn Hibani 8/216 dhe nga Albani në “Sahih el xhami” 6415.
Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Ajo që nënkuptohet me dhënien e iftarit është t’i japësh atij aq sa të ngopet.” “El ihtijarat”, fq. 194.
Selefët ishin të prirur për të siguruar ushqim për të tjerët, dhe ata besonin se kjo ishte një nga veprat më të mira.
Njëri prej selefëve ka thënë: Të ftoj dhjetë nga shokët e mi dhe t’i ushqej me ushqimin që u pëlqen, është më e dashur për mua sesa të liroj dhjetë skllevër nga djemtë e Ismailit nga robëria.
Shumë prej selefëve hiqnin dorë nga iftari i tyre për t’ua dhënë të tjerëve, si; Abdullah ibn Umeri, Daud et-Ta’i, Malik ibn Dinar dhe Ahmed ibn Hanbel.
Ibn Umeri e prishte iftarin vetëm me jetimët, të varfërit dhe nevojtarët.
Në mesin e selefëve kishte nga ata që u ofronin ushqim vëllezërve të tyre gjatë agjërimit dhe uleshin dhe u shërbenin, si shembulli i Hasenit dhe Ibn Mubarekut.
Ebu Sivar el Adevi ka thënë: Burrat e fisit Beni Adij faleshin në këtë xhami dhe asnjëri prej tyre nuk e prishte iftarin i vetëm. Nëse gjenin dikë që t’u bashkohej ata hanin me të, përndryshe merrnin ushqimin e tyre në xhami dhe hanin me njerëzit.
Prej ibadetit të sigurimit të ushqimit për njerëzit burojnë edhe shumë ibadete të tjera, si shtimi i dashurisë dhe miqësisë ndaj atyre që u jepet ushqimi, i cili është mjet për të hyrë në xhenet. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të doni njëri-tjetrin.” Muslimi 54.
Gjithashtu, ky veprim sjell praktikën e të ndenjurit me njerëz të mirë dhe llogaritjen e shpërblimit, duke i ndihmuar ata në kryejen e ibadeteve për të cilat marrin forcë duke ngrënë ushqimin e tij.
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: Muaji i Ramazanit
Të Ngjashme
- Festat joislame – Dita e 1 Majit Dr. Fatmir Strumi
- Kushtet e lutjes së pranuar Udha e Besimtarëve
- Agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit kur ka ditë të mbetura nga Ramazani Dr. Fatmir Strumi
- Vlera e agjërimit të gjashtë ditëve të Sheualit Dr. Fatmir Strumi
- Prej dispozitave të sadakasë së Fitrit Dr. Fatmir Strumi