A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?

January 17, 2023

Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?”

| Surja Zumer: 9 |

Gjithashtu ka thënë:

“Allahu i lartëson ata që besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dija në grada të larta.”

| Surja El-Muxhadeleh: 11 |

Gjithashtu ka thënë:

“… dhe thuaj: Zoti im! Ma shto mua dijen.”

| Surja Ta-ha: 114 |

Transmetohet nga Ebu Derda -Allahu qoftë i kënaqur me të- se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- të thotë:

“Ai i cili ndjek rrugën e dijes, atij Allahu ia lehtëson rrugën për në xhenet. Engjëjt i shtrijnë krahët e tyre për kërkuesin e dijes si shprehje e kënaqësisë ndaj asaj që ai vepron. Çdokush kërkon falje (istigfar) për dijetarin madje edhe peshqit në ujë. Vlera e tij ndaj adhuruesit është si vlera që ka hëna ndaj yjeve të tjerë. Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve. Ata (pejgamberët) nuk lanë pas tyre si trashëgimi as dinar (monedhë ari) e as dirhem (monedhë sermi), porse lanë dijen. Ai që e merr atë ka marrë pjesë të bollshme e të mjaftueshme.” Transmeton Ebu Daudi 3641 dhe Tirmidhiu 2682, dhe hadithin e ka saktësuar shejh Albani në “Sahihul-Xhemi” 6297.

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejrja Allahu qoftë i kënaqur me të se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Kur vdes njeriu i ndërpritet vepra e tij përveçse në tre raste:

  • Nëse ka dhënë lëmoshë (sadaka) të rrjedhshme (që i vazhdon dobia e saj edhe pas vdekjes së tij sh.p.).
  • Nëse ka lënë pas tij dije që përfitohet prej saj.
  • Nëse ka lënë pas tij pasardhës të devotshëm i cili lutet për të.” Transmeton Muslimi me nr. 1631.

Shpjegimi:

Dija ka një pozitë të lartë në fenë islame. Allahu i Madhëruar na ka nxitur drejt saj, i ka dalluar njerëzit të cilët merren me të dhe e ka konsideruar kërkimin e saj prej adhurimeve më të mira e prej shkaqeve më madhore të cilat të fusin në xhenet.

Kjo vjen si rrjedhojë se dija dhe mësimi i saj të çojnë drejt njohjes së Allahut, urdhrave e ndalesave të Tij, dhe gjithashtu të nxisin drejt ruajtjes e mbajtjes së fesë. Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve. Pejgamberët i trashëguan njerëzve dijen fetare, e ai i cili ka marrë e përfituar nga kjo dije ai konsiderohet prej trashëgimtarëve të tyre. Allahu nëse i do të mirën dikujt atëherë ia lehtëson mësimin e çështjeve të fesë së Tij.

Dobitë:

  • Vlera e dijes dhe pozita e dijetarëve sepse ata janë trashëgimtarët e pejgamberëve.
  • Kuptimi i fesë është tregues se Allahu ia do të mirën robit të Tij.
  • Kërkimi i dijes është shkak prej shkaqeve të hyrjes në xhenet.
  • Trashëgimia më e mirë të cilën mund ta lërë dikush është dija e dobishme, sepse shpërblimi i saj vazhdon edhe pas vdekjes.

 

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Dosje: , , , ,

Loading...