Vlera e fjalës “nuk e di” në metodologjinë e dijes islame

August 21, 2025

Sheih Meshhur Hasan Al Salman, Allahu e ruajt, ka thënë:

Parimi themelor në dije është fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe mos e ndiq atë për të cilën nuk ke dije.” | El Isra: 36.

Çdo çështje për të cilën njeriu pyetet dhe nuk ka njohuri, duhet të thotë: “Nuk e di.”

Dijetarët thonin: “Kush nuk e përdor shprehjen ‘nuk e di’, atij i është shkatërruar thelbi.”

Disa nga ata që e shoqëronin Imam Malikun kanë thënë:

“Sikur të kishim dashur do kishim mbushur fletoret vetëm me fjalët e imam Malikut: “Mendojmë kështu por nuk jemi të bindur”, apo: “Nuk jemi të sigurt.”

Një njeri erdhi tek ai dhe i tha: “Kam dyzet pyetje.” Imam Maliku iu përgjigj vetëm për dy ose tri prej tyre. Njeriu u habit dhe tha:

“Ti je imami i Darul-Hixhras, Imami i Medinës Profetike, dhe thua ‘nuk e di’?!”

Imam Maliku iu përgjigj me qetësi dhe vendosmëri:

“Dil dhe folu njerëzve me zë të lartë: Maliku nuk e di. Dil, lajmëroji njerëzit se Maliku nuk e di.”

Ç’të dëmton të thuash: Nuk e di?

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos e ndiq atë për të cilën nuk ke dije.” | El Isra: 36.

Dija ngrihet mbi argument, ndërsa imitimi pa argument nuk është dije. Prandaj është thënë: “Nuk imiton veçse budallai ose i padituri.”

Po, imitimi mund të lejohet në rast domosdoshmërie por ai në vetvete nuk përbën dije. Argumentet për këtë janë të shumta.

Detyra e njeriut është që kur flet, të flasë mbi bazën e dijes së saktë. Ky është një parim themelor dhe shtyllë madhore për çdo nxënës dije.

Në mesin e argumenteve të shumta është fjala e Allahut të Lartësuar:

“O ju që besuat, largohuni nga shumë dyshime. Me të vërtetë, disa prej dyshimeve janë mëkat.” | El Huxhurat: 12.

Gjërat që mbështeten vetëm mbi hamendje mos fol për to. Fol vetëm pasi të kesh siguri dhe bindje.

Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu:

“Dhe mos thoni me gjuhët tuaja që shpifin të pavërtetën: ‘Kjo është e lejuar dhe kjo është e ndaluar’, – duke shpifur kështu gënjeshtër ndaj Allahut. Me të vërtetë, ata që shpifin gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë.” | En-Nahl: 116.

Ky është një ligj hyjnor, i pandryshueshëm deri në Ditën e Kiametit:

“Me të vërtetë, ata që shpifin gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë.” | En-Nahl: 116.

 

Pjesë e përfituar nga ligjërata e dytë e sheih Meshhur Hasen Al Selman, me temë; “Nejlul meram fi sherhi ajatil ahkam”.

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...