Kushtet e Lutjes së Pranueshme

April 13, 2026

Teksti: “Lutjet (duatë) dhe kërkimet e mbrojtjes (te’avidhat) janë në pozitën e armës. Mirëpo, arma varet nga ai që e përdor (goditësi) dhe jo vetëm nga mprehtësia e tehut të saj. Sa herë që arma është e përsosur, pa asnjë defekt, dhe krahu (i luftëtarit) është krah i fortë, dhe pengesa mungon: atëherë me të arritet asgjësimi i armikut. Por, kurdo që mungon njëra nga këto të tria, mungon edhe efekti. Pra, nëse duaja në vetvete nuk është e saktë, ose lutësi nuk ka bashkuar zemrën me gjuhën gjatë lutjes, ose ekziston një pengesë që ndalon përgjigjen, atëherë rezultati nuk arrihet.”

Komenti: “Ky është një kapitull madhështor dhe shumë i rëndësishëm në sqarimin e lutjes (duasë) në aspektin e realizimit të efektit ose mungesës së tij.

Realizimi i efektit: do të thotë vërtetimi i ndikimit të lutjes; ose mungesa e efektit: sepse njeriu mund të lutet për veten ose për tjetrin, e pastaj efekti mungon, ose lutet dhe efekti realizohet. Për këtë arsye, ashtu siç e kemi sqaruar më parë, nga edukata e lutjes është që njeriu të mos dorëzohet e të mos nxitohet për përgjigjen duke thënë: ‘U luta e u luta e nuk gjeta përgjigje’.

Përkundrazi, njeriu duhet – dhe këtë e përfitojmë nga ky kapitull madhështor – që gjithmonë ta kontrollojë veten, ta akuzojë atë për mangësi dhe ti shtojë lutjet.

Ta shtojë sinqeritetin (ikhlasin), ta shtojë kthimin tek Allahu dhe ta shtojë këmbënguljen (il-hah). Të mos zbrapset që në fillim të herës, si shembulli i atij që mbjell një farë, dhe kur bëhet gati për të dhënë frutat e saj, ai e neglizhon dhe e braktis për shkak të zgjatjes së kohës.

Në këtë kapitull, Ibn Kajim thotë: ‘”Lutjet (duatë) dhe kërkimet e mbrojtjes (te’avidhat) janë në pozitën e armës. Mirëpo, arma varet nga ai që e përdor (goditësi) dhe jo vetëm nga mprehtësia e tehut të saj.”

A e keni parë nëse një person ka një shpatë të mprehtë, por dora e tij është plotësisht e pafuqishme (e lëshuar), dhe kur godet – ja kështu, dora e tij është e lëshuar – a do të ketë ajo ndonjë efekt?! Nuk ka efekt sepse dora e tij është e dobët. Pra, arma varet nga goditësi, jo vetëm nga mprehtësia.

Me këtë, ai (Allahu e mëshiroftë) ka për qëllim: që lutja, në ekzistencën e dobive, efekteve dhe fryteve të saj, varet nga forca e lutjes. E nga çfarë e fiton lutja forcën? Lutja e fiton forcën nga plotësimi i kushteve dhe rregullave që gjenden në Librin e Allahut dhe në Sunetin e Profetit të Tij. Sa herë që lutja i përmbush kushtet, ajo është më e fortë, më e qëndrueshme dhe më afër përgjigjes.

Prandaj, në hadithet që përmendin edukatën apo kushtet e lutjes, përmendet ky fakt, ku thuhet: Ndonjërit prej jush do ti pranohet lutja përderisa nuk vepron kështu’. Pra, përgjigjja përmendet e kushtëzuar me ato rregulla dhe kufizime.

Pra, arma varet nga goditësi; lutja varet nga forca e lutësit në lutjen e tij. Dhe forca e lutësit i kthehet plotësimit të kushteve të lutjes, kufijve dhe rregullave të saj në Kuran dhe Sunet.

Ai tha: ‘Sa herë që arma është e përsosur, pa asnjë defekt’. Këtu mund të thuash: nëse lutjet janë të sakta, të vërtetuara dhe të transmetuara (nga Profeti).

“Dhe krahu është krah i fortë’: do të thotë lutësi është i fortë që i plotëson kushtet dhe edukatën e lutjes.

“Dhe pengesa mungon’: do të thotë pengesa që ndalon efektin e duasë nuk ekziston.

Sepse tani, nëse vendi që goditet me shpatë – pavarësisht forcës së krahut dhe mprehtësisë së shpatës – do të ishte një shkëmb i fortë dhe i thatë, dhe njeriu e godet me forcën e krahut të tij; a do të ndikojë në të? Një tokë e thatë apo shkëmb i fortë nuk ndikohet për shkak të ekzistencës së një pengese, që është fortësia e vendit.

Pra: Pranueshmëria e vendit (zemrës). Rregullsia e lutjes në vetvete. Forca e lutësit.

Nëse bashkohen këto të tria, arrihet dobia, ashtu siç arrihet asgjësimi i armikut. Dhe kurdo që mungon njëra nga këto të tria, ka për të munguar edhe efekti.”

Teksti: ‘Nëse duaja në vetvete nuk është e saktë, ose lutësi nuk ka bashkuar zemrën me gjuhën gjatë lutjes – pra kjo tregon dobësi të duasë dhe mungesë të forcës së saj – ose kur ekziston ndonjë pengesë nga përgjigjja, rezultati (efekti) nuk arrihet’.”

Komenti: Ky është një sqarim shumë i rëndësishëm. Dobia e këtij sqarimi është se sa herë që njeriu nuk e sheh efektin e duasë, ai nuk duhet të fajësojë askënd përveç vetes së tij. Pra nuk duhet të ngarkojë me faj askënd tjetër përveç vetvetes. Ti kthehet vetes me (akuzën për) mangësi: ‘ndoshta kam këtë mangësi, ndoshta atë…’. Kështu, ai e shton këmbënguljen, përsërit kërkesën, i drejtohet Allahut me sinqeritet, është i pastër në lutjen e tij dhe i vërtetë në shpresën e tij tek Allahu i Madhëruar.

Dosje:

Loading...