Vlera e mësimit përmendësh të Kuranit

December 30, 2019

Vlera e mësimit përmendësh të Kuranit

Shejhu dr. Seid el Kemili citon një nga dijetarët i cili përshkruan programin mësimor që ndiqej në Marok:
“Metoda e banorëve të Marokut në mësimin e fëmijëve të tyre është si fillim memorizimi i Kuranit. Ata nuk përziejnë asgjë me Kuranin; as hadith, as rregulla fetare (fikh), as poezi, derisa të arrijë memorizimin e tij ose t’a lërë atë. Duke ndërprerë memorizimin e Kuranit ai ndërpritet edhe nga dituria.”

Thotë shejh Kemili: “Sikur të zbatohej kjo gjë në ditët e sotme, do të zhdukeshin shumë nga problemet që ekzistojnë mes nesh. Këto probleme që ekzistojnë mes nxënësve të dijes, trazirat, mosmarrëveshjet… Shumë prej atyre që thonë ‘jam nxënës dije’ nuk e di Kuranin përmendësh. Nëse do t’a mësonte Kuranin përmendësh do të fitonte shumë. E para gjë që do fitonte është se do kuptonte mundin e madh që ka nevojë të shpenzojë njeriu për të mësuar vetëm Kuranin, edhe pasi t’a mësojë Kuranin nuk quhet dijetar.

Ne në Marok nuk e quajmë as nxënës dije por themi për të “Talib” (nxënës). Nxënës tek ne sipas terminologjisë së vendit i thonë hafizit të Kuranit. ‘Filani? – Ah po, ai është nxënës.’ Nëse krahasohet me popullin në përgjithësi është më lartë, por nuk quhet dijetar (fekih).
Pra, ose fillimisht mëson Kuranin përmendësh pastaj kalon tek gjërat e tjera, ose nuk e mëson dot Kuranin dhe ndërpritet kështu nga dija dhe vazhdon merret me ndonjë zanat apo profesion. Kësisoj ai nuk e gjen mejdanin të mbushur me këto trazira (sh.p.: kategorizime, gibet në emër të diturisë nën maskën e ruajtjes së sunetit nga ana e injorantëve, ndarje… etj.)
Pas kësaj nëse fillon të ecë në rrugën e dijes në pjesën më të madhe të rasteve do të kuptojë dhe mësojë diskutimet akademike mes dijetarëve.”
Them atë që kam thënë dikur: Sa kollaj është të thuash: ‘Filani s’bën, filani kështu e filani ashtu…’ – i rrëzon të gjithë. Dhe kush mbetet? Vetëm ti.
Kjo është kollaj e bën kushdo, por të merresh me diturinë, të edukosh veten me të e pastaj të tjerët ky është qëllimi. Të zerë vend tek ti hadithi: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit.”
Do ta purifikojë atë frika prej hadithit të atyre të treve me të cilët ndizet zjarri në Ditën e Gjykimit, dhe sa herë që të dëgjojë njerëzit të thonë për të: ‘Filani është i ditur’, do t’i kujtohet pjesa e hadithit që thotë: ‘Dhe ashtu u tha’. Do qajë me dënesë në vetmi e do t’i lutet Allahut nga thellësia e shpirtit të mos jetë prej tyre. Pra, do të realizohet zakoni i diturisë tek njerëzit dhe fjala që kanë thënë dijetarët: “Kërkimi i diturisë është obligim dhe për zemrat e sëmura është shërim.” Ose do t’a shikojë që s’është për këtë punë dhe do t’ua lerë atyre që u hodh mbi supe.

Allahu i ndihmoftë!

Përktheu: Emin Bilali

Loading...