Vlerat e Abdullah bin Mesudit, Ebu Ubejde bin Xherrah dhe Sad bin Ebi Uekas

March 12, 2017

Vlerat e sahabiut të nderuar Sad bin Ebi Uekas, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

 115/129 (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Beshar se ka thënë: Na ka treguar Muhamed bin Xhafer se ka thënë: Na ka treguar Shubeh, nga Sad bin Ibrahim, nga Abdullah bin Shedad, nga Aliu radijAllahu anhu se ka thënë: Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem t’i thotë dikujt: “T’u bëfshin kurban babai dhe nëna ime për ty” pas Sad bin Malik. Ai i tha ditën e Uhudit: “Gjuaj o Sad, u bëfshin kurban për ty babai dhe nëna ime!”[1]

 116/130 (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Rumhi se ka thënë: Na ka lajmëruar Lejth bin Sad (ح), na ka treguar Hisham bin Amar se ka thënë: Na ka treguar hatim bin Ismail dhe Ismail bin Ajjash, nga Jahja bin Seid, nga Seid bin el-Musejib radijAllahu anhu se ka thënë: E kam dëgjuar Sad bin Ebi Uekas të thotë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ditën e Uhudit përmendi të dy prindërit e tij për mua, duke thënë: “Gjuaj o Sad, u bëfshin kurban për ty babai dhe nëna ime!”[2]

 117/131 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed se ka thënë: Na ka treguar Abdullah bin Idris, daja im Jala dhe Uekiu, nga Ismaili, nga Kajsi se ka thënë: E kam dëgjuar Sad bin Ebi Uekas të thotë: “Unë jam i pari nga arabët që kam gjuajtur me shigjetë në rrugë të Allahut.”[3]

 118/132 (Sahih) Na ka treguar Mesruk bin el-Merzubani se ka thënë: Na ka treguar Jahja bin Ebi Zaideh, nga Hishami se ka thënë: E kam dëgjuar Seid bin el-Musejjib të thotë: Sad bin Ebi Uekasi ka thënë: “Askush nuk e ka pranuar Islamin atë ditë që e kam pranuar unë. Kam qëndruar shtatë ditë, ndërsa unë isha i treti[4] që kisha pranuar Islamin.”[5]

Vlera e Ebu Ubejde bin Xherrah, radijAllahu anhu.

121/135 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed se ka thënë: Na ka treguar Uekiu: Nga Sufjani (ح), na ka treguar Muhamed bin Beshar se ka thënë: Na ka treguar Muhamed bin Xhaferr se ka thënë: Na ka treguar Shubeh dhe të gjithë nga Ebi Is’haku, nga Sileh bin Zufer, nga Hudhejfe radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahu sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u tha banorëve të Nexhranit: “Do të dërgoj me ju një njeri që me të vërtetë është i besueshëm.” Tha: Njerëzit hodhën shikimin drejt tij dhe ai dërgoi Ebu Ubejdeh bin el-Xherrah.[6]

122/136 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed se ka thënë: Na ka treguar Jahja bin Adem se ka thënë: Na ka treguar Ismaili, nga Ebi Is’hak, nga Sileh bin Zufer, nga Abdullahu radijAllahu anhu se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha për Ebu Ubejde bin Xherrah: “Ky është besniku i këtij populli (umeti).”[7]

Ai është Amir bin Abdullah bin el-Xherrah bin Hilal el-Kurashi el-Fehri, i njohur me kunjën e tij dhe me emrin e gjyshit të tij. Një prej të parëve në Islam. Ka bërë dy shpërnguljet dhe ka marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe të tjerat pas saj. Ky është ai që hoqi dy ganxhat nga fytyra e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe që i ranë dy dhëmbë. Ka vdekur në vitin 18 hixhri në moshën 58 vjeç. Transmeton Tirmidhiu në “El-Xhami” nga Abdurrahman bin Aufi, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ebu Bekri do të hyjë në xhenet, Umeri do të hyjë në xhenet, Uthmani do të hyjë në xhenet, Aliu do të hyjë në xhenet, Talha do të hyjë në xhenet, Zubejri do të hyjë në xhenet, Abdurrahman bin Aufi do të hyjë në xhenet, Sadi do të hyjë në xhenet, Seidi do të hyjë në xhenet, dhe Ebu Ubejde bin Xherrah do të hyjë në xhenet.”

Vlera e Abdullah bin Mesudit, radijAllahu anhu.

123/138 (Sahih) Na ka treguar Hasen bin Ali el-Khalalu se ka thënë: Na ka treguar Jahja bin Adem se ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekr bin Ajjash, nga Asimi, nga Zirri, nga Abdullah bin Mesudi radijAllahu anhu se Ebu Bekri dhe Umeri e përgëzuan atë se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush dëshiron ta lexojë Kuranin ashtu siç ka zbritur, atëherë le ta lexojë atë sipas leximit të Ibën Umi Abdit (Ibën Mesudit).”[8]

124/139. (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed se ka thënë: Na ka treguar Abdullah bin Idris, nga Hasen bin Ubejdullah, nga Ibrahim bin Suvejd, nga Abdurrahman bin Jezid, nga Abdullahu radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, më tha: “Shenja që ke leje të hysh në shtëpine time sa herë të duash është që të ngrihet perdja, e pastaj mund të dëgjosh bisedat e mia personale. Kjo vlen deri sa nuk të ndaloj.”[9]

Përktheu: Unejs Sheme

—————————————————

[1] Buhariu 2905, Muslimi 2411, Tirmidhiu 3755, dhe “Tuhfeh” 10190.

[2] Buhariu 3725, Muslimi 2412, Tirmidhiu 2830, dhe “Tuhfeh” 3857.

[3] Buhariu 3728, Muslimi 2966, Tirmidhiu 2365, “Muhtesar esh-shemail el-muhamedijjeh” 114, dhe “Tuhfeh” 3913.

[4] Mbase ai ka pasur për qëllim me dy të tjerët Hatixhen dhe Ebu Bekrin, ose Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe Ebu Bekrin. Ose ai (Sad bin ebi Uekas) ka pasur për qëllim (isha i treti që pranova Islamin) vetëm burrat e lirë (jo robërit) dhe jo fëmijët.

[5] Buhariu 3727, dhe “Tuhfeh” 3859.

[6] Buhariu 3745, Muslimi 2420, Tirmidhiu 3796, dhe “Tuhfeh” 3350.

[7] “Tuhfeh” 9316.

[8] “Es-Sahihah” 2301, “Tahrixhul-muhtarah” nr. 13-14, 222 dhe 253-254, dhe “Tuhfeh” 9209.

[9] Muslimi 2169, “Es-sahihah” 1427, dhe “Tuhfeh” 9388.

Loading...