Vlera e dijes

December 30, 2021

Vlerat e diturisë dhe çfarë lidhet me të.

Allahu i Madhëruar i nxjerr në pah vlerat e diturisë, duke thënë: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”[1]

Gjithashtu ka thënë: “Allahu do t’i ngrejë në gradë (dhe shkallë) ata prej jush që besuan dhe që u është dhënë dituria.”[2]

Duke e komentuar ajetin e mësipërm, Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Dijetarët do të jenë shtatëqind gradë më lart se besimtarët e tjerë, ndërsa distanca ndërmjet secilës gradë dhe tjetrës është sa pesëqind vite ecje.”

Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij Allahut i frikësohen vetëm dijetarët.”[3]

Në dy librat e saktë të hadithit përcillet hadithi i Muavije Ibën Ebi Sufjanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), i cili ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) duke thënë: “Nëse Allahu i’a dëshiron dikujt të mirën, e ndihmon atë të kuptoje fenë (Islamin).”[4]

Në këtë kontekst,  Ebu Umame (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjell se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) u informua për dy burra, njëri adhurues i devotshëm dhe tjetri dijetar. I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) tha: “Vlera e dijetarit krahasuar me adhuruesin e devotshëm është më e lartë, ngjashëm me vlerën që kam unë kundrejt njeriut më të thjeshtë ndër ju.”

Pastaj, i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) shtoi duke thënë: “Vërtet, Allahu, engjëjt e Tij, banorët e qiejve dhe të tokës, madje edhe milingona në folenë e saj dhe balena në det luten për atë që u mëson njerëzve të mirën.” E përcjell Tirmidhiu dhe tha: Hadithi është i mirë dhe i saktë.[5]

Në një version tjetër ka thënë: “Dijetari është më superior ndaj adhuruesit të devotshëm po aq sa hëna e plotë është superiore ndaj planetëve të tjerë. Dijetarët nuk kanë lënë pas dinar apo dirhem, përkundrazi, ata kanë lënë pas dijen. Kushdo që e kërkon dhe merr prej saj do të ketë një fitim i madh.”[6]

Safuan Ibën Asal (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Me siguri, engjëjt i hapin krahët e tyre për kërkuesin e dijes nga gëzimi dhe kënaqësia për dijen që ai kërkon.” E përcjell Imam Ahmedi dhe Ibën Maxheh.[7]

El Hatabi duke e komentuar hapjen e krahëve tek engjëjt përmend tri mendime:

I pari: Ata i shtrijnë krahët e tyre. I dyti: Vjen në kuptimin e modestisë dhe nderimit për kërkuesin e dijes. I treti: Tregon se ata zbresin dhe ulen në tubimet e dijes dhe nuk fluturojnë.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush ecën në një rrugë për të kërkuar dituri Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për të hyrë në Xhenet.” E përcjell Muslimi.[8]

Transmetohet nga Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) se ka thënë: “Kushdo që vdes duke kërkuar dituri për të ringjallur me të Islamin, mes tij dhe Pejgamberëve në Xhenet do të ketë diferencë vetëm një shkallë.”[9] Rreth kësaj ekzistojnë shumë transmetime të tjera.

Disa njerëz të mençur kanë thënë: Sa do të dëshiroja të dija se çfarë arriti ai që humbi dijen dhe çfarë humbi ai që arriti të përvetësojë dijen!

Për vlerat e mësimdhënies transmetohet edhe hadithi i Sehl ibn Sadit (Allahu qoftë i kënaqur me të)  i përmendur tek dy librat e saktë, ku i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i ka thënë Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të): Të udhëzojë Allahu përmes teje një njeri, është më e mirë për ty sesa të kesh deve të kuqe (të shtrenjta).”[10]

Ibën Abasi ka thënë: “Ai që u mëson njerëzve virtytin për të lutet çdo gjallesë, madje edhe balena në thellësitë e detit.” Diçka e ngjashme është transmetuar edhe si hadith nga Profeti (salaAllahu alejhi ve sel-lem).[11]

Dikush mund të pyesë: Në ç’pikëpamje balena kërkon falje për mësuesin? Përgjigje: Sepse dobia e dijes përfshin çdo send madje edhe balenën. Dijetarët përmes diturisë kanë mësuar atë që lejohet dhe atë që ndalohet. Ata porosisin për mirësjellje ndaj çdo gjëje madje edhe ndaj kafshëve që theren[12] apo balenës. Prandaj, Allahu ua mundësoi të gjithave (gjallesave) kërkimin e faljes për këta njerëz si shpërblim për veprimin e tyre të virtytshëm.

Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjell se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Shembulli i udhëzimit dhe i diturisë me të cilën më dërgoi Allahu është si shiu i bollshëm që bie mbi tokë. Një pjesë e saj ishte tokë pjellore që e përthithi shiun dhe kështu dha bimësi dhe bar me bollëk. Një pjesë tjetër e tokës ishte e fortë (jo pjellore) që e mbajti ujin e shiut dhe Allahu me të u bëri dobi njerëzve sepse e përdorën për të pirë, për tu dhënë kafshëve të tyre dhe për të ujitur tokën. Një pjesë tjetër ishte tokë e sheshtë (djerrë) që nuk e mban ujin dhe nuk prodhon bimësi. I pari është shembulli i atij i cili e kuptoi fenë e Allahut dhe përfitoi dobi (nga dituria) të cilën Allahu e shpalli përmes meje, pra mësoi për vete dhe i mësoi të tjerët. Dhe shembulli tjetër është i atij njeriu që nuk u kujdes për të (dijen) dhe nuk e pranoi udhëzimin e Allahut të shpallur përmes meje.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.[13]

Shiko pra, Allahu të mëshiroftë, se sa aktual është ky hadith tek njerëzit. Fakihët (juristët) janë të zotët e kuptimit si shembulli i tokës që e përthith ujin dhe nxjerr bimësinë. Ata mësuan dhe kuptuan, degëzuan dhe i mësuan të tjerët. Ndërsa pikësynimi i përçimit që bëjnë disa bartës hadithesh, pra prej atyre që nuk e patën fatin të kuptonin, është se ata i ngjajnë tokës së fortë që e mbledh ujin dhe njerëzit përfitojnë prej tij. Ndërsa ata që e dëgjuan por nuk mësuan dhe nuk e ruajtën, ata janë pjesë e shumicës që u takojnë të paditurve.[14]

Hasani (Allahu e mëshiroftë) transmetohet të ketë thënë: “Po të mos ishin dijetarët, njerëzit do të ishin si kafshët.”

Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Mësojeni diturinë, sepse mësimi i diturisë për hir të Allahut është frikë-respekt, kërkimi i saj është adhurim, studimi i saj është madhërim (ndaj Allahut). Hulumtimi pas saj është (një lloj) xhihad (përpjekje në rrugën e Allahut), t’i mësosh ata që nuk dinë është sadaka, dhe përhapja e saj është adhurim. Dituria është shoqruesi më i mirë në vetmi dhe shoqëria më e mirë në intimitet.[15]

Keabi (Allahu e mëshiroftë) transmeton se Allahu i Lartësuar i shpalli Musait (alejhi selam) duke i thënë: O Musa, mësoje të mirën dhe mësojua njerëzve, sepse Unë kam për t’a ndriçuar varrin e atyre që e mësojnë të mirën dhe ua mësojnë atë edhe njerëzve aq sa nuk do të ndihen të vetmuar në varret e tyre.

‘Muhtesar Minhaxh el-Kasidin’

(Drejt ahiretit)

Ibn Kudameh el-Makdisi

Përktheu: Fatjon Isufi

—————————————–

[1] Suretu Zumer; 9.

[2] Suretu el Muxhadeleh; 11.

[3] Suretu Fatir; 28.

[4] E përcjell Buhariu (6/152), dhe Muslimi me nr. 1037.

[5] Me nr. 2686, por në zinxhirin e këtij transmetimi ka dobësi. E përcjell Darimiu 1/88 nga Mekhuli me sened të mirë por Mursel, dhe  1/97-98 nga Hasen el Basriu me sened të mirë por Mursel. Dhe kështu transmetimet përfocojnë njëri-tjetrin.

[6] Hadith i mirë (hasen). E përcjell Ebu Daudi me nr. 3641, Darimiu 1/98, Ahmedi 5/196, Begaviu me nr. 129, dhe Tirmidhiu me nr. 2684. Hadithi përforcohet edhe me dëshmi të tjera siç shënohet në el Fet’h 1/169.

[7] E përcjell Tirmidhiu me nr. 3535, Ibn Maxheh me nr. 226, Ibn Hiban me nr. 79, Ahmedi 4/239-240, Ibn Huzejme me nr. 193 dhe hadithi është i saktë.

[8] E përcjell Muslimi me nr. 2699, Ebu Daudi me nr. 2643 dhe Tirmidhiu me nr. 2648.

[9] E përcjell Darimiu 1/100 si hadith mursel nga Haseni, Ibën Nexhar në ‘Dhejl Tarijh el Bagdad’ 3/131, El Hejthemi në ‘Mexhma ez Zevaid’ 1/123. Taberaniu në ‘El Eusat’ ka thënë: Në zinxhirin e transmetimit gjendet Muhamed bin Xhead të cilin e kanë braktisur në transmetime. Për më trepër shih ‘Ithaf es Sadeh el Mutekin’ 1/100-101 sepse aty ka studim të zgjeruar për këtë transmetim.

[10] E përcjell Buhariu 7/58, Muslimi me nr. 2406, Ebu Daudi me nr. 3661 nga Sehl bin Seadi. Bagëtitë e përmendura në hadith janë devetë e kuqe që konsideroheshin si pasuria më e çmuar e Arabëve. Ata i merrnin si shembull për të treguar cilësinë e diçkaje dhe se nuk kishte më të vyer se ato.

[11] Siç e kemi cekur më parë.

[12] Siç thuhet në fjalën e Profetit (salAllahu alejhi ve sel-lem): “Allahu i Madhëruar e ka bërë detyrë mirësinë për çdo gjë. Prandaj, kur të vrisni dikë (ndonjë armik në luftë) vriteni  me  sa  më  pak  vuajtje, kur  të  therni ndonjë  kafshë mundohuni t’a therni  në  mënyrën  më  të mirë.” E përcjell Muslimi me nr. 1955, Tirmidhiu me nr. 1409, Ebu Daudi me nr. 2815, Nesaiu 7/227 nga Shedad bin Evsi.

[13] E përcjell Buhariu 1/185, dhe Muslimi me nr. 2282.

[14] Kjo nuk mund të thuhet në mënyrë të përgjithshme sepse shumica e juristëve të hershëm kanë qenë hadithologë, ndërsa ata që kanë lënë mangut i kanë bërë dëm vetes.

[15] Disa e përmendën këtë fjalë si hadith të Profetit (salAllahu alejhi ve sel-lem) por kjo nuk saktësohet. Në ‘Tenzijh esh Sheriah’ 1/281 të ibn Arakut përmendet si fjalë sahabiu por është transmetim i dobët. E përcjell Ebu Nuajmi në ‘El Hiljeh’ 1/239 me zinxhir transmetuuesish të panjohur. Për më tepër shih ‘Xhami bejan el Ilm’ 1/65 dhe ‘El Xhami el Kebir’ 2/453.

Dosje:

Loading...