E Xhumaja është festa e muslimanëve

April 11, 2019

E Xhumaja është festa e muslimanëve.

  • Ndarja e kohës në javë.

Njësia më e vogël kryesore e matjes së kohës është dita. Shtatë të tilla përbëjnë një javë, pastaj të tjerat janë përsëritje e tyre ku nëpërmjet këtij cikli formohen muajt dhe vitet.

Grupimi i ditëve në javë ka lidhje me një realitet të vjetër historik, që është fillimi i krijimit të kësaj bote.

Sheihul-Islam ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Çdo umet që nuk ka pasur libër, nuk ka në gjuhën e tij ditët e javës. Ata në gjuhët e tyre kanë emrin ditë, muaj dhe vit, sepse ato kapen nëpërmjet shqisave dhe logjikës. Prandaj dhe ata u kanë vendosur emra sepse shprehjet pasojnë imagjinatën.

Ndërsa për sa i përket javës ajo nuk është njohur veçse me atë të dëgjimit. Nuk e kemi ditur se Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj është lartësuar mbi Arsh, veçse nëpërmjet lajmeve të profetëve. Atyre u është kërkuar të mblidhen një ditë në javë për t’a adhuruar Allahun dhe për të ruajtur me të javën e parë të krijimit me të cilën Allahu i Madhëruar ka filluar krijimin e kësaj bote.” Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 7/95. Pra, java simbolizon krijimin e parë dhe është bërë në të një ditë feste që të adhurohet Allahu dhe të ruhet ndarja e kohës, dhe ajo është dita e xhuma.

Ibn Abasi (radiallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) në lidhje me xhumanë ka thënë: “Kjo është një ditë feste të cilën e ka caktuar Allahu për muslimanët. Kush vjen për në xhuma le të lahet, nëse ka parfum të parfumoset dhe të përdorë misvakun.” E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani.

Kjo ditë përmban të gjitha karakteristikat që kanë dy festat e mëdha, Fitri dhe Kurbani, si; pastrimin, bashkimin, namazin dhe ligjërimin. Madje nuk është lejuar as agjërimi i saj siç nuk lejohet as agjërimi i dy festave të mëdha, siç ua këshillonte Ebu Dherri (radiallahu anhu) disa tabi’inëve kur i shihte me agjërim në atë ditë. Ai thonte: Ju lutem për hir të Allahut t’a çelni, se kjo ditë është ditë feste. E transmeton Ibn Ebi Shejbe dhe e saktëson sheih Albani.

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...