Zonja e grave të Xhenetit Fatimja e bija e Profetit

“Nuk kam parë njeri më të mirë se Fatimeja, përveç babait të saj.” (Thënie nga nëna e besimtarëve Aishja.)

Kraharori i sahabiut të madh Abdullah ibën Mesudit gati sa nuk po shpërthente nga dhimbja, tek shihte me sytë e tij atë që po ndodhte para tij në oborrin e xhamisë së shenjtë të Mekës. Dhimbjen ia shtoi e qeshura e lartë e Ebu Xhehlit dhe e shokëve të tij mendjelehtë. Ata e kishin parë Profetin, paqja qoftë mbi të, tek falej pranë xhamisë së shenjtë pas vdekjes së xhaxhait të tij Ebu Talibit i cili e mbronte atë nga sulmet e idhujtarëve.

Armiku i Zotit, Ebu Xhehli, i pyeti shokët e tij: “Cili nga ju do të shkojë të marrë zorrët e devesë së therur te filan fis dhe t’ia hedhë Muhamedit mbi shpatulla kur të jetë në sexhde?’’ Kësaj kërkese iu përgjigj krimineli Ukbah ibën ebi Muajti. Ai ia hodhi zorrët e devesë Profetit paqja qoftë mbi të mbi shpatulla, në kohën që ai kishte rënë në sexhde. Sakaq, ata kriminelë ia plasën të qeshurave me të madhe ndërsa Profeti paqja qoftë mbi të nuk bëri asnjë lëvizje. Abdullah ibën Mesudi u hutua nga kjo skenë që kishte para syve dhe nuk diti ç’të bënte, pasiqë Profeti paqja qoftë mbi të u kishte dhënë urdhër të bënin durim ndaj lëndimeve të shkaktuara nga idhujtarët, si dhe ua kishte ndaluar të luftonin me ta në periudhën e hershme të propagandës islame. Njëkohësisht, Abdullah ibën Mes’udi ishte ndër të shtypurit në Mekë të cilët nuk kishin imunitet. Nëse ndërhynte për ta mbrojtur Profetin paqja qoftë mbi të do të niste një konflikt midis tyre, gjë e cila do t’i fuste muslimanët në një luftë e cila nuk i duhej në atë periudhë të hershme. Ndërkaq Abdullah ibën Mesudit i zunë sytë një vajzë të vogël nën dhjetë vjeç, duke vrapuar si rrufe nga larg mes rrugicave të Mekës në drejtim të të dërguarit të Zotit – paqja e Zotit qoftë mbi të.

Ajo u afrua dhe hoqi zorrët e devesë nga shpatullat e tij me duart e saj të vogla, pastaj iu kthye Ebu Xhehlit dhe shokëve të tij mendjelehtë dhe i shau me zërin e saj fëminor që dukej sikur ishte një mbretëreshë e madhe. Ebu Xhehli dhe shokët e tij u tronditën nga guximi i kësaj vajze trime dhe pyetën njëri-tjetrin për identitetin e saj. Përgjigja erdhi: Ajo është Fatimeja, vajza e Muhamedit.

Fatimeja, vajza e Muhamedit nuk ishte vetëm një heroinë, por ajo ishte vajza e dy prindërve heronj, vajza e hallës së një heroi, gruaja e një heroi dhe nëna e dy heronjve të mëdhenj. Nëse heroizmi do merrte një formë dhe do donte të përzgjidhte një emër, nuk do gjente emër tjetër veç emrit Fatime. E pse jo, ndërkohë që ajo ishte nxënëse e familjes profetike e cila u rrit në krahët e krijesës më të guximshme që Zoti krijoi në botë, në krahët e babait të saj i cili e donte atë me një dashuri që asnjë baba nuk ka patur ndonjëherë për vajzën e tij në gjithë historinë e botës. Pasha Allahun! E imagjinoj Profetin e Allahut, paqja qoftë mbi të, të shtrirë në shtratin e vdekjes dhe Fatimen që hyn në dhomën e tij, e ai nuk e di nëse pesha e vdekjes është më e rëndë për të apo ndjenja e tij e dobësisë për të mos qenë në gjendje për t’u çuar në këmbë për vajzën e tij të dashur që ta puth në ballë?! Profeti i mëshirës ngrihej gjithmonë nga vendi kur vajza e tij vinte tek ai për ta puthur në ballë, dhe pastaj e ulte atë në vendin e tij. Por kjo ishte hera e vetme kur ai nuk ishte i aftë të çohej për vajzën e tij të shtrenjtë, hera e vetme kur njeriu më i madh i njerëzimit ndihej i pafuqishëm për të puthur vajzën e tij në ballë.

Tregimet e Fatimes, Zoti qoftë i kënaqur me të, mbi heroizmin dhe fisnikërinë e saj janë aq shumë sa nuk numërohen dhe aq të madhërishme sa nuk dalin për to disa faqe të një libri. Madje as një milion libra nuk do dilnin për të përshkruar madhështinë e Fatimes, bijës së Muhamedit. Nuk jemi duke folur për zonjën e parë të ndonjë shteti arab e as për zonjën e fisme të një shoqërie aristokrate. Po flasim për zonjën e grave të Xhenetit e cila mbart një fisnikëri që pena ime është e paaftë të shkruaj diçka më tepër se kaq. E ç’mund të jem në gjendje të shkruaj unë për një zonjë e cila është zonja e grave të Xhenetit!?

E vërteta që shumica e vajzave tona nuk e dinë – të cilat kërkojnë shumë kur dikush u kërkon dorën -, është se mehri i kësaj zonje e cila ishte e bija e zotërisë më të madh ishte një parzmore që ishte në pronësinë e kalorësit Ali ibën Ebi Talibit, Allahu qoftë i kënaqur me të. Si dhe gjëja tjetër që shumë nga vajzat tona – të cilat besojnë se ato janë mbretëreshat e botës – nuk e dinë se i Dërguari i Zotit paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të nuk gjeti asgjë për t’i dhënë në pajë vajzës së tij në ditën e martesës përveç se; një kupë për të pirë ujë, dy shtamba, një pellush, një jastëk të mbushur me gjethe të thata dhe dy mullinj dore për të bluar. Kjo zonjë e madhe e bluante elbin derisa i lëndoheshin duart. Ajo e mbarte ujin me shtambë derisa i kërrusej shpina, e pastronte shtëpinë e burrit të saj derisa i prisheshin rrobat. E ndizte vetë zjarrin për të gatuar derisa i digjeshin rrobat. Ajo e ndante varfërinë dhe lodhjen me burrin e saj, gjë e cila ndikoi në lodhje fizike. E si mund të jeni ju si Fatimeja e cila ishte më e madhe se ju, dhe babai i saj ishte më i madh se baballarët tuaj?!

E vërteta është se zonja e madhe Fatimeja nuk e fitoi këtë madhështi nga hiçi.  Por ashtu siç ishte vajza e të Dërguarit të Zotit ajo ishte gjithashtu vajza e një zonje të madhe. Fatimeja ishte vajza e bashkëshortes më të madhërishme që ka njohur historia njerëzore. Një bashkëshorte e cila çdo burrë në botë do dëshironte që gruaja e tij të kishte një të njëqindën e madhështisë së saj, në durim, në ndjenja dhe në mbështetjen ndaj bashkëshortit të saj.

Allahu qoftë i kënaqur me Fatimen, vajzën e Profetit!

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi