Cilësitë e Profetit (alejhi selam) dhe prejardhja e tij (Pjesa e parë)

Allahu i Madhëruar thotë: Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit.[1] (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh. (Fet’h, 29)

Takimi i kësaj dite – në dashtë Allahu i Madhëruar – do të jetë rreth historisë së Profetit (alejhi selam) dhe do të mundohemi të trajtojmë nëntemat e mëposhtme:

E para: I dërguari ynë Muhamedi (alejhi selam), është më i dashur për ne se çdo gjë tjetër.

E dyta: I dërguari ynë Muhamedi (alejhi selam), është më i nderuari  i njerëzve për nga prejardhja.

E treta: Ai ishte njeriu më i mirë në moral dhe në fizik.

E katërta: Emrat e tij që janë përmendur në Kuranin famëlartë dhe në sunetin Profetik.

E para: I dërguari ynë Muhamedi (alejhi selam), është më i dashur për ne se çdo gjë tjetër.

E themi këtë, sepse ai ka thënë: “Asnjëri nga ju nuk beson (me besim të plotë) derisa unë të jem më i dashur për të se babai i tij, fëmija i tij, dhe gjithë njerëzimi.” [E përcjell Buahriu me nr 15, Muslimi me nr 44.].

Pra dashuria ndaj Profetit (alejhi selam) është fe dhe pjesë e besimit tonë.

Ndërsa Umeri iu drejtua Profetit duke i thënë: O i dërguar i Allahut! Ti je më i dashur për mua se çdo gjë tjetër, përveç vetes time. Profeti (alejhi selam) i tha: Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, derisa të jem tek ti më i dashur se vetja jote. Umeri i tha: Tani, ti je më i dashur tek unë dhe se vetja ime. Profeti (alejhi selam) i tha: Tani po o Umer.” [E përcjell Buhariu me nr 6642].

Dashuria ndaj Profetit është fe dhe besim, sepse Allahu i Lartësuar përmes tij, na nxorri nga errësirat në dritë, nga mosbesimi në besim, nga idhujtaria në monoteizëm (teuhid). Profeti ynë, është më i kujdesshëm ndaj nesh, seç mund të jemi ne për vetet tona. Allahu i Lartësuar ka thënë: “I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin.” (Ahzab, 6).

Gjithashtu ka thënë: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.”  (Teube, 128).

Nisur nga kjo, Allahu i Madhëruar i qorton dhe i quan mëkatarë ata që duan baballarët, fëmijët, vëllezërit, bashkëshortët, fisin, pasurinë,  tregtinë, dhe vendbanimet, më shumë se dashurinë ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.” (Teube, 24).

Kjo dashuri, përfaqësohet denjësisht duke ndjekur rrugën e tij, në kapjen fort pas sunetit të tij, dhe përhapjen e kësaj tradite (suneti) tek njerëzit.

E dyta: I dërguari ynë Muhamedi (alejhi selam), është më i nderuari  i njerëzve për nga prejardhja.

Profetët dhe të dërguarit e Zotit janë me prejardhjen më të nderuar, dhe më të mirët në krijim dhe në moral. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu e di më mirë se kujt ia jep mesazhin e Vet.”  (Enam, 124)

Herakliu, mbreti i romakëve, kur e pyeti Ebu Sufjan bin Harbin rreth gjeanologjisë së Profetit (alejhi selam): Si konsiderohet prejardhja e tij tek ju? Ebu Sufjani i tha: Ai është me prejardhje të fisme nga mesi ynë. Pastaj Herakliu tha: Të pyeta për prejardhjen e tij dhe përmende se ai tek ju ka prejardhje të fisme. Kështu janë të dërguarit. Ata dërgohen nga dyert e fisme të popullit të tyre. [E përcjell Buhariu me nr 7 dhe Muslimi me nr 1773].

Domethënë nga prejardhjet më fisnike dhe në fiset më të mëdha – paqja qoftë mbi të gjithë ata.

I dërguari ynë Muhamedi (alejhi selam) është kreu i profetëve në çdo virtyt, është zotëriu i bijve të Ademit, krenaria e tyre në dunja dhe ahiret.

Ejani të dëgjojmë të dërguarin e Allahut se si na tregon për prejardhjen e tij fisnike duke thënë “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar zgjodhi bijtë e Kinanes nga bijtë e Ismailit, dhe nga bijtë e Kinanes zgjodhi Kurejshët. Nga Kurejshët zgjodhi bijtë e Hashimit, dhe nga bijtë e Hashimit më zgjodhi mua.” [E përcjell Muslimi me nr 2276].

Abasi thotë: Profetit (alejhi selam) i erdhën në vesh disa fjalë që thonin njerëzit, për këtë arsye ai u ngjit në minber dhe i pyeti të pranishmit: Kush jam unë? Ata thanë: Ti je i dërguari i Allahut! Ai tha: Unë jam Muhamedi, i biri i Abdullahut, të birit të AbdulMutalibit. Allahu i krijoi krijesat dhe më bëri mua prej krijesave më të mira. Pasta i ndau në dy grupe  dhe mua më bëri nga grupi më i mirë. Pastaj i ndau ata në fise, dhe mua më bëri nga fisi më i mirë. Pastaj i ndau nëpër shtëpi, dhe mua më bëri në shtëpinë më të mirë. Pra unë kam shtëpinë më të mirë dhe prejardhjen më të zgjedhur. [Sahih el Xhami me nr 1485 dhe Sahih es Sira fq 11].

Gjithashtu thoshte: Jam dërguar në brezat më të mirë të bijve të Ademit, brez pas brezi, derisa u dërgova në brezin që isha. [E përcjell Buhariu me nr 3557].

Gjithashtu ka thënë: Kam lindur nga një martesë (e lejuar) dhe jo nga rrugaçëria, që prej Ademit e deri në kohën që më ka lindur babai dhe nëna ime. Dhe s’më ka prekur asgjë nga rrugaçëria e injorancës. [Sahih el Xhami me nr 3220].

Gjithashtu thoshte: Unë jam zotëriu i bijve të Ademit në ditën e kijametit, dhe nuk krenohem. [Sahih es Sira, Albani fq 12].

I dërguari ynë, është më i nderuari i njerëzve për nga prejardhja. Ai është; Ebul Kasim, Muhamed bin Abdilah, bin AbdulMutalib, bin Hashim, bin AbdiMenaf, bin Kusej, bin Kilab, bin Murra, bin Keab, bin Luej, bin Galib, bin Fihr, bin Malik, bin Nadër, bin Nezar, bin Mead, bin Adnan. Adnani, pa dyshim që është nga bijtë e Ismailit (alejhi selam), ndërsa Ismaili është biri i Ibrahimit (alejhima selam).

vijon…

“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam”

“Historia e Profetit alejhi selam”

Shkroi: Ebu Islam Salih Taha

Përktheu: Aisha Gjoni

[1] Fara simbolizon fenë islame, rritja e së cilës në fuqi dhe në numër, sigurisht që i mrekullon shikuesit. Ndërsa mbjellësit simbolizojnë Profetin Muhamed (a.s.) dhe shokët e tij, që bënë përpjekjet më të mëdha për rritjen dhe përhapjen e kësaj feje.