Detyrueshmëria e agjërimit

Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “O ju që keni besuar, ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç ishte detyrë edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të ruheni nga dënimi” (Bekarah: 183)
Qëllimi është: nëpërmjet agjërimit të ruheni nga Xhehennemi, sepse agjërimi është shkak për faljen e gjynaheve të cilat të çojnë në Zjarr.

Dhe te “Dy të saktët” (I sakti i Bukhariut dhe i Sakti i Muslimit) përcillet prej Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të ketë thënë: “Islami është ngritur mbi pesë (shtylla) : mbi adhurimin e Allahut dhe mohimin e çdo gjëje që hyjnizohet veç Tij (i cili është kuptimi i shehadetit), faljen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e pelegrinazhit në Qabe dhe agjërimin e Ramazanit”.[1]

[Shënim i përkthyesit: “Ibn Abdulberri – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Es saum (agjërimi) në gjuhën arabe është ‘sabr’ (durimi). Ka thënë Ibnul Enbarij: Është quajtur ‘agjërimi’ ‘durim’ sepse ai është frenim i vetes nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime dhe epshet.” (shiko “El Istidhkar” Kapitulli i agjërimit.
Madje agjërimi është më shumë se durimi ndaj këtyre, ai është durim ndaj gjynaheve, edukatave të ulëta dhe çdo gjëje që e cënon atë prej fjalëve dhe veprave të shëmtuara. Nëse e shikon agjërimin kështu, e kupton se ai është me të vërtetë durimi.]

[1] E përcjell Muslimi me nr. 16, 20 në Kapitullin e imanit/ Tema: Shtyllat e Islamit dhe mbajtëset e tij më të mëdha/ nga Ibn Umeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij.
Dhe Bukhariu  me nr. 8 në Kapitullin e besimit/ Tema: Shtyllat e besimit tuaj, dhe aty ka ardhur: “Dëshmia: La ilahe il lall llah (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut)”  në vend të “Të adhurosh Allahun dhe të mohosh çdo gjë tjetër që hyjnizohet veç Tij”.

Autor: Izzuddin Abdulaziz ibn Abdusselam es Sulemij
Vdekur më: 660 sipas hixhretit.