Disa shenja të mjaftueshme rreth rregullave të kurbanit.

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, i Cili ligjëroi për robërit e Tij që t’i afrohen Atij duke therur kurban. Ai e ka përmendur kurbanin bashkë me namazin në Kuran. Dëshmoi se nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë veç Allahut të vetëm, Ai nuk ka shok. Ai është plot mirësi, e bamirësi. Dëshmoi se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Është njeriu më i mirë i cili ka kryer më së miri rregullat e Islamit, si dhe arriti vërtetësinë e besimit. Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasuan atë me mënyrën më të mirë.

Prej rregullave fetare është edhe therja e kurbanit në festën e muajit të Dhul Hixhes, i njohur ndryshe si festa e Kurban Bajramit. Si e tillë duhet që muslimani të njihet me rregullat e kurbanit, në mënyrë që ta kryejë kurbanin e tij në mënyrën më të mirë, duke qenë i qartë në atë çka vepron.
Në këtë shkrim do të përmendim çështjet më kryesore që kanë të bëjnë me kurbanin në mënyrë të shkurtuar. Këto janë rregulla ndaj të cilave nuk duhet që muslimani të jetë i paditur.

Rregullat janë si vijojnë:
Së pari: Kurbani është kafsha e cila theret ditëve të festës së Bajramit, duke dashur me atë të afrohet tek Allahu i lartësuar.

Së dyti: Kurbani është traditë e babait të pejgamberëve Ibrahimit, alejhi selam, atëherë kur ai u urdhërua që të bënte kurban djalin e tij. Ai iu bind urdhrit të Zotit të tij, por Allahu i lartësuar prej butësisë së Tij e prej mëshirës së Tij, e zëvendësoi sakrifikimin e djalit të Ibrahimit me një kurban madhështor.

Gjithashtu kurbani është edhe traditë e pejgamberit tonë Muhamedit, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të. Përcillet nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: Pejgamberi, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka bërë kurban dy desh të mëdhenj me brirë. I theri ato me duart e tij duke përmendur dhe duke madhëruar Allahun, si dhe vendosi këmbën e tij mbi qafën e tyre. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Shumica e dijetarëve të islamit thonë se kurbani është sunet i fortë duke u bazuar në hadithin e lartpërmendur.

Porse dijetarët e medhhebit Hanefi si dhe një transmetim nga imam Ahmedi thonë se është detyrë për atë që ka mundësi. Këtë mendim e ka zgjedhur edhe dijetari i Islamit Ibn Tejmije si dhe e ka përforcuar edhe shejh Ibn Uthejmini, Allahu i mëshiroftë që të gjithë.
Prej argumentimeve që janë bazuar për obligueshmërinë është hadithi të cilin e përcjell Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ku thotë: i dërguari i Allahut, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ‘Ai i cili gjen mundësi në pasurinë e tij dhe nuk ther kurban, atëherë mos t’i afrohet vend faljes sonë.’ Transmeton Ahmedi, Ibn Maxhe dhe Hakim. Hadithin e ka saktësuar shejh Albani.

Së treti: Një kurban prej dhenëve vlen për një person dhe familjen e tij, si dhe për ato që dëshiron të bëj pjesë prej muslimanëve, duke u bazuar në atë që përcillet nga Aishja, Allahu qoftë e kënaqur prej saj, se i dërguari i Allahut, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, thoshte kur therte kurbanin e tij: ‘Me emrin e Allahut! O Zoti im! Pranoje këtë prej Muhamedit dhe familjes së tij, si dhe prej umetit të tij.’ Transmeton imam Muslimi.

E katërta: Origjina e kurbani është se bëhet për ato që janë gjallë, siç vepronte pejgamberi, paqaj e nderimet e Allahut qofshin mbi të, dhe shokët e tij të cilët bënin kurban për vetët e tyre dhe familjarëve të tyre.

Kurse sa i përket kurbani për ata që kanë ndërruar jetë, kjo është në tri lloje:

E para: Të bëj kurban për ta bashkë me ata që janë gjallë. Bën kurban për familjarët e tij të gjallë e të vdekur. Kjo është e ligjëruar, sepse është përcjell nga pejgamberi, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka bërë kurban për veten e tij dhe familjen e tij, e prej familjarëve të tij ka pasur edhe prej atyre që kishin ndërruar jetë më parë.

E dyta: Të bëj kurban për të vdekurit pasi ata e kanë lënë porosi nga pasuria e tyre. Ky lloj kurbani duhet zbatuar me patjetër sepse Allahu i lartësuar ka thënë: {Dhe ai i cili e ndryshon amanetin e lënë pasi e dëgjoi mirë atë, le ta dijë se mëkatin e kanë ata që bëjnë ndryshimin. Me të vërtetë Allahu dëgjon dhe di gjithçka.} [Surja: Bekare: 181].

E treta: Të bëj kurban vetëm për të vdekurin në veçanti, edhe ky lloj kurbani është i ligjëruar, sepse ky veprim është i ngjashëm me dhurimin e sadekasë, apo kryerjen e haxhit për ta, por nuk mund të themi se është prej sunetit sepse ligjvënësi (Allahu dhe i dërguari i Tij) nuk kanë nxitur për diçka të tillë.

E pesta: Kurbani duhet të plotësojë katër kushte pa të cilat nuk është i vlefshëm:
Kushti i parë: Duhet që kurbani të jetë prej kafshëve të caktuara të cilat janë: deveja, lopa, dhentë, dhia, sepse Allahu i lartësuar ka thënë: {Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim. Zoti juaj është një Zot i vetëm, prandaj vetëm Atij përuluni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur.} [Surja Haxh: 34].

Sa i përket kurbani që nuk bëhet me këto kafshë porse bëhet me shpendë, ky kurban nuk është i vlefshëm sepse feja nuk e ka ligjëruar.

Kushti i dytë: Duhet që kafsha të ketë arritur moshën e duhur që është caktuar fetarisht. Për devetë mosha është pesë vjeçare, për lopët dy vjeçare, për dhitë një vjeç, kurse për dhentë gjashtë muaj. Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka përcjellur se i dërguari i Allahut, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ‘Mos therni kurban vetëm se ato që kanë mbushur moshën e duhur, e nëse nuk keni atëherë bëni kurbani dhentë gjashtë muaj e sipër.’ Transmeton Muslimi.

Kushti i tretë: Duhet që kafsha të jetë pa të meta. Të metat i ka përmendur disa prej tyre i dërguari i Allahut, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ku ka thënë: ‘Katër mangësi e bëjnë kurbanin të pavlefshëm: verbëria e qartë, sëmundja e qartë, çalimi i qartë dhe çmenduria.’ Transmetojnë Ahmedi dhe autorët e suneneve nga hadithi i Bera ibn Azibit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

Por me këto mangësi mund të bashkëngjiten edhe mangësi të ngjashme apo që janë më të rënda se këto.

Kafsha e cila është e tredhur mund të bëhet kurban sepse pejgamberi, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka bërë kurban dy desh që ishin të tredhur.

Kushti i katërt: Duhet që kurbani të theret në kohën e duhur dhe të përcaktuar nga ligjvënësi. Dhe kjo kohë është pas namazit të bajramit deri në perëndimin e diellit të ditës së tretë shoqëruese të ditës së kurban bajramit. Kështu që koha për therjen e kurbanit është brenda katër ditëve. Nga Xhundub ibn Sufjan el-Bexheli, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se ka thënë: i dërguari i Allahut paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ‘Ai i cili e ther kurbanin para namazit të bajramit, le të ther një tjetër në vend të tij. E ai i cili nuk ka ther le të theri në emrin e Allahut.’ Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Therja mund të bëhet gjatë ditës si dhe gjatë natës.

E gjashta: Kurbanet më të mira janë: devetë, më pas lopa -nëse e ther të gjithën për veten-, më pas dhentë, më pas dhitë, më pas të mblidhen shtatë veta në një deve, më pas shtatë veta në një lopë.

Më e mira prej tyre është ajo e cila është më e bëshme dhe ka më shumë mish, më e plotë në krijim e më e bukur në pamje.

E shtata: Duhet që ai i cili vendos të ther kurban mos të preki asgjë nga qimet e trupit të tij, e as nga thonjtë, e as lëkura e tij prej momentit që hyn muaji i Dhul Hixhes e deri në momentin e kurbanit. Nga Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcillet se i dërguari i Allahut, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ‘Kur të shikoni hënë e dhul hixhes dhe ndonjëri prej jush ka vendosur që të ther kurban atëherë mos t’i presë flokët e tij e as thonjtë e tij deri në momentin kur të theri kurbanin.’ Në një transmetim tjetër: ‘mos të prek asgjë prej qimeve të tij e as prej lëkurës së tij.’ Transmeton Muslimi.

Kjo dispozitë vlen për ato persona që vendosin ta therin vetë kurbanin, apo ia dhurojnë dikujt tjetër që ta therë atë. Por kjo dispozitë nuk përfshin pjesëtaret e familjes, si dhe as atë person i cili ther për tjetër kënd.

Dhe kjo dispozitë nuk ka ngjashmëri me ihramin që bëhet kur shkon në haxh apo në umre.

Ai i cili prek diçka nga trupi i tij prej gjërave që sqaruam më lart, pasi ka vendosur që të theri kurban atëherë nuk ka nevojë të bëj shpagim, si dhe kurbani i tij është i vlefshëm, por ai ka për obligim që të pendohet dhe të kërkoi falje tek Allahu.

E teta: Duhet që gjatë therjes të tregohet mëshirë me kafshën duke e mprehur mirë thikën e therjes, duke e qetësuar kafshën, duke u treguar i butë me të, si dhe duke e shtrirë atë nga krahu i saj i djathtë.

E nënta: Është prej sunetit që ai i cili bën kurban ta theri atë me dorën e tij, apo të jetë prezent në therjen e kurbanit të tij, si dhe nuk duhet që kasapit t’ia japi hakun e tij nga kurbani. Nëse ai i jep kasapit dhuratë nga mishi i kurbanit, apo i jep sadeka nuk ka problem, si dhe lejohet që ai (kasapi) të përfitojë nga lëkura e kurbanit por duke mos ia shitur atë atij, apo një pjesë të lëkurës.

E dhjeta: Është prej sunetit që ai i cili ther kurban të hajë nga kurbani i tij, si dhe të bëj dhuratë dhe sadeka, si dhe lejohet që ai ta magazinojë mishin e kurbanit. Selemetu ibn Ekua, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se pejgamberi, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ‘Hani, ushqeni të tjerët, si dhe magazinojeni.’ Transmeton imam Buhariu. Ushqyerja e të tjerëve përfshinë bërjen dhuratë pasanikëve si dhe sadekanë nga nevojtarëve. Gjithashtu lejohet që të ushqehet me të edhe mosbesimtari.

Shkroi:

Prof. Dr. Hamed ibn Muhamed el-Haxhiri.

Ylli Rama