DISPOZITAT E UJËRAVE TË PËRFITUARA NGA LIBRI: Bulugul Meram

HADITHI 2, 3,4,5, MBI DISPOZITAT E UJËRAVE

(Libri:Bulugul Meram)

 2- Përcillet nga Ebu Seid el Khudri r.a. se I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: ((Padyshim, uji është pastrues, asgjë nuk e ndot atë))

Burimet e Hadithit:

Këtë Hadith e ka transmetuar: Ahmedi:3/31. Ebu Davudi:66. Nesaiu:174. Tirmidhiu:66.

Grada e Hadithit: Këtë Hadith e ka saktësuar:  Imam Ahmedi, Jahja bin Meini, Neveviu, Ibn Tejmijeh, Albani, Abdul Kadri,Shuajbi…etj.

 (Ebu Seid El Khudri) Imami luftëtar, myftiu i Medines, Sa’di i biri i Malikut. I ati ra dëshmor në betejën e Uhudit. Ebu Seidi ishte pjesëmarrës në betejën e Hendekut dhe në besëlidhjen e ‘’Rid’uanit’’.  Ka përcjellur prej të Dërguarit a.s. një pjesë të konsiderueshme hadithesh, si dhe nga Ebu Bekri dhe Umeri r.a. Ai ishte një ndër juristët e pavarur. Vdiq në vitin 74 të hixhretit në moshën 84 vjeç dhe u varros në varrezat e Bekiës. (Dhehebiu në Sijer A’lam En Nubela dhe  Ibn El Ethiri në  Xhamiul Usul)

 3-Ebu Umameh el Bahili r.a. ka transmetuar se Profeti a.s. ka thënë: ((Padyshim, uji nuk ndotet nga asgjë,rveçse kur diçka dominon mbi erën, shijen, dhe ngjyrën e tij))

Burimet e Hadithit:

Ibn Maxheh: 521. Darekutni:47. Bejhekiu:1/295.

Grada e Hadithit:

Ebu Hatimi,Bejhekiu, Albani dhe Shuajbi e kanë cilësuar të dobët.

4-Imam Bejhekiu hadithin e lartpërmendur e ka transmetuar me tekstin: ((Uji është i pastër për sa kohë që atij nuk i ka ndryshuar aroma ose shija ose ngjyra nga ndonjë ndyrësirë që bie në të))

Burimet e Hadithit:

Bejhekiu:159-260.

Grada e Hadithit:

Ebu Hatimi, Bejhekiu, Albani dhe Shuajbi e kanë cilësuar të dobët.

(Ebu Umameh el Bahili r.a.) Shok i të Dërguarit të Allahut a.s. Përcolli dije të mëdha. Kërkoi nga Profeti a.s. që t’i sugjeronte një vepër dhe Ai i sugjeroi që të agjëronte. Pas kësaj ai dhe gruaja e tij nuk gjeheshin vetëm se agjërueshëm. Vdiq në vitin 86 të hixhretit. (Dhehebiu në librin e tij Sijer)

5-Nga Abdullah bin Umeri r.a. transmetohet se Profeti a.s. ka thënë: ((Nëse uji arrin sasinë e dy ‘’kul-leh’’ atëherë ai nuk mban ndyrësi)) sipas një versioni tjetër ((…nuk ndotet))

Burimet e Hadithit:

Këtë Hadith e kanë trasmetuar Ebu Davudi:63,64,65. Nesaiu:1/46. Tirmidhiu:67. dhe Ibn Maxheh:517.

Grada e Hadithit:

Ky Hadith është cilësuar i saktë nga Ibn Hibbani, Ibn Khuzejmeh, Hakimi, Neveviu, Dhehebiu, Ibn Haxheri, Albani, Abdul Kadri, Shuajbi…etj.

(Abdullah bin Umeri r.a.) Imami shembullor, dijetari i Islamit. Pranoi Islamin në vogëli dhe u shpërngul nga Meka në Medine me të atin. Në betejën e Uhudit nuk iu dha leje për pjesëmarrje ngaqë ishte i vogël. Beteja e parë në të cilën mori pjesë ishte beteja e Hendekut. Ishte i pranishëm në besëlidhjen e Rid’uanit. Përcolli dije të mëdha dhe të dobishme nga Profeti a.s. dhe nga shumë Sahabe. Ishte i thjeshtë, altruist, pasues i përpiktë i Profetit a.s. Vdiq në vitin 73 të hixhretit në moshën 85 vjeçare.(Dhehebiu në librin Sijer)

 Dispozita mbi ujin e përzier me ndyrësi të cilit i ka ndryshuar aroma ose ngjyra ose shija:

Ibn el Mundhir ka thënë: Të gjithë dijetarët janë të të njëjtit mendim mbi ujin e pakët apo të shumtë në të cilin ka rënë ndyrësi dhe për pasojë shija apo ngjyra apo aroma e tij ka ndryshuar, se ky lloj uji është i ndotur për sa kohë që është në këtë gjendje.

 Dispozita mbi ujin e përzier me ndyrësi të cilit nuk i ka ndryshuar asnjë nga vetitë e tij:

Në lidhje më këtë lloj të ujërave ka dy mendime:

1-Shkolla Malikite:

Uji i përzier me ndyrësi që nuk ka pësuar ndryshim në asnjërën prej vetive të tij konsiderohet i pastër sado që të jetë sasia e tij.

Argumenti i shkollës malikite është Hadithi lartpërmendur i Ebu Seid el Khudriut: ((Padyshim, uji është pastrues, asgjë nuk e ndot atë))

 2-Tri shkollat e tjera juridike:

Uji i përzier me ndyrësi që nuk ka pësuar ndryshim në asnjërën prej vetive të tij konsiderohet i pastër kur është i bollshëm, dhe konsiderohet i ndyrë kur është i paktë. Argument për këtë është Hadithi i Ebu Hurejres r.a.  ((Asnjë nga ju nuk duhet që të urinojë në ujin e parrjedhshëm që nuk lëviz e më pas të lahet në të)) (Buhariu)

Dhe Hadithi tjetër i Ebu Hurejres r.a. ((Kur dikush prej jush të zgjohet nga gjumi le të mos e fusë dorën e tij në enë derisa t’a lajë atë tri herë, sepse ai nuk e din ku ka qëndruar dora e tij natën))  (Buhariu dhe Muslimi)

Nga këto dy hadithe kuptohet që uji i paktë ndotet nga ndyrësia që bie në të edhe nëse asnjëra nga vetitët e tij nuk ka ndryshuar.

Kriteri që bën dallimin midis ujit të bollshëm dhe të paktë:

Shkolla Hanefite: Kriteri që e bën dallimin midis ujit të paktë dhe të bollshëm është dallgëzimi i ujit në të gjitha anët e tij kur fusim dorën në njërën anë të tij dhe e dallgëzojmë. Nëse dallgët përhapen në të gjitha anët e tij atëherë kjo na jep të kuptojmë që ndyrësia depërton në të gjitha pjesët e tij dhe për pasojë ai ndotet. Argumenti i Hanefive në këtë çështje është logjik. Sipas një versioni tjetër në shkollën hanefite kriteri i ujit të paktë dhe ujit të bollshëm lihet në dorën e personit që është sprovuar me këtë çështje.

Shkolla Shafiite dhe Hambelite:

Kriteri që e bën dallimin midis ujit të paktë dhe të bollshëm është të qenurit e sasisë së tij dy ‘’kul-leh’’ bazuar në Hadithin që e transmeton Abdullah bin Umeri r.a. se Profeti a.s. ka thënë: (Nëse uji arrin sasinë e dy ‘’kul-leh’’ atëherë ai nuk mban ndyrësi) sipas një versioni tjetër (…nuk ndotet)

Këtë Hadith e kanë trasmetuar Ebu Davudi, Nesaiu,Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Është saktësuar nga Ibn Huzejmeh dhe Ibn Hibbani dhe të tjerë.

Dy ‘’kul-leh’’ janë baraz me 165 ose 190 litra ujë përafërsisht. (ka dhe mendime tjera të përafërta)

Pra nëse uji është më pak se dy ‘’kul-leh’’ dhe në të bie një ndyrësi e cila nuk ia ndryshon erën apo shijen apo ngjyrën ai konsiderohet i ndotur ngaqë është i paktë. E nëse është dy ‘’kul-leh’’ e më shumë ai konsiderohet i pastër për sa kohë që asnjëra nga vetitë e tij nuk ka ndryshuar.

Përshtati dhe përktheu: Rexhep Milaqi

 

Burimet:

Bulugul Meram (Ibn Haxheri)

Xhamiul Usul (Ibn Ethir)

Sier el a’lam en nubelaë(Dhehebiu)

Bidajetul Muxhtehid (Ibn Rushd)

El meusuatul el fikhijeh el kuuejtijeh

El hidajeh (Merginani)