Feja është këshillë

November 7, 2018

“Feja është këshillë.” (Muslimi)

Hasen el Basri transmeton se një nga shokët e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ka thënë: “Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im! Nëse dëshironi do i’u betohem për Allahun se prej robërve më të mirë të Allahut janë ata që e bëjnë Atë të dashur tek robërit e Tij, i bëjnë të dashur robërit tek Allahu, dhe ata që e përhapin këshillën në tokë.”
Ferkad es Sebehi thotë: “Kam lexuar në një prej librave se i dashuri i Allahut të Lartmadhëruar është prijës që udhëheq mbi prijësat. Grupi i tij do të jetë grupi më i përparuar në ditën e ringjalljes dhe vendi i tij do të jetë më afër (Allahut). Dashuria (e vërtetë) është kulmi i afrimit (tek Allahu me vepra të mira) dhe kulmi i përpjekjes. Të dashurit e Allahut e duan Atë dhe përmendjen e Tij, dhe e bëjnë Atë të dashur te krijesat. Ata ecin mes robërve të Tij me këshilla dhe frikësohen për ta për ditën kur zbulohen turpet. Të tillët janë ata që nuk rehatohen derisa të takohen me Të.”
Ebu Bekr el Muzenij ka thënë: Nuk ua kaloi Ebu Bekri – radijallahu anhu – shokëve të të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – me namaz apo agjërim, por me diçka që kishte në zemrën e tij.
Ibn Ulejjeh thotë: Në zemrën e tij ishte dashuria për Allahun dhe këshilla për krijesat e tij.
U pyet Ibnul Mubarek: Cila është vepra më e mirë? – Tha: Këshilla për hir të Allahut.
Të parët tanë kur dëshironin të këshillonin dikë e këshillonin atë mënjanë të tjerëve, dhe njëri prej tyre ka thënë për këtë: ‘Kush e këshillon vëllanë e tij mënjanë të tjerëve ajo është këshillë, ndërsa ai që e këshillon atë përpara njerëzve e ka qortuar atë.’
Fudajli ka thënë: Besimtari mbulon dhe këshillon, ndërsa i prishuri zbulon (sekretet) dhe turpëron.
U pyet Ibn Abasi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – rreth nxitjes së pushtetarit për të mira dhe ndalimit të tij nga të këqijat, dhe ai tha: Nëse duhet t’a bësh patjetër, atëherë këshilloje vetëm mes teje dhe atij.”

Me pak shkurtime nga “Xhamiul ulumi uel hikem” i Ibn Rexheb, 1/225.

Loading...