Fetva të ndryshme rreth të Xhumasë

Udhëtari fal namazin e xhumasë nëse ka mundësi

Pyetje: A e ka detyrë udhëtari që ditën e xhuma të fal namazin e xhumasë apo namazin e drekës?

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): Ai ka për detyrë që bashkë me xhematin të fal xhumanë derisa ka mundësi për diçka të tillë. E nëse nuk ka mundësi, atëherë të fal namazin e drekës të shkurtuar ngase ai është udhëtar.

Pjesëmarrja në hutben e xhuma është detyrë

Pyetje: Kush është gjykimi për prezantimin tek dy hutbet në namazin e xhumasë?

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): Prezantimi për dëgjimin e dy hutbeve është detyrë (vaxhib) për burrat. Cdokush që e ka detyrë namazin e xhumasë, ka për detyrë të jetë prezent në hutben e xhumasë.

Kur imami ligjëron nuk lejohet përshëndetja me selam

Pyetje: Kur dikush hynë në xhami gjatë kohës që imami po ligjëron hutben e xhumasë, a duhet të përshëndesë me selam?

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): Kur personi hynë në xhami dhe imami është duke ligjëruar hutben e xhuma, ai s’duhet të përshëndesë me selam. Por, edhe nëse përshëndet me selam, ai nuk meriton t’i kthehet selami. Ngase fjalët gjatë kohës që imami po ligjëron ditën e xhuma janë të ndaluara.

Gruaja s’e ka detyrë faljen e xhumasë

Pyetje: Gruaja fal para drekës katër rekate sunet. A t’i fal ato para xhumasë?

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): Gruaja s’e ka detyrë faljen e namazit të xhumasë, ngase ajo falet në shtëpinë e saj. Ajo (ditën e xhuma) fal namazin e drekës në shtëpinë e saj (dhe nuk fal xhuma). Pra, fal katër rekate para namazit të drekës me dy selam (fal dy rekate dhe jep selam dhe pastaj fal dy rekate të tjera) dhe pastaj (pas farzit të drekës) fal dy rekate.

Pyetje: A e fal gruaja namazin e xhumasë dy rekate ashtu siç e falin burrat? Apo duhet të fal katër rekate?

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): Ajo fal katër rekate. Ngase namazi i xhumasë është i veçantë për “ehlul-xhumuah”. Ndërsa ata që falen në shtëpitë e tyre siç janë burrat e sëmurë dhe gratë, ata falin katër rekate si dreka.

“Fetaua ala et-Tarik fi Mesaile Muteneuiah”

Përktheu: Unejs Sheme