Hixhabi, veshja që do Allahu

Lëvdatat i takojnë Allahut, Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Te Allahu mbështetemi të na mbrojë prej të këqijave të shpirtrave dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu askush nuk mund ta humbë dhe kë e humbet Allahu askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, të Vetëm dhe pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

E më pas.

Është me shumë rëndësi të flasim për hixhabin e femrave në një kohë kur ka rënë interesi i tyre për të; ose nuk e veshin fare, ose veshin një mbulesë e cila nuk është ajo që do Allahu i Madhëruar.

Prandaj, duke u nisur nga ky shkak, do të trajtoj në këtë shkrim se si e sheh Islami veshjen në përgjithësi, të kundërtën e saj – që është shfaqja e bukurive trupore dhe lakuriqësia – dhe ç’rregulla ka vënë Islami për veshjen e grave?

1- Veshja është mirësi e zbritur  prej Allahut.

 Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O bijtë e Ademit, Ne ju zbritëm rroba që të mbuloni auretin tuaj (vendet tuaja të turpshme) dhe të zbukuroheni; por petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ata të  marrin këshillë.” suretu El-Araf: 26.

Allahu i Madhëruar njofton se u ka zbritur robërve të Tij dy lloj veshjesh: veshje të jashtme dhe veshje të brendshme. Veshja e jashtme është mbulim për auretin, për ta mbrojtur atë nga çdo ngacmim i jashtëm, dhe është gjithashtu zbukurim për njeriun. Kurse veshja e brendshme e cila është devotshmëria, është më e mira veshje, sepse ajo ruan zemrën, dhe kushdo që kujdeset për veshjen e brendshme është kujdesur edhe për veshjen e jashtme, dhe kushdo që nuk kujdeset për veshjen e brendshme nuk kujdeset për veshjen e jashtme.

2- Lakuriqësia është prej Shejtanit të mallkuar.

 Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë juve kurrsesi shejtani, ashtu siç i nxorri prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur atyre rrobat e tyre për tua shfaqur pjesët e tyre të turpshme!” suretu El-Eraf: 27.

Shejtani kërkon t’i zbulojë njerëzit nga të dyja veshjet për të shtuar numrin e ndjekësve të tij, sepse duke e zhveshur njeriun nga veshja e jashtme, e çon atë në shkatërrim pa fund, dhe duke e zhveshur atë nga veshja e brendshme e lë pa iman (pa besim).

Shejtani është ai i cili e zhveshi Ademin – paqja qoftë mbi të – siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Shejtani u pëshpëriti, – për tua zbuluar auretin e tyre të mbuluar – dhe u tha: “Zoti juaj nuk ju ka ndaluar nga kjo pemë, veçse që të mos bëheni engjëj ose të bëheni të pavdekshëm.” Dhe iu betua atyre (duke u thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frytin, atyre iu zbulua aureti dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit” Suretu El-Eraf: 20-22.

Uehb bin Munebbih (një tabi-in që ka lajmëruar për shumë histori të marra nga ehli kitabi) tregon: “Veshja e Ademit dhe e Havasë që u mbulonte atyre  auretin ishte prej drite, asnjëri prej tyre nuk shihte auretin e tjetrit dhe kur hëngrën nga pema u zbuluan auretet e tyre.”

Ky ajet shpjegon ajetin e lartpërmendur se veshja e brendshme është më e mirë se veshja e jashtme, sepse Shejtani kur e prishi veshjen e brendshme të Ademit dhe Havasë me gjynah, atyre iu prish edhe veshja e jashtme dhe ranë në lakuriqësi. (sh.r.: Gjë që tregon lidhjen e fortë mes dy mbulesave, fizikes dhe asaj shpirtërore.)

3- Nderi i femrës nuk mund të ruhet pa mbulesë.

 Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre”. suretu En-Nur: 31.

Allahu i Madhëruar e përmend nderin e femrës bashkë me dy gjëra të tjera: uljen e shikimit dhe mos shfaqjen e stolive – që është mbulesa. Kjo do të thotë se nderi nuk mund të ruhet pa to, dhe kjo bashkohet me fjalën tjetër të Allahut ku thotë: “Mos iu afroni imoralitetit, se ai është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!” Suretu El-Isra: 32.

Allahu ka urdhëruar të mos i afrohesh imoralitetit, sepse kush i afrohet atij  ka rënë në kurth, dhe mos vënia e mbulesës të afron drejt zinasë (imoralitetit) .

Këto janë gjykimet e Allahut të cilat i ka caktuar mbi bazën e dijes së Tij, sepse Ai është Krijuesi dhe e di mirë se çka vendosur te njeriu prej ndjenjave. Allahu kur e krijoi mashkullin dhe femrën, bëri për secilin dashuri (anim) kundrejt tjetrit, në mënyrë që kjo tokë të popullohet duke ardhur pas çdo brezi një brez tjetër, dhe nëse kjo dashuri apo ky anim, nuk kufizohet me rregulla dhe norma, kalon në shfrenim dhe shëmti sikurse ka njoftuar Ai vetë.

Prandaj dhe në momentin kur shfaqja e bukurive të femrës apo zbukurimi i saj nuk paraqet rrezik, e ka lejuar atë Allahu i Madhëruar, siç thotë në Kuran: “Të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre, ose baballarëve të tyre, ose baballarëve të bashkëshortëve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave apo fëmijëve që nuk i dinë ngacmimet e femrave.” Suretu En-Nur: 31.

4- Zbukurimi i grave dhe shfaqja e bukurie të tyre trupore para të huajve është karakteristikë e kohës së injorancës (e shoqërive që nuk e kanë njohur dritën e besimit dhe rregullat e vendosura nga Allahu).

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Qëndroni në shtëpitë tuaja, e mos u zbukuroni ashtu siç zbukuroheshin në kohën e injorancës!” Sure El-Ahzab: 33.

Mukatil bin Hajan (një prej komentuesve të Kur’anit në kohën e tabi-inëve) thotë: “Zbukurimi i tyre ishte se femra hidhte mbulesën e kokës pas shpine pa e shtrënguar atë që të mbulonte varëset, vathët dhe qafën, dhe   të gjitha këto dukeshin prej saj. Ky është zbukurimi i injorancës.”

E nëse këto gjëra Allahu i Madhëruar i ka konsideruar zbukurim dhe ekspozim të bukurive trupore, atëherë ç’mund të thuhet për atë që bëjnë femrat sot ku lakuriqësia ka mbërritur në kulmin e saj?! Ne sot jemi më të zhytur në injorancë sesa ata që ishin para nesh!

5- Urdhri i Allahut në Kuran për mbulimin e grave.

 Duhet ditur se Allahu i Madhëruar u ka kërkuar grave dy lloje hixhabesh (mbulesash): mbulesa e shtëpisë dhe mbulesa jashtë shtëpisë.

 Hixhabi i shtëpisë.

Allahu i madhëruar thotë në Kur’an: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), të ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme dhe le të hedhin mbulesën e kokës mbi xhepat e këmishave të tyre”. suretu En-Nur: 31.

Fjala e Allahut “dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme” Në këtë pjesë ajeti Allahu e ndalon femrën të nxjerrë jashtë stolitë e brendshme dhe e lejon të nxjerrë stolitë e jashtme dhe që janë dora dhe fytyra siç thotë Taberiu komentuesi më i madh i Kur’anit Allahu e mëshiroftë.

Kurse në pjesën tjetër të ajetit “dhe le të hedhin mbulesën e kokës mbi xhepat e këmishave të tyre” Allahu e urdhëron femrën të mbulojë kokën duke e hedhur mbulesën e kokës mbi xhepat e këmishave të tyre që të mbulojë veshët, qafën dhe kraharorin dhe jo si në kohën e injorancës që e hidhnin mbi shpinë duke i zbuluar ato siç e thamë pak më lart.

Fjala xhep është për qëllim vendi i prerë i rrobës që pritet për tu futur koka.

Fjala këmishë është për qëllim mbulesa e trupit ose ndryshe fustani siç e quajmë ne sot. Këmishat e asaj kohe ishin të gjera e jo me bel e të ngushta se ata e bënin copën dyfish, hiqnin pjesën e futjes së kokës ose bënin xhepin siç e thamë më lartë dhe pastaj e qepnin anash.

Ky lloj mbulimi është quajtur mbulimi i namazit, sepse Profeti – alejhis selam – nuk e ka urdhëruar femrën kur fal namaz në shtëpinë e saj (jo në prezencën e të huajve) më shumë sesa të vërë mbulesën e kokës mbi këmishë, siç thotë Profeti – alejhis selam: “Nuk e pranon Allahu namazin e asaj femre me perioda (që ka arritur moshën e pjekurisë) veçse me mbulesën e kokës (të hedhur mbi xhepat e këmishave).

 Hixhabi jashtë shtëpisë.

Allahu i Madhëruar thotë në një ajet tjetër: “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë xhilbabet e tyre përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” suren El-Ahzab: 59.

Xhilbabi në këtë ajet është një rrobë e tretë që e kërkon Allahu i Madhëruar për gruan kur del jashtë – përveç mbulesës së kokës dhe këmishës që ka kërkuar në ajetin e lartpërmendur – dhe këtë ajet e quanin sahabët ajetin e hixhabit.

Xhilbabi  ishte një copë pëlhure që hidhej nga koka gjer te këmbët siç thotë Begaui, Kurtubiu dhe ibn Tejmije – Allahu i mëshiroftë të gjithë – bile edhe më e gjatë se këmbët, sepse atëherë gratë nuk vishnin çorape, siç tregon Ummu Seleme, gruaja e Profetit – alejhis selam – se e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut kur po fliste për rrobën e burrave (që duhet të jetë sipër nyjeve): “Po gratë o i Dërguari i Allahut?” Profeti alejhis selam i thotë: “Ta zgjasin (rrobën) një pëllëmbë.” Ummu Seleme i thotë: “Kështu ajo zbulohet.” Profeti – alejhis selam – i thotë: “Atëherë ta zgjasin një parakrah dhe të mos shtojnë më shumë.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

Ummu Seleme – Allahu qoftë i kënaqur prej saj – tregon gjithashtu për gratë kur zbriti ajeti i dytë dhe thotë: “Kur zbriti ky ajet, gratë e ensarëve kur dilnin ecnin qetë, sikur të kishin mbi kokë ndonjë korb (pra nuk e trembnin atë nga qetësia e tyre në ecje) dhe mbi trup mbanin copa të zeza.” E transmeton Abdurrazaku.

Në një transmetim tjetër thuhet se ajo ka thënë: “Kur zbriti ky ajet, gratë e ensarëve kur dilnin, ecnin sikur të kishin mbi kokë ndonjë korb prej rrobave.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

Pra, shihet në këto përshkrime se hixhabi i tyre ishte një xhilbab i (veshje e)  gjatë nga koka deri te këmbët, mbi mbulesën e kokës dhe mbi këmishën (fustanin).

Tani lind pyetja: a mund ta bëjë sot një pardesy punën e rrobës së tretë, pra të xhilbabit të atëhershëm?

Përgjigjja është se mundet ta bëjë punën e tij nëse plotëson kushtet e xhilbabit, të cilat janë:

1- Të jetë i gjerë siç ishte xhilbabi i tyre.

2- Nëse gratë veshin çorape dhe këpucë nuk përbën problem nëse nuk rrëshqet (tërhiqet zvarrë)  mbi tokë si xhilbabi.

3- Nëse koka mbulohet me një mbulesë të brendshme – për të mbledhur flokët – dhe pastaj me një mbulesë të jashtme që derdhet mbi pardesy në të njëjtën mënyrë siç derdhet xhilbabi, mundet të mjaftohemi me të dhe pardesynë që rri mbi supe.
Në disa vende përdorin një lloj mbulese për kokën që quhet ‘Burnus’, e cila hidhet mbi kokë dhe derdhet mbi kraharorin e mbuluar me pardesy deri në majat e gishtave të dorës, për të shmangur mangësitë që le një pardesy që rri mbi supe, e cila – në ndryshim nga xhilbabi – ndan pjesët e trupit nga njëra tjetra dhe është me bel.

Mund të thotë dikush se pse kjo lloj veshje për gruan?

Përgjigjja: Profeti – alejhis selam – na njofton për një realitet qe e di vetëm Allahu dhe nuk e di kush tjetër: “Gruaja është auret dhe kur del, Shejtani e ngre kokën nga ajo” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.

Shpjeguesit e haditheve thonë: Kur gruaja del, shejtani e ngre kokën për ta mashtruar atë, ose për të mashtruar të tjerët me të, duke e hedhur njërin prej tyre, ose të dy, në sprovë.

6- Prej shenjave të Orës së Fundit të dynjasë është edhe: Mos interesimi i grave për mbulesën.

 Profeti – alejhis selam – thotë: “Dy lloje njerëzish prej banorëve të Zjarrit nuk i kam parë akoma: disa njerëz që kanë kamxhikë si bishtat e lopëve me të cilat rrahin njerëzit, dhe disa gra të veshura por lakuriq, të mënjanuara dhe mënjanuese (sh.r.: duket sikur flet për gratë që e lakojnë trupin e tyre duke veshur këpucë me taka), kokat e tyre janë si gungat e deveve (sh.r.: i mbledhin flokët mbi kokë si topuz). Nuk do të futen në Xhenet dhe nuk do t’ia ndjejnë aromën, edhe pse aroma e tij ndihet në largësi të mëdha.” E transmeton Muslimi.

Komentuesit e haditheve kanë dhënë tre mendime rreth kuptimit të fjalës së Profetit – alejhis selam – “Gra të veshura por lakuriq”:

1- Të veshura me mirësitë e Allahut dhe të zhveshura nga falënderimi.

2- Veshin një pjesë të trupit dhe zbulojnë një tjetër.

3- Veshin rroba të holla që nuk mbulojnë.

Mendoj se ai që e ka dhënë mendimin e parë nuk ka paramenduar se mund të vijë një kohë kur gratë do të zhvishen.

Ky hadith ka lidhje me një hadith tjetër ku Profeti – alejhis selam – njofton: “Nuk ka për të ardhur Ora e Fundit e dynjasë derisa të bëhet zinaja në mes të rrugës siç bëjnë gomerët.” E transmeton Bezzari dhe e saktëson sheikh Albani.

Njerëzit nuk mund të shkojnë deri në këtë gradë duke qenë gruaja e veshur me petkun e pastërtisë, por bien në atë gradë të ulët me lakuriqësi.

7- Kur mund ta heqë gruaja rrobën e tretë, xhilbabin?

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Gratë e vjetra, që nuk shpresojnë më të martohen, nuk është gjynah ta heqin mbulesën e jashtme, por jo duke i treguar stolitë e tyre. E, nëse përmbahen, është edhe më mirë për ato. Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.” Suretu En-Nur: 60.

Imam Taberiu, komentuesi më i madh i Kuranit thotë: “Allahu ka pasur për qëllim në këtë ajet heqjen e xhilbabit që është mbi mbulesën e kokës dhe këmishën. Pra, gratë kur të arrijnë moshën e pleqërisë, mund të dalin me shami dhe fustan, kurse  grave të tjera nuk u lejohet kjo gjë.”

Dhe së fundi, i lutemi Allahut të na japë pastërti në veshje dhe në zemër, sepse pa këto të dyja nuk shpëton njeri ditën kur njerëzit dalin para Allahut, Zotit të botëve! Amin!

(Sh.r.: Shënim i redaktorit)