Nëse kërkon lumturinë – 2 –

Gjashtë shtyllat që duhen besuar janë:

1-  Besimi në Allahun, Një të Vetëm, pa shok dhe ortak.

Që njeriu të besojë se vetëm Allahu i Lartësuar është Krijuesi i kësaj Gjithësie me gjithë çka në të, dhe se vetëm Ai vepron në të si të dojë. Përderisa është kështu, atëherë adhurimi duhet të bëhet vetëm për Atë, Një të Vetëm. Adhurimi është puna me normat e Islamit dhe dispozitat e tija, duke besuar se çdo fe tjetër veç tij, është fe e pavlefshme.

2- Besimi në melekët (ëngjëjt).

Melekët janë krijesa të Allahut, që ne nuk i shohim në jetën e kësaj bote. Ata janë adhurues të Allahut dhe nuk e kundërshtojnë asnjëherë Atë. Allahu i Lartësuar i urdhëron melekët të kryejnë shumë prej punëve të kësaj Gjithësie. P.sh. Xhibrili (paqja qoftë mbi të), ka mbartur shpalljen e Allahut të Lartësuar -d.m.th. fjalën nga Allahu tek profetët e Tij. Prej tyre është Mikaili (paqja qoftë mbi të),  që është ngarkuar me çështjen e shiut. Prej tyre ka melekë të tjerë, të ngarkuar me shënimin dhe shkrimin e punëve të njerëzve, me të cilat do t’u kërkohet llogari në Ditën e Kijametit, e të tjera e të tjera punë.

Duhet të besohet, se këta melekë të nderuar, veprojnë me urdhrin e Allahut të Lartësuar dhe nuk kryejnë tjetër gjë, veçse atë që Ai do.

3- Besimi në Librat.

Duhet besuar se Allahu u zbriti robëve Libra, që janë fjala e Tij. Aty gjendet lumturia e njerëzve dhe sqarimi i asaj që Allahu i Lartësuar e do dhe asaj që e urren. Ai që e përcjell këtë shpallje tek profeti, është Xhibrili (paqja qoftë mbi të) ëngjëlli më madhështor, ndërsa profeti ua komunikon atë njerëzve.

Librat e zbritur nga Allahu janë shumë. Prej tyre është Teurati, të cilin Allahu ia  zbriti Musait (paqja qoftë mbi të), Zeburi, të cilin Allahu ia zbriti Daudit (paqja qoftë mbi të), Inxhili, të cilin Allahu ia zbriti Isait (paqja qoftë mbi të), dhe Kur’ani të cilin Allahu ia zbriti Muhamedit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

Duhet të besohet se të gjithë këta libra i ka shfuqizuar Kur’ani. D.m.th.: pas dërgimit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), duhet punuar vetëm me Kur’anin. Për më tepër që ky Kur’an ka përfshirë të gjitha veçoritë e librave para tij dhe përmban veçori të tjera.

Gjithashtu dije, se ky Kur’an është nga argumentet më madhështore që tregojnë se kjo fe është e vërtetë. Ai ka zbritur para më shumë se një mijë e katërqindë vjetëve, dhe që prej asaj kohe e deri sot, nuk është zbuluar në të asnjë gabim dhe asnjë mangësi, qoftë edhe në një fjalë të vetme.

Në kohën e sotme zbulimet shkencore vazhdojnë të pasojnë njëri-tjetrin dhe shumë prej tyre kanë ardhur në Kur’an që prej asaj kohe të largët.

Ashtu sikurse që prej asaj kohe e deri tani, nuk është shtuar dhe nuk është mangësuar asnjë gjë në të, siç ndodhi me librat e tjerë. Prandaj, Mus’hafin (Kur`anin), që e gjen në Lindje, nuk ndryshon aspak nga Mus’hafi që e gjen në Perëndimi. Nëse vëzhgon një Mus’haf qindra vjeçar, vëren se ai nuk ndryshon aspak nga Mus’hafi i botuar këtë vit, identik gërmë për gërmë e fjalë për fjalë. Kjo është prej ruajtjes që i ka bërë Allahu këtij Libri, që është libri i fesë së fundit, e cila ka vulosur të gjtha fetë.

Të flasësh për Kur’anin duhet kohë e gjatë, por mjafton të dish se ai nuk ka ngjasues kategorikisht në stilin e tij, në ndikimin e tij në vetet e njerëzve si dhe në lajmet për të fshehtat që ndodhen në të.

4- Besimi tek të dërguarit.

Duke besuar se Allahu i Lartësuar zgjodhi njerëzit  më të mirë, u zbriti atyre shpalljen dhe i urdhëroi përcjelljen e fesë së Tij tek njerëzit e tjerë.

Të dërguarit janë shumë, si p.sh.: Nuhu, Ibrahimi, Daudi, Sulejmani, Luti, Junusi, Musa (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta).

Prej tyre është edhe Isai i biri Merjemes (paqja qoftë mbi të), për të cilin duhet të besojmë se është i dërguar i nderuar dhe nga të dërguarit më të mirë. Besimi në profecinë e tij, dashuria dhe respekti për të janë detyrë e prerë. Kush e urren atë, ose nuk beson në profecinë e tij, ai nuk ka rrugë në Islam. Njëkohësisht duhet besuar se Allahu i Lartësuar e krijoi me nënë pa baba, sepse Allahu dërgoi melekun që fryu në barkun e Merjemes, e prej kësaj ishte Isai i biri i Merjemes.

Muslimani nuk gjen asnjë gjë në vetvete që ta pengojë nga besimi i kësaj, se Allahu nuk është i pafuqishëm ndaj krijimit të Ademit pa nënë dhe pa baba. Nga kjo mësojmë se Isai (paqja qoftë mbi të) është një i dërguar i nderuar dhe se ai nuk është Zot dhe as biri i Zotit.

Isai (paqja qoftë mbi të) erdhi me përgëzimin për profetin që do të vinte pas tij, që është Muhamedi i biri i Abdullahit, arab, me të cilin Allahu vulosi të dërguarit, duke mos patur më kështu të dërguar të tjerë pas tij.

Këtë të dërguar (Muhamedin të birin e Abdullahit -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-), të cilin Allahu e dërgoi para një mijë e katërqid vjetësh, e kanë detyrë të gjithë njerëzit që u gjendën dhe do të gjenden pas dërgimit të tij deri në Ditën e Kijametit, ta besojnë, të besojnë shpalljen e tij dhe t’i binden atij në atë që  urdhëroi apo ndaloi.

Kushdo që ka lexuar jetëshkrimin dhe historinë e këtij të dërguari, bindet se ai është një personalitet madhështor, të cilit Allahu i dha moral të lartë dhe cilësi të shquara që nuk gjenden tek ndonjë tjetër para apo pas tij. Ndoshta edhe leximi më i shkurtër rreth asaj që është shkruar për të, e përforcon saktësinë e kësaj që po them.

Allahu i Lartësuar i ka dhënë atij fakte dhe argumente për vërtetësinë e profecisë së tij, të cilat janë aq shumë, aq sa dyshimi në të është nga gjërat e pamundura llogjikisht. Ai që nuk beson në sinqeritetin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), me gjithë ato fakte dhe argumente që Allahu i dha atij, ai nuk mund të pretendojë qëndrueshmërinë e profecisë të ndonjë profeti tjetër.

5- Besimi në Ditën e Fundit.

Duke besuar në formë të prerë, se pas kësaj jete në të cilën jetojmë, ka jetë tjetër, që është më e plotë se kjo. Aty ka begati ose ndëshkim. Begatia është në një vendbanim që quhet “Xhennet”, ndërsa ndëshkimi është në një vendbanim që quhet “Xhehennem”.  Kush punon mirë dhe beson në fenë islame, përfundimi i tij do të jetë në “Xhennet”, ku gjenden prej llojeve të begative dhe lumturisë, aq shumë sa nuk mund të imagjinohen. E gjithë begatia e dynjasë, në raport me begatinë e Xhennetit, nuk krahasohet në asnjë gjë. Kush hyn në Xhennet, do të begatohet në të përgjithmonë dhe pa fund, sepse në të nuk ka vdekje.

Në anën tjetër, kush punon keq dhe nuk beson në fenë islame, përfundimi i tij do të jetë në “Xhehennem”, në të cilin gjendet zjarri dhe llojet e ndëshkimit aq shumë sa nuk mund të mendohen. Të gjitha zjarret e dynjasë dhe llojet e dënimit në të, përpara dënimit të Xhehenemit, nuk krahasohen në asnjë gjë.

Ekzistenca e llogarisë, begatisë ose ndëshkimit pas kësaj jete, është një çështje e pranuar llogjikisht, sepse është e pamundur që të gjendet kjo dynja me gjithë çka në të, e më pas të mbarojë e të shpërndahet, duke vijuar në asgjë.

6- Besimi në Kaderin (caktimin dhe vendimin e Allahut të Lartësuar).

Duke besuar se gjithçka është në këtë Gjithësi, çdo lëvizje dhe çdo prehje ndodh vetëm me dëshirën dhe vullnetin e Allahut. Nuk mund të ndodhë gjë tjetër, me përjashtim të asaj që Ai do. Atë që Ai nuk e do, nuk mund të ndodhë.

Allahu i Lartësuar shkruajti në një Libër madhështor, që është ”El-Leuhul-Mahfudh”, gjithçka që do të ndodhë në këtë Gjithësi.

Besimi në Kader, përfshin të besuarit se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje.

Ndërsa gjërat më të rëndësishme që duhen vepruar në Islam janë:

1- Që njeriu të thotë një fjali e cila është çelësi i hyrjes në Islam. Ajo është një besë midis njeriut dhe Zotit të tij, që nënkupton se ai është në këtë fe.

Kjo fjali është: Esh-hedu en la ilaha il-la Allah ue esh-hedu en-ne Muhammeden resulull-llah (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar, me të drejtë, përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguar i Allahut).

Kjo fjali do të thotë: Pohimi, pranimi dhe kryerja me përkushtim e këtij adhurimi vetëm për Allahun, Një të Vetëm. Si dhe duke pohuar se feja islame është feja e vërtetë dhe se i adhuruari që meriton adhurimin është vetëm Allahu, Një i Vetëm. Të gjithë të adhuruarit e tjerë janë të pavlefshëm dhe fetë e tjera përveç Islamit janë të pavlefshme.

Si dhe pohimi se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, dhe se atij duhet t’i bindemi dhe ta besojmë në çdo gjë.

2- Namazi (Të falurit)

Që nënkupton: Fjalë, punë dhe lutje në një formë të caktuar, që bëhet pesë herë, çdo ditë dhe nuk zgjat shumë. Aq sa një namaz i vetëm nuk i kalon pesë minuta. Namazi është lidhje midis robit dhe Zotit të tij, në të muslimani ndjen sigurinë, prehjen dhe qetësinë shpirtërore.

3- Zekati

Muslimani që posedon pasuri jep një sasi të vogël nga pasuria e tij çdo vit për të varfërit. Jep vetëm çerekun e një të dhjetës së pasurisë së tij. Që është diçka e vogël, por që e bën shoqërinë muslimane të bashkuar, të afruar dhe të mëshiruar. Që përhap kuptimet e vëllazërisë, mëshirës dhe dashurisë mes muslimanëve.

Po përsërit atë që thashë pak më parë: Zekati është i obliguar për të pasurit dhe nuk është i obliguar për të varfërit.

4- Agjërimi.

Që njeriu të pengojë veten e tij nga ushqimi, pirja dhe marrëdhëniet bashkëshortore, gjatë muajit të Ramazanit çdo vit, që nga agimi i mëngjesit deri në perëndim të diellit.

Ndërsa i sëmuri, udhëtari dhe disa të tjerë që kanë arsye të tjera, janë  të justifikuar dhe të falur. Ata munden të hanë dhe të pijnë në Ramazan, dhe duhet që pas përfundimit të arsyes dhe pamundësisë, të agjërojnë të plota ditët që nuk i agjëruan, në cilëndo kohë të vitit.

Agjërimi ka shumë dobi shëndetësore, shpirtërore dhe shoqërore. Prej tyre është pushimi  dhe qetësimi për një pjesë të kohës i aparatit tretës. Prej tyre është ajo që ndjen muslimani, si shpirti fisnik dhe morali i lartë. Prej tyre është edhe ajo që ai ndjen për vëllezërit e tij të varfër, që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm gjatë vitit. Kështu që vetja e tij thjeshtësohet, afrohet dhe shpejton t’i ndihmojë ata.

5- Haxhi.

Që do të thotë: Kryerja e adhurimeve të caktuara në Mekë një herë në jetë, ndërsa ai që nuk ka mundësi ekonomike, ose që është i sëmurë, është i arsyetuar në moskryerjen e tij.

Në Haxh ka dobi madhështore si: Grumbullimi i muslimanëve nga të gjitha anët e tokës në një vend të vetëm, njohja me njëri-tjetrin dhe përhapja e dashurisë mes tyre. Duke shtuar këtu edhe ato që i fiton muslimani në veten e tij, si pastrimi i shpirtit dhe rregullimi i moralit, për shkak të asaj që përjeton prej qëndrimeve që shtojnë besimin nën hijen e Haxhit.

E në vijim…

Ndoshta ajo që përmendëm më lart, është disi e mjaftueshme për sqarimin e një paraqitjeje të shkurtër rreth Islamit.

Unë po të ftoj ty që nuk ke hyrë ende në Islam.. Dëgjoje një thirrje nga një zemër e sinqertë dhe e pakursyer. Shpëtoje veten tënde para se të të befasojë vdekja duke mos qenë musliman, e të jesh në humbjen më të madhe.

A e di se çdo të thotë të vdesësh duke qenë në tjetër fe veç Islamit? Do të thotë që të hysh në Xhehenem dhe të ndëshkohesh në të përjetësisht..

Kështu e ka kërcënuar Allahu atë që vdes duke qenë në fe tjetër veç Islamit. Atëherë, përse po shpërfill një çështje kaq të rrezikshme?

Do të të drejtoj një pyetje, por dua të më përgjigjesh me sinqeritet: Çfarë do të humbasësh, nëse hyn në Islam? Po… çfarë do të humbasësh nëse hyn në Islam?

Nëse do përqafosh Islamin, do ta vijosh jetën tënde si zakonisht,  por në një formë më të kulluar, më të lumtur dhe më të sistemuar… Ndërsa pas vdekjes të pret lumturia më e madhe dhe begatia e përjetshme.

Nëse arrite të bindesh për vërtetësinë e Islamit, por ke frikë se hyrja në të ka për të të penguar nga kënaqësi, privimin prej të cilave nuk mund ta durosh, atëherë duhet të krahasosh midis kënaqësisë së përkohshme, të rastësishme dhe midis begatisë dhe kënaqësisë së përjetshme… Cilës prej tyre duhet t’i japësh përparësi?

Ti mund të hysh në Islam dhe të përpiqesh t’i lësh ato gradualisht, e nëse e lut Allahun me sinqeritet, Ai do të të ndihmojë t’i lësh ato përfundimisht.

Të paktën të jesh musliman gabimtar, është më mirë se të mos jesh musliman.

Nëse ajo që të pengon të përqafosh këtë fe është personaliteti yt i dobët dhe pafuqishmëria  ndaj marrjes së këtij vendimi, pasi të pengon frika nga fjalët e dikujt ose tallja e tij.., atëherë dije se këto iluzione nuk kanë asnjë bazë në realitet. Ti nuk je i pari që hyn në Islam prej jomuslimanëve. Shumë e shumë të tjerë para teje e kanë marrë këtë vendim dhe nuk u është shkatërruar jeta, nuk kanë humbur asgjë dhe nuk janë penduar. Pastaj, a vallë është e logjikshme që të sakrifikosh veten dhe lumturinë tënde në këtë jetë dhe në jetën tjetër, për shkak të fjalëve të dikujt, apo talljes dhe qortimit të tij?

Kjo është një temë që kërkon nga ty të qëndrosh shumë në të.. dhe të mendohesh gjatë rreth saj.

Fjala ime e fundit për ty është: Bëj kujdes të mos humbasësh veten tënde.

E lus Allahun e Lartësuar të të begatojë ty, duke të udhëzuar në të vërtetën.

Këto fjalë i shkruajti ai që dëshiron të mirën për ty:

Dr. Salih Ibën Abdulaziz

Përshtati në shqip  Bledar Ali