Rregullat e gjykimit ndaj njerëzve – 3 التكفير و ضوابطه

Pyetje e përgjigje

Pyetja 1: “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu. Shejh i nderuar; kemi dëgjuar se ju nuk bëni shtjellim të Fjalës së Allahut “E kush nuk gjykon me atë që ka zbritur Allahu atëherë, ata janë qafira”[1] Shpresojmë të na i vërtetoni këtë, Allahu ju dhëntë begati!”

Përgjigje: “Duhet medoemos që kur dëgjoni për mua apo për dikë tjetër diçka, të mos i pranoni ato që thuhen derisa ju vetë t’i dëgjoni fjalët e personit, qofshin ato në kaseta të inçizuara, apo nëpër libra. Nëse janë vetëm thashetheme e përcjellje nga njëri tek tjetri, atëherë mos i pranoni, as për mua e as për ndonjë tjetër. Medoemos duhet të siguroheni nga ndonjë libër që është shkruar, apo kasetë që është inçizuar me fjalët e personit, apo duke e pyetur atë drejtpërdrejt e ai të përgjigjet. Nuk duhet të mbështetemi mbi thashetheme, sepse shumë njerëz sot nuk e kanë për gjë gënjeshtrën dhe thonë për të tjerët gjëra që nuk i kanë thënë, vetëm e vetëm që të mbrojnë mendimet e tyre të shtrembëra.

Allahu i Madhëruar thotë : “O ju që keni besuar, nëse ju vjen juve ndonjë i prishur (në karakter) me ndonjë lajm, atëherë sigurohuni për të, në mënyrë që të mos dëmtoni dikë tjetër me injorancë (duke mos e ditur të vërtetën), e pastaj të pendoheni për atë që vepruat”[2]. Dhe Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë : “I mjafton njeriut gjynahu i të folurit për gjithçka dëgjon”[3].

Sepse jo çdo gjë që dëgjon është e saktë, prandaj mos ia dediko ndokujt diçka derisa të sigurohesh e sqarohesh, siç ka thënë Allahu i Madhëruar :

“O ju që keni besuar, nëse ju vjen juve ndonjë i prishur (në karakter) me ndonjë lajm, atëherë sigurohuni për të, në mënyrë që të mos dëmtoni dikë tjetër me injorancë (duke mos e ditur të vërtetën), e pastaj të pendoheni për atë që vepruat”[4].

Unë nuk kam thënë se gjykimi me ligj tjetër veç ligjit të Allahut është kufër i madh që të nxjerr nga Islami në çdo aspekt. Unë e shtjelloj këtë çështje ashtu siç e shtjellojnë atë dijetarët në librat e tefsirit dhe të akides. Kjo çështje nuk është e panjohur, ajo është e sqaruar në librat e dijetarëve, sidomos në tefsirin e Ibnu Kethirit dhe në Akiden Tahauije etj.

Pyetja 2: “Shejh i nderuar, çfarë mendimi keni për ata që gjykojnë me kufër ndaj shtetit tonë (Arabisë Saudite) dhe akuzojnë dijetarët për servilizëm?!

Përgjigje: Ata janë që quajnë qafira udhëheqësit e muslimanëve, bëjnë qafira muslimanët në përgjithësi, madje kështu bëjnë edhe me më të mirët e muslimanëve, me dijetarët!  Këta njerëz janë prej hauarixhëve. Është obligim për ta që të pendohen tek Allahu i Madhëruar, të kthehen në rrugën e saktë dhe ta lënë këtë zullum të madh.

Pyetja 3: Disa shtete Islame lejojnë shumë prej harameve siç janë : pijet alkoolike, imoralitetin etj. A konsiderohet ky veprim si kufër i qartë që na lejon të ngrihemi kundër qeverive të tilla?

Përgjigje: Ka dallim ndërmjet atij që mendon se është e lejuar diçka që e ka ndaluar Allahu dhe ndërmjet atij që vepron një haram duke mos e lejuar atë në zemrën e tij. Pra, ai që pi alkool duke besuar se është haram, apo ha kamatën, bën zina, etj. dhe për të gjitha mendon se janë haram, atëherë, ky nuk bën kufër, pra nuk del nga Islami. I tilli është gjynahqar me besim të dobët e të mangët. Nëse për veprimet e tij duhet të dënohet, atëherë dënohet, por pa gjykuar për të me kufër, sepse ai nuk i lejon ato veprime në zemrën e tij.

Ndërsa ai që i lejon ato, bën kufër dhe del nga Islami, sepse nëse dikush lejon diçka për të cilën ka vendim unanim për të qënit haram të saj, atëherë, ai mohon edhe nëse nuk i vepron ato harame, aq më shumë nëse edhe i vepron!

Pyetja 4: Ç’mendim keni për namazin pas një imami të një xhamie që quan qafire qeverinë e këtij vendi[5], a lejohet namazi pas tij?

Përgjigje: Nëse ajo çka thua është e vërtetë dhe është e sigurt se ai i quan qafira udhëheqësit tanë në këtë shtet, atëherë nuk duhet të falemi pas tij. Elhamdulilah kërkuesit e dijes janë të shumtë dhe drejtoria që merret me çështjet e xhamive është e gatshme ta pushojë atë dhe ta zëvendësojë me dikë tjetër. Por, e gjithë çështja qëndron mbi faktin se a është e vërtetë fjala që përmende, apo është vetëm thashethem me të cilin nuk mund të gjykojmë?!

Pyetja 5: A lejohen sulmet vetvrasëse dhe a gjenden kushte që duhet të plotësohen që ato të jenë të sakta?!

Përgjigje: La haule ue la kuvete il-la bil-lah![6] Pse duhet vetvrasja[7] duke qënë se Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos vrisni vetet tuaja, sepse Allahu ndaj jush është mëshirues. Kush bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hedhim atë në zjarr të fortë. Kjo është e lehtë për Allahun”[8].  Prandaj nuk i lejohet askujt që të vrasë vetveten, por duhet të kujdeset për të në mënyrën më të mirë. Dhe nuk gjykohet për këdo që vret veten se ai është shehid[9]!

Në kohën e Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), në njërën prej luftërave, gjendej me muslimanët një trim i guximshëm që luftonte në rrugë të Allahut. Njerëzit filluan ta lavdëronin duke thënë: “Askush nga ne nuk e ben dot atë që bën filani!”; Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Ai është në zjarr!”

Kjo gjë ishte e rëndë për Sahabët; si mundet që ky person, i cili nuk po lë njeri të gjallë prej jobesimtarëve, të jetë në zjarr?! Atëherë, dikush prej sahabëve i shkoi pas atij për ta vrojtuar. Luftëtari trim u plagos, derisa më në fund, nga dhimbjet që kishte, vendosi dorezën e shpatës në tokë, majën e saj lart dhe u mbështet mbi të për të vrarë veten!

Thotë sahabi që e vrojtoi: “Të vërtetën ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), sepse ai nuk flet sipas mendjes së vetë”[10].

Pse hyri në zjarr duke qenë se bëmat e tij ishin të lavdërueshme? Sepse ai vrau veten dhe nuk duroi, prandaj nuk i lejohet askujt që të vrasë veten dhe duhet të largohet nga çdo gjë që e çon në këtë përfundim.[11]

Përktheu Mirandi Usama Shehaj


[1] Sure Maide ; ajeti 44

[2] Sure Huxhuratë ; ajeti 6

[3] Transmeton Muslimi ; nr 5

[4] Sure Huxhuratë ; ajeti 6

[5] Arabisë Saudite

[6] Përmendja e kësaj shprehjeje nga shejhu tregon për gabimin e madh që bëjnë të tillë njerëz. Kuptimi i saj është “S’ka ndryshim e as fuqi veçse nga Allahu”

[7] Ka thënë dijetari i nderuar dhe muhadithi i madh shejkh El Albani (Allahu e mëshiroftë) : “Sulmet vetëvrasëse që ndodhin në kohën tonë janë të gjitha të palejuara, madje të gjitha janë haram. Ato mund të jenë që vepruesin e tyre ta lënë përjetësisht në zjarr, e as që mund të konsiderohen adhurim dhe afrimitet ndaj Allahut!… këto sulme vetëvrasëse nuk janë aspak Islame!” 

Ka thënë dijetari i nderuar Muhamed bin Salih El Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) : “Përsa i përket asaj që veprojnë disa njerëz që mbartin mbi vete aparate shpërthyese dhe me to shkojnë tek jobesimtarët dhe kur gjenden mes tyre i shpërthejnë ato, s’ka dyshim se kjo është vetvrasje (haram), Allahu na ruajtë nga të tilla veprime”.

[8] Sure Nisa ; ajeti 29-30

[9] Dëshmor.

[10] Transmeton Buhari; nr. 2742 dhe shejhu nuk e ka përmendur këtë transmetim fjalë për fjalë, por me kuptim.

[11] Sh.p. Pyetja e pestë dhe përgjigjja e saj janë marrë nga libri “El Exhuibel mufijde an esiletil menahixhil xhedijde” (Përgjigje të dobishme për pyetjet rreth metodave dhe rrugëve të reja) të vetë autorit, Allahu e ruajtë!