Xhumaja festa e myslimanëve.

Xhumaja festa e myslimanëve.

Ndarja e kohës në javë.

Njësia më e vogël kryesore e matjes së kohës është dita. Shtatë të këtilla përbëjnë një javë. Pastaj të tjerat janë përsëritje e tyre ku nëpërmjet këtij cikli formohen muajt dhe vitet.

Grupimi i ditëve në javë ka lidhje me një realitet të vjetër historik dhe që është fillimi i krijimit të kësaj bote.

Sheikhul-Islam ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Çdo umet që nuk ka pasur libër, nuk ka në gjuhen e tij ditët e javës. Ata në gjuhet e tyre kanë emrin ditë, muaj dhe vit, sepse ato kapen nëpërmjet shqisave dhe logjikës. Prandaj dhe ata u kanë vënë atyre emra, sepse shprehjet pasojnë imagjinatën.

Ndërsa për sa i përket javës, ajo nuk është njohur veçse me atë të dëgjimit. Nuk e kemi ditur se Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj është lartësuar mbi Arsh, veçse nëpërmjet lajmeve te profetëve të cilëve u është kërkuar të mblidhen një ditë në javë për ta adhuruar Allahun dhe për të ruajtur me të javën e parë të krijimit me të cilën Allahu i madhëruar ka filluar krijimin e kësaj bote” shih librin Mexhmu El-Fetaua: 7/95.Pra, java simbolizon krijimin e parë dhe është bërë në të një ditë feste që të adhurohet Allahu dhe të ruhet ndarja e kohës dhe ajo është dita e xhuma.

Ibn Abasi radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam në lidhje me xhumanë ka thënë: “Kjo është një ditë feste të cilën e ka bërë Allahu për myslimanët. Kush vjen për në xhuma të lahet! Nëse ka parfum të parfumoset! Dhe të përdorë misvakun” e transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.

Kështu, kjo ditë përmban të gjitha karakteristikat që kanë dy festat e mëdha: Fitri dhe Kurbani si: pastrimin, bashkimin, namazin dhe ligjërimin. Madje nuk është lejuar as agjërimi i saj, siç nuk lejohet as agjërimi i dy festave të mëdha- siç ua këshillonte Ebu Dherri radiallahu anhu disa tabi’inëve kur i shihte me agjërim në atë ditë dhe u thoshte: “Ju lutem për Allahun ta çelni, se kjo ditë është ditë feste” e transmeton Ibn Ebij Shejbe dhe e saktëson sheikh Albani.

Dr. Abdullah Nabolli