10 dobitë e besimit në paracaktimin (Kaderin) e Allahut

October 7, 2023

DISA NGA DOBITË E BESIMIT NË KADER

1-Të qenurit i kënaqur dhe i bindur. Allahu i Madhëruar ka thënë:

‘’Asnjë fatkeqësi nuk bie pa lejen e Allahut’’ (Tegabun 11)

Ibën Abasi,Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Me lejen e Allahut”, d.m.th. me caktimin dhe vendimin e Tij.

“E ai që beson në Allahun, Ai do t’ia qetësojë zemrën’’ (Tegabun 11)

Në interpretimin e këtij ajeti Ibën Kethiri ka thënë: d.m.th. atë që e godet një sprovë dhe bën durim duke shpresuar në shpërblimin e Allahut dhe duke qenë i bindur që ajo ka ndodhur me vendimin dhe caktimin e Tij dhe më pas nënshtrohet përballë vendimit të Tij, Ai do ta orientojë zemrën e këtij njeriu në kahun e duhur dhe do t’ia kompensojë disfatat materiale përmes udhëzimit që i fal në shpirt dhe bindjes së palëkundur. Nganjëherë ia kompenson duke ia rikthyer atë që ka humbur, e nganjëherë duke i falur diçka akoma më të mirë.

Ibën Abasi ka thënë: ‘’E udhëzon që zemra e tij të jetë e bindur se ajo që i ka ndodhur nuk mund të shmangej dhe se ajo që është shmangur nuk mund t’i ndodhte’’

Alkameja ka thënë: ‘’Bëhet fjalë për atë person të cilit i ndodh një disfatë dhe duke e ditur që ajo është prej Allahut e pranon dhe nënshtrohet’’

2-Shlyerja e mëkateve:

Profeti,sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: ‘’Allahu i shlyen besimtarit gabimet përmes sikleteve, mundimeve, sëmundjeve dhe brengave që e kaplojnë atë.’’(Buhariu dhe Muslimi)

3-Përfitimi i shpërblimeve të mëdha:

Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’Përgëzoji durimtarët, ata të cilët kur goditen nga një sprovë thonë: ‘’Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Mbi ta lëshohen mirësi dhe mëshirë nga Zoti i tyre dhe ata janë të udhëzuarit në rrugë të mbarë’’ (Bekareh 155-157)

4- Pasuria e shpirtit:

Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: ‘’Ji i kënaqur me atë që Allahu ka caktuar për ty dhe do të jesh njeriu më i pasur!’’(Ahmedi dhe Tirmidhiu)

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem gjithashtu ka thënë: ‘’Pasuria nuk vjen nga materialet e shumta por vjen nga shpirti i pasur’’(Buhariu dhe Muslimi)

Realiteti dëshmon se një pjesë e madhe e pasanikëve të mëdhenj nuk janë të kënaqur me atë çka posedojnë, për rrjedhojë ndihen të varfër në shpirt. Ndërsa ai që posedon pak pasuri por është i kënaqur me aq sa i ka caktuar Allahu ndërkohë që i ka bërë shkaqet e duhura, ai ndihet i pasur në shpirtin e tij.

5- Mosmburrja dhe mosdëshpërimi:

Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’ S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë. Ashtu që të mos dëshpëroheni tepër për atë që ju ka kaluar, e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai u ka dhënë, pse All-llahu nuk e do asnjë arrogant që u lavdërohet të tjerëve!’’(Hadid 22)

Ibën Kethiri ka thënë: “Mos u mburrni para njerëzve për mirësitë që ju ka dhënë Allahu sepse nuk i keni prej përpjekjes tuaj por i keni nga caktimi dhe rrizku i Allahut ndaj jush, andaj mos i përdorni mirësitë e Allahut për tu bërë arrogantë dhe fodullë.’’

Ikrima ka thënë: “Të gjithë gëzohen dhe pikëllohen, por gëzimi le të jetë mirënjohje dhe pikëllimi durim’’

6- Trimëria dhe guximi:

Ai që beson në kader është trim, nuk i druhet askujt veç Allahut, sepse e di se vdekja është e paracaktuar, se ajo që i është shmangur nuk mund t’i ndodhte dhe se ajo që i ka ndodhur nuk mund të shmangej. Se fitorja arrihet me durim, se pas pikëllimit vjen gëzimi dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.

7- Mospasja frikë prej dëmeve nga ana e njerëzve:

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Dije, se nese tërë njerëzimi mblidhen të gjithë se bashku për të të bërë ty dobi, nuk mund të ta bëjnë atë, përveç asaj që të ka caktuar Allahu dhe nëse mblidhen të të bëjnë ty dëm, nuk mund të ta bëjnë, përveç asaj që të ka caktuar Allahu. Lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.”(Tirmidhiu)

8- Mospasja frikë prej vdekjes:

Këto vargje i atribuohen Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të:

Cilës ditë t’i iki,

Ditës së pacaktuar apo ditës së caktuar?

Ditës së pacaktuar frikën s’ia kam

E ditës së caktuar askush s’i ka shpëtuar!

9- Mosbërja pishman për disfatat e kaluara:

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: ‘’Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, e që tek të dy ka hajr (mirësi). Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmën e Allahut e mos u ndal (lodh), nëse të godet diçka mos thuaj: po të kisha vepruar kështu do t’ishte kështu e kështu, por thuaj: Caktim i Allahut dhe çfarë dëshiron Ai vepron, sepse fjala (po të) hap dyert për të vepruar shejtani.’’(Buhariu dhe Muslimi)

10- Mirësia gjendet në atë që Allahu ka përzgjedhur për ty:

Kur të marrësh një plagë në dorë falëndero Allahun që nuk t’u thye dora. Kur të thyhet dora falëndero Allahun që nuk t’u këput apo që nuk të ndodhi diçka më e rëndë se aq. Tregohet se një tregtar po priste avionin për të nënshkruar një kontratë tregtie ndërkohë u thirr ezani dhe ai shkoi që të falej. Kur doli, pa se avioni kishte ikur dhe ai u ul i pikëlluar. Pak çaste më vonë mësoi se avioni kishte marrë flakë në ajër. Ai ra në sexhde duke e falënderuar Allahun që e shpëtoi dhe që u vonua për shkak të namazit. Nëpër mend i erdhën fjalët e Allahut: ‘’ Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.’’(Bekare 216)

“Orientimi i Muslimanēve” Xhemil Zejno

Përktheu: Rexhep Milaqi

 

 

 

 

 

 

Dosje: ,

Loading...