Çfarë është teuhidi Uluhijeh?

February 3, 2023

Prej besimit të ehli sunetit është se ata adhurojnë vetëm Allahun dhe nuk adhurojnë zot tjetër përveç Tij. Të gjitha adhurimet të cilat i ka urdhëruar Allahu, qofshin të obligueshme apo të pëlqyeshme, ia atribojnë vetëm Atij pa i shoqëruar shok.

Nuk i bëjnë sexhde askujt përveç Allahut, nuk bëjnë tauaf (tauafi është rrotullimi rreth Qabes dhe është adhurim prej adhurimeve) për askënd tjetër përveç Allahut. Nuk bëjnë kurban vetëm se për Allahun, nuk betohen vetëm se për Allahun (betohen vetëm në emrin e Tij dhe jo në emrin e krijesave, si p.sh. “Për kokën e këtij apo atij” etj.). I mbështeten vetëm Allahut dhe lusin vetëm Allahun. Ky është teuhidi uluhijeh.

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Adhuroni Allahun dhe mos i vini Atij shok në adhurim!” |Surja Nisa: 36|

Gjithashtu ka thënë: “Ndërsa Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhurosh askënd e asgjë veç Atij.” |Surja Isra: 23|

Gjithashtu ka thënë: “Ndërkohë që ata (jehuditë dhe të krishterët) qenë urdhëruar (në Teurat dhe Inxhil) të mos adhurojnë kënd tjetër por vetëm një të adhuruar të vetëm, Allahun.” |Surja Teubeh: 31|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër pos asaj që duhej të adhuronin vetëm Allahun dhe të mos adhuronin tjetër përveç a përkrah Tij.” |Surja Bejjineh: 5|
Gjithashtu ka thënë: “Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhinët pos që të më adhurojnë vetëm Mua.” |Surja Dharijat: 56| Domethënia e shprehjes “të më adhurojnë” është “të më njësojnë Mua në adhurim”.

E kundërta e kësaj është shirku (të adhurosh dikë tjetër bashkë me Allahun), Allahu na ruajt prej tij. Ai është mëkati më i madh me të cilin kundërshtohet Allahu. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Padyshim që Allahu nuk fal t’i bëhet Atij shok në adhurim, por Ai fal përveç kësaj. Dhe kushdo që i bën shok Allahut në adhurim, vërtet ai ka shpifur një gjynah të tmerrshëm.” |Surja Nisa: 48|
Gjithashtu ka thënë: “Sigurisht që Allahu nuk e fal (gjynahun e) të vënit shok Atij në adhurim, por Ai i fal kujtdo që Ai dëshiron gjynahe të tjera përveç këtij. Dhe kushdo që i vë shok në adhurim Allahut, vërtet ai ka humbur rrugën tepër larg.” |Surja Nisa: 116|

Gjithashtu ka thënë: “Bëhuni kunafa Lil-lah (për të adhuruar vetëm Allahun) duke mos i vënë Atij shok në adhurim. Kushdo që i emëron shokë e të barabartë Allahut, kjo është sikur të kishte rënë nga qielli dhe ta kishin kapur zogjtë, ose sikur era ta kishte hedhur në një vend të largët e të humbur.” |Surja Haxh: 31|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe (kujto) kur Lukmani i tha birit të vet kur po e këshillonte: O biri im! Mos bashko të tjerë në adhurim me Allahun. Vërtet që bashkimi i të tjerëve në adhurim me Allahun është dhulm (padrejtësi, gabim) i madh (më i madhi).” |Surja Lukman: 13|

Allahu i Madhëruar ka sqaruar se shirku hedh poshtë të gjitha veprat dhe të nxjerr nga Islami. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Por sikur ata të kishin bashkuar të tjerë në adhurimin e Allahut, gjithçka që ata kanë punuar do të kishte qenë pa asnjë vlerë për ta.” |Surja En’am: 88|

Gjithashtu ka thënë: “Sigurisht që tashmë të është shpallur ty (O Muhamed) si dhe atyre (të Dërguarve) para teje: Në qoftë se bashkoni të tjerë në adhurim me Allahun të gjitha veprat tuaja do jenë të pavlera, dhe padyshim që ti do të ishe nga të humburit.” |Surja Zumer: 65|

Transmetohet në “Sahihun” e Muslimit nga Xhabir ibn Abdilah se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Ai që e takon Allahun pa i shoqëruar shok Atij do të hyjë në Xhenet, e ai i cili e takon Allahun duke i shoqëruar shok do të hyjë në zjarr.”

Transmetohet në “Sahihun” e Buhariut nga Ibn Mesudi se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Do të hyjë në zjarr ai që vdes dhe lut dikë tjetër përveç Allahut.”

Ai i cili i atribuon një adhurim dikujt tjetër përveç Allahut është politeist mosbesimtar. Për shembull; lutja është një adhurim për të cilin Allahu na ka urdhëruar. Ai i cili lut vetëm Allahun ai është njësues, e ai që lut dikë tjetër përveç Tij ka bërë shirk.

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe mos lut tjetër përveç Allahut çfarëdo qoftë, që kurrë nuk do të të sjell ty përfitim dhe as nuk do të dëmtojë. Në rast se vepron kështu, atëherë patjetër që do të jesh prej dhalimunëve (mohuesve, keqbërësve).” |Surja Junus: 106|

“Dhe kushdo që lut (ose adhuron) në vend të Allahut ndpnjë ilah (zot) tjetër për të cilin nuk ka asnjë provë, llogaria e tij është vetëm te Zoti i tij. Vërtet që qafirët (mohuesit e Njësisë së Allahut) nuk do të kenë kurrë sukses.” |Surja Mu’minun: 117|

“Vërtet që xhamitë janë për Allahun, kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Të. Kur robi i Allahut (Muhamedi ) u ngrit duke lutur në falje për Të, ata (xhinët) u mblodhën turmë rreth tij si të ngjitur njëri mbi tjetrin (me qëllim që të dëgjonin këndimin e Pejgamberit ). Thuaj: Unë lus vetëm  Zotin tim dhe nuk bashkoj askënd si shok a të barabartë përkrah me Të.” |Surja Xhin: 18-20|

“Vetëm për Të është fjala e vërtetë, adhurimi i vërtetë. Të adhuruarit e tjerë nga ata (politeistët dhe besimet e tjera jashtë Islamit) u kthejnë përgjigje aq sa do të vinin ujë në gojë (prej pusit të thellë) duke shtrirë duart në grykën e tij, por ai (uji) nuk arrin kurrë tek ata. Thirrja (adhurimi dhe lutja) e qafirëve (mohuesve dhe mosbesimtarëve që i bëjnë shok Allahut), s’është tjetër veçse gabim (trashanik e lajthitje pa asnjë vlerë).” |Surja Raad: 14|

“Ata (idhujt, të adhuruar të tjerë çfarëdo e kushdo qoftë veç Allahut, Një e të Vetëm)  të  cilët (mushrikët, politeistat e çfarëdo lloji qofshin) i adhurojnë e i lusin në vend të Allahut nuk kanë krijuar ndonjë gjë, madje ata vetë janë të krijuar. (Ata, idhujt dhe të adhuruarit e tjerë janë) Të vdekur, pa jetë, dhe as nuk e dinë se kur do të ngrihen.” |Surja Nahl: 20-21|

“Kështu pra, mos lutni zot tjetër me Allahun se përndryshe do të jeni prej atyre që ndëshkohen.” |Surja Shuara: 213|

“Ai ndërfut natën te dita (shkurtimi në orët e natës u shtohet orëve të ditës) dhe Ai ndërfut ditën te nata (shkurtimi në orët e ditës u shtohet orëve të natës). Ai ka nënshtruar diellin dhe hënën, secili duke ndjekur rrugën e vet për një afat të përcaktuar. I tillë është Allahu, Zoti juaj. I Tij është mbizotërimi. E ata të cilët ju i lutni e i thërrisni në vend të Tij nuk kanë asnjë grimë fuqie (kitmir – lëvozhgë e hollë që mbështjell farën e hurmës). Nëse ju luteni dhe u thërrisni atyre ata nuk e dëgjojnë thirrjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin ata nuk do mund t’ju përgjigjen dhe në ditën e llogarisë do të mohojnë adhurimin tuaj ndaj tyre. Askush nuk mund të të njoftojë ty (o Muhamed) si Ai i Cili është i Mirënjohuri, i Gjithëdituri i çdo gjëje.” |Surja Fatir: 13-14|

“Padyshim, nëse i pyet ata: Kush i krijoi qiejt dhe tokën? Sigurisht që do të thonë: Allahu. Thuaju: Më thoni pra, gjërat që i lutni në vend të Allahut, nëse Allahu do të donte të më bënte ndonjë të keqe a do të mundeshin ata ta largonin të keqen e Tij? Apo nëse Ai do të donte të më bënte ndonjë të mirë, a do të mundeshin ata ta ndalonin Mëshirën e Tij? Thuaju: Mëse i mjaftueshëm për mua është Allahu, dhe ata që i mbështeten le të mbështeten vetëm tek Ai.” |Surja Zumer: 38|

“Thuaju: Mendoni! Gjithë ata që i lutni në vend të Allahut, më thoni: Çfarë kanë krijuar nga toka? Apo mos kanë ndonjë pjesë në qiej? Më sillni një libër (para këtij) ose ndonjë dije të trashëguar (në mbështetje të pohimeve tuaja), nëse jeni që thoni të drejtën. Kush është në rrugë më të gabuar se ai i cili lut në vend të Allahut të atillë që nuk do t’i përgjigjen deri në ditën e ringjalljes, dhe të cilët janë krejt të pavetëdijshëm për lutjet që u bëhen? Kur njerëzimi të grumbullohet (ditën e kijametit), ata (idhujt e tyre) do të bëhen armiq të tyre dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre.” |Surja Ahkaf: 4-6|

Transmetohet autentikisht në Sunene (libra ku janë përmbledhur hadithe të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nga En-Numan ibn Beshir se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Lutja është vet adhurimi.”

Shkaku i armiqësisë mes të dërguarve të Allahut dhe popujve të tyre ishte ky teuhid (teuhidi uluhije, sepse popujt e tyre nuk e pranuan atë). Allahu dërgoi profetët për të sqaruar këtë teuhid dhe për të thirrur në të. Ai zbriti librat (qiellorë) për të shpallur këtë teuhid, për ta shpjeguar atë dhe për t’u argumentuar rreth tij, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe me të vërtetë që Ne kemi dërguar te çdo Umet (bashkësi njerëzish, popull, komb) të dërguar (duke shpallur): Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg tagutit (shejtanëve ose çdo gjëje tjetër që adhurohet pos Allahut).” |Surja Nahl: 36|

“Ne nuk kemi sjellë ndonjë të dërguar para teje (o Muhamed) e që të mos e kemi frymëzuar (duke i thënë): La ilahe il-la Ene (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje), pra më adhuroni Mua të Vetëm.” |Surja Enbija: 25|

“Ai i dërgon melekët me frymëzimin e urdhërit të Tij kujtdo nga robët që Ai dëshiron (duke thënë): Këshilloje njerëzimin se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje. Pra, më kini frikë Mua (plotësoni detyrimet dhe largohuni nga të gjitha ndalimet e përcaktuara).” |Surja Nahl: 2|

Gjëja e parë në të cilin të dërguarit i thërrisnin popujt e tyre ishte ky teuhid. Secili i dërguar i thoshte popullit të vet: “Adhuroni Allahun! Nuk keni të adhuruar tjetër me të drejtë veç Tij.” |Surja A’raf: 59, 65, 73, 85| Kështu kanë thënë; Nuhu, Hudi, Salihu, Shuajbi dhe të gjithë të dërguarit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të gjithë.

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe (kujto) Ibrahimin kur ai i tha popullit të vet: Adhuroni Allahun (Një e të Vetëm) dhe kijeni frikë Atë. Kjo është më mirë për ju sikur ta dinit. Ju adhuroni në vend të Allahut vetëm idhuj dhe vetëm trilloni gënjeshtra. Sigurisht se ata të cilët i adhuroni në vend të Allahut nuk kanë asnjë fuqi për t’ju sjellë të mira. Kështu që kërkoni dhurim të mirash prej Allahut, adhurojeni Atë (të Vetëm) dhe falënderojeni. Vetëm Atij do t’i ktheheni.” |Surja Ankebut: 16-17|

Allahu i Madhëruar ka thënë duke treguar fjalën e pejgamberit të Tij Jusufit alejhis-selam: “O shokët e mi të burgut! A janë më mirë shumë perëndi të ndryshme apo Allahu, Një, i Vetmi, i Papërballueshmi, më i Larti? Ju nuk adhuroni përveç Tij veçse emra të cilët i keni shpikur ju dhe baballarët tuaj, për të cilët Allahu nuk ka dërguar asnjë provë e mbështetje. Urdhëri e gjykimi nuk është për kënd tjetër përveç Allahut. Ai ka urdhëruar të mos adhuroni tjetër veçse Atë. Kjo është feja e drejtë dhe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” |Surja Jusuf: 39-40|

Politeistët nuk kanë argument për shirkun e tyre, as nga mendja e shëndoshë dhe as nga transmetimet e të dërguarve.

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Pyeti të Dërguarit Tanë të cilët i dërguam para teje: A caktuam Ne ndonjëherë alihah (zota) për t’u adhuruar në vend të të Gjithëmëshirshmit (Allah)?” |Surja Zuhruf: 45| Kuptimi i ajetit është që nuk ka ndonjë të dërguar i cili ka thirrur për të adhuruar zota të tjerë bashkë me Allahun. Përkundrazi, të gjithë prej të parit e deri tek i fundit prej tyre kanë thirrur në adhurimin e Allahut të vetëm.

Gjithashtu, ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaju: Mendoni! Gjithë ata që ju i lutni në vend të Allahut, më thoni: Çfarë kanë krijuar nga toka? Apo mos kanë ndonjë pjesë në qiej? Më sillni një libër (para këtij) ose ndonjë dije të trashëguar (në mbështetje të pohimeve tuaja) nëse jeni që thoni të drejtën!” |Surja Ahkaf: 4|

Atëherë, dalim në përfundimin se ky teuhid është obligimi parësor, çështja më e rëndësishme dhe se Allahu nuk pranon fe tjetër përveç tij (teuhidit uluhijeh. Autori përmend teuhidin uluhijeh si fe, nga pikëpamja se ai është gjëja më e rëndësishme në Islam. Allahu e di më së miri).

 

Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.

Shkroi: Abdus-Selam ibn Berxhes El-AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Dosje:

Loading...