Pyetje: A i lejohet personit ta falë namazin në shtëpi dhe të mos shkojë në xhami?
Përgjigje: Këshillojmë të tillët që t’i frikësohen Allahut të Lartësuar dhe ta falin namazin me xhemat në xhami bashkë me muslimanët. Fjala më e saktë nga mendimet e dijetarëve në këtë çështje është se namazi me xhemat është obligim në xhami, dhe nuk i lejohet burrit të shkëputet nga namazi me xhemat vetëm nëse ka ndonjë arsye. Kjo sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Do dëshiroja që pasi të urdhëroja faljen e namazit dhe të nxirrja dikë t’u printe njerëzve në namaz, të shkoja duke marrë me vete disa burra me nga një turrë drush. Të shkoja tek ata të cilët nuk prezantojnë në namazin me xhemat e t’ua digjja shtepitë e tyre.”
Këta persona ishin që faleshin, mirëpo Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kishte për qëllim që ata ta falnin namazin me xhematin ashtu si e ka për qëllim sheriati. Xhemati të cilin ka qëllim sheriati është ai që falet në xhami, ndërsa xhamia thërret për prezantim në namaz.
Për këtë, Abdullah ibën Mesudi ka thënë: Kush dëshiron që ta takojë Allahun nesër si musliman, atëherë le t’i ruaj këto namaze aty ku thirren për në to.
“Aty ku thirren për në to” do të thotë: Le t’i ruaj namazet në vendin në të cilin thirren që ta falin. Kjo sa i takon pesë kohëve të namazit.
Namazi i xhumasë është obligim në xhami në mënyrë të pakontestueshme. Ndërsa për namazet vullnetare Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Namazi më i mirë është ai që falet në shtëpi, përveç namazeve obligative.”
Në bazë të këtij argumenti është më e mirë për njeriun t’i falë namazet vullnetare në shtëpi, përveç atij namazi vullnetar që është ligjëruar se falet në xhami siç është p.sh. namazi i eklipsit, edhe pse nuk është obligim.
Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, në librin “Mexhmu el fetaua Ibën Uthejmin” 15/19.
Ibën Uthejmini gjithashtu ka thënë:
Nuk i lejohet askujt dhe asnjë xhemati që ta falë namazin në shtëpi duke qenë se xhamia është afër me ta. Ndërsa nëse xhamia është larg dhe nuk e dëgjojnë ezanin nuk ka problem nëse falen me xhemat në shtëpi. Kanë neglizhuar disa njerëz në këtë çeshtje duke u bazuar në fjalët e disa prej dijetarëve, duke thënë se; Qëllimi me namazin me xhemat është bashkimi i njerëzve për namaz edhe pse nuk falet në xhami. Nëse njerëzit e falin namazin me xhemat qoftë edhe në shtëpi, atëherë e kanë kryer obligimin.”
Mirëpo më e sakta është se duhet medoemos që ta falësh namazin në xhami, sepse kjo korrenspondon me fjalën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që thotë: “Do doja të urdhëroja për faljen e namazit… ”, – e më pas përmendi hadithin e mësipërm.
“Mexhmu el fetaua” 15/20.
Përktheu: Bledar Lika
Të Ngjashme
- Leximi gjatë namazit pa lëvizur gjuhën dhe buzët Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz
- A lejohet të paraprihet imami në lëvizjet e namazit? Udha e Besimtarëve
- Falja e namazit në mjetet e transportit Lexhnetu Daime
- A mund të bëhen dy nijete në faljen e dy rekateve namaz? Meshhur Hasen
- Nuk pranojnë ta falin Bajramin pas atyre që i kundërshtojnë në numrin e tekbireve? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin